E Diel, 1 Nëntor 2026

Nje Ballkan i trazuar, mundesi per shkaterrim

Në marrëveshjet e tyre për pavarësinë e Kosovës, BE-ja dhe Rusia kanë nevojë t‘i marrin pikat e nisjes nga realiteti dhe përgjegjësia e përbashkët për stabilitetin e kontinentit evropian dhe jo nga legalizimi apo vetëkënaqësia. Rusët duhet të dinë se, duan apo jo ata dhe serbët, Kosova do të bëhet shumë shpejt e pavarur dhe do të njihet nga shtete të tilla si SHBA-ja, BE-ja dhe shumë vende myslimane. Nëse pavarësia nuk fitohet shpejt, atëherë shqiptarët e Kosovës do të ngrihen në revoltë. Duke vënë veton në OKB dhe duke i dhënë mbështetje morale papajtueshmërisë serbe, Rusia do të ndihmojë në destabilitetin e Kosovës dhe do ta shpërndajë këtë destabilitet në të gjithë rajonin. Në rastin më të keq, ajo do të ndihmojë në provokimin e një lufte që do të destabilizojë jo vetëm Ballkanin, por edhe Evropën dhe do t‘u japë një goditje të tmerrshme marrëdhënieve të Moskës me Perëndimin; por Moska duhet të pyesë veten nëse do të ishte në interesin e Rusisë të vepronte kështu, çka do ta afronte Evropën Perëndimore me qëndrimet e ashpra antiruse në SHBA?

Edhe qeveritë e BE-së duhet të njohin dy realitete. I pari, përpjekja për ta mbajtur Kosovën në Serbi do të çonte në revoltën e shqiptarëve dhe të detyrosh Mitrovicën të jetë nën një shtet të pavarur shqiptar do të çonte në revoltën e serbëve. Kështu që, t‘u kërkosh serbëve të pranojnë garancitë e shqiptarëve apo të perëndimorëve për të ardhmen e tyre është diçka absurde.

Kanë ekzistuar kërcënime nga pala shqiptare se, nëse Mitrovica ndahet dhe i bashkohet Serbisë, kjo do të çojë në revoltën e minoriteteve lokale shqiptare jo vetëm në Serbi, por edhe në Maqedoni. Për këtë duhet të ketë një përgjigje të qartë perëndimore. BE-ja dhe NATO-ja kanë mbështetur moralin e tyre të lartë te hegjemonia në Ballkan me pretendimin për të garantuar siguri dhe për të parandaluar konflikte. Ato kanë bërë premtime të njëjta edhe për mbrojtjen e integritetit të Maqedonisë.

Realiteti i dytë që Perëndimi duhet të njohë është që, ashtu siç është e pamundur të detyrosh Kosovën të rikthehet te Serbia, po kështu është e pamundur të detyrosh Abkhazinë dhe Osetinë Jugore të rikthehet te Gjeorgjia. Abkhazët dhe osetojugorët nuk mund të besojnë më te shteti gjeorgjian, ashtu si edhe shqiptarët e Kosovës te shteti serb.

Pavarësia e Kosovës do të ketë jehonë në mënyrë të pashmangshme për rajonet separatiste gjeorgjiane dhe Nagorni Karabahun dhe Transdnjestrin.

Për Perëndimin, të thotë se Kosova është rast i veçantë është një paralele boshe. Për të zgjidhur këto çështje dhe për të vendosur lidhje elementare logjike me qëndrimin e tij, Perëndimi nuk ka nevojë të njohë pavarësinë e Abkhazisë dhe Osetisë Jugore - diçka për të cilën Moska në çdo rast nuk do të pyesë, duke pasur parasysh edhe leksionet e qarta të saj për disa nga rajonet minoritare ruse.

Për më saktë, Perëndimi duhet të japë për këto republika zgjidhjen e njëjtë që vendet kryesore perëndimore kanë kërkuar për Nagorni-Karabahun (edhe pse deri tani pa sukses): që do të thotë një "shtet unik", ku Azerbajxhani, apo në këtë rast Gjeorgjia - do të mbajë de jure sovranitetin dhe kështu mundësinë teorike të riunifikimit të ardhshëm me anë të pëlqimit, ndërkohë që miratimi zyrtar për pavarësinë de facto, përfshin kontrollin e plotë mbi forcat e armatosura lokale dhe kufijtë e jashtëm.

Në të gjitha këto raste, si në Kosovë, kjo do të shoqërohet nga copëzime të kufizuara, ku rajone të caktuara (si Mitrovica apo distrikti gjeorgjian Gali dhe ai Abkhaz, Svan) do të mbeten me ish-shtetin sovran. Përpara se të ecin më përpara me politikat e tyre ekzistuese, fuqitë e mëdha duhet të kujtojnë këtë: Lufta e Parë katastrofike Botërore filloi me një çështje rreth statusit të Bosnjë-Hercegovinës, zonë pa interes e pjesës më të madhe të evropianëve që humbën jetën.

Rreziku nga Ballkani dhe konfliktet kaukaziane janë shumë më të vogla dhe asnjë nga territoret nuk paraqet rrezik për sistemin ndërkombëtar.

Qeveritë e 1914-ës nuk mund ta imagjinonin përdorimin e tmerrshëm që Hitleri dhe Stalini u dhanë pasojave të Luftës së Parë Botërore.

Sot, ne nuk i kemi këto arsye. Por, ne dimë shumë mirë që Osama bin Laden dhe aleatët e tij çeçenë duan të provokojnë një përplasje serioze mes Perëndimit dhe Rusisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›