Itali, "çeku social" për emigrantët mbi 5000 euro në vit
Të gjithë emigrantët shqiptarë, që jetojnë dhe punojnë në vendin fqinj, Itali, duhet t‘i nënshtrohen edhe një kushti tjetër për të përfituar ripërtëritje dokumentacioni. Instituti Kombëtar i Përkujdesjes Shoqërore (INSP) ka përcaktuar një kuotë prej
5142.67 eurove në vit përfitime për secilin prej tyre. Ndryshe kjo shumë përcaktohet edhe si çeku social nga ana e autoriteteve italiane të emigracionit. Çeku social është një prej parametrave më të rëndësishëm për emigrantët, lidhur me ripërtëritjen e lejeve të qëndrimit, emigrimin në suazën e ribashkimeve familjare, marrjen e kartave të qëndrimit dhe një seri të tërë dokumentesh të nevojshme në këtë shtet. Kjo kuotë është e ndryshueshme nga viti në vit dhe përllogaritet nga Instituti Kombëtar i Përkujdesjes Shoqërore. Sipas specialistit të Emigracionit në Ministrinë e Punës, Durim Hatibi, këtë vit, emigrantët shqiptarë në Itali, por edhe të gjithë të huajt e tjerë të kësaj kategorie, duhet të realizojnë më shumë se pesë mijë euro në vit të ardhura për të plotësuar këtë kusht të rëndësishëm të qëndrimit të tyre në këtë vend. Hatibi, duke ju referuar të dhënave zyrtare sqaron se INSP-ja e ka vlerësuar shumën e nevojshme të të ardhurave të realizuara në 396.59 euro, lidhur me "çekun social" për vitin 2008. Në të vërtetë, çeku në fjalë është një formë e përkrahjes shoqërore, shtetërore për të moshuarit më të varfër. Këtë shumë e përfitojnë shtetasit italianë, ata të BE-së, apo shtetas nga shtete jo anëtare të BE-së, që mbajnë një leje qëndrimi të rezidentit afatgjatë, pra kartën e re të qëndrimit. Si përfitues llogariten edhe ata persona që janë të paktën 65 vjeç dhe nuk arrijnë të realizojnë një të ardhur vjetore të barabartë me 5142.67 euro, pra me 13 pagesa mujore të "çekut social". Ky, veç të tjerash, është edhe një parametër i rëndësishëm referimi, për disa dispozita të legjislacionit mbi emigrimin. "Ky çek, shpjegojnë juristët, shërben për të vlerësuar aftësitë ekonomike të emigrantit. Kështu, për të qenë në gjendje të ripërtërish lejen e qëndrimit, të kesh mundësi të ribashkohesh me familjarët e tu, ashtu siç i përcakton legjislacioni italian këta familjarë, apo të arrish të marrësh lejen e re të qëndrimit për rezidentët afatgjatë, duhet të provosh, së bashku me plotësimin e kërkesave të tjera, se realizon të ardhura vjetore, jo më të ulëta se 5142.67 euro".
Me raste, vlera e këtij çeku është vetëm një vlerë bazë, që duhet shumëzuar, çka ndodh, kur kërkohet ribashkimi për dy, apo më shumë anëtarë të familjes, për të cilën nevojitet, të paktën një vlerë e dyfishtë. Mes të tjerash, kjo prek edhe punëdhënësit e punëtorëve shtëpiakë, që kanë marrë pjesë në përmbushjen e kuotave të përcaktuara për këtë kategori. Kështu, për të punësuar një bashkëpunëtor familjar, atij i duhet garantuar të paktën një pagë e barabartë me "çekun".