E Diel, 1 Nëntor 2026

Kujtohet Kubrick

Një ditë nuk mjafton për të rrëfyer Stanley Kubrick. 9-vjetori i vdekjes i një prej ikonave të kinemasë botërore është shoqëruar dje me aktivitete në të gjithë botën. Ky përvjetor ndarjeje nga jeta u kujtua bashkë me 40-vjetorin e një prej filmave më të mëdhenj fantashkencorë të të gjithë kohërave (sipas një sondazhi me 2700 shkencëtarë të Amerikës) "ODISEA 2001" (i prodhuar në 1968-ën). Në Shqipëri kujtimi i tij është nderuar me një aktivitet të veçantë në sallën e kinemasë "Marubi". Aktiviteti u zhvillua nën kujdesin e shkollës së filmit "Marubi" dhe Institutit të Artit. Kubrick vdiq më 7 mars 1999, gjatë procesit të montimit të filmit të paharrueshëm "Eyes Wide Shut", në moshën 70-vjeçare. Që nga 1999, çdo vit më 7 mars në shumë vende të botës organizohen aktivitete për yllin e kinemasë, filozofin Stanley Kubrick, jo më shumë për t‘i bërë respekt kujtimit të tij, por për më tepër për të kuptuar më shumë gjuhën e tij unikale shumështresore kinematografike. Në ekranin e "Marubit" u dha një koktej me etydet më të paharrueshme vizuale dhe sonore të të gjithë produksionit kubrickian (janë përdorur si lëndë e parë te 13 filmat e tij të karrierës 50-vjeçare) të shoqëruara me komente paralele në një ekran plotësues. Gjithashtu, u bë një përpjekje analitike për të zbërthyer 2 nga pjesët më të famshme emblematike të censuruara nga Hollivudi në fillim dhe në fund të karrierës së Kubrick: "PARTACUS" (biseda e molestimit të Perandorit Kras me skllavin e tij poet Antonino).
"EYES WIDE SHUT" (rituali seksual i mbrëmjes me maska). Zbërthimi i "kodeve" kubrickiane (nga e ka marrë dhe emrin ky aktivitet) është një përpjekje jashtë të mundshmes, por pikërisht arti prandaj shërben, për të kuptuar (tej të mundshmes) thelbin artistik të veprës dhe autorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›