E Diel, 1 Nëntor 2026

Një bisedë për teatrin shqip në Vjenë

Në kuadër të bashkëpunimit dhe të shkëmbimit kulturor me teatrot nga vende të ndryshme të botës, përkatësisht të Dialogut Interkulturor 2008 "Kultura në trup dhe në zë", Teatri Lalish, me seli në Vjenë (Austri), përkatësisht Qendra për Kërkime Teatrore dhe Performim Kulturor e këtij teatri, sot organizon tryezën me temë "Një vështrim mbi teatrin në Kosovë". Në këtë tryezë debatuese janë ftuar të marrin pjesë regjisori dhe pedagogu universitar Bekim Lumi dhe teatrologia Gonxhe Boshtrakaj, të cilët, përmes ligjëratave, diskutimeve të hapura me publikun dhe materialit dokumentaresk, do të bëjnë paraqitjen e gjendjes aktuale të teatrit në Kosovë. Tryeza "Një vështrim mbi teatrin në Kosovë" do të mbahet në Lalish Theaterlabor, Gentzgasse 62, në Vjenë (Austri), sot, në orën 19:30 dhe, si e tillë, do të jetë një paraqitje e gjithanshme e teatrit kosovar para auditorit artistik teatror vjenez.

Bashkëpunimi midis Teatrit Lalish nga Vjena dhe artistëve kosovarë ka zënë fill në gusht të vitit 2006, në Festivalin Ndërkombëtar Teatror "Zephirus", në Kretë të Greqisë, në të cilin asokohe regjisori Bekim Lumi kishte marrë pjesë me shfaqjen e tij, "Mësimi". Pas takimit në Greqi, Teatri Lalish nga Vjena, përkatësisht pjesëtarët e këtij teatri Nigar Hasib dhe Shamal Amin, ka ardhur në Kosovë në dy edicionet e Festivalit Skena UP, ndërkohë që me një performancë teatrore janë paraqitur në

kuadër të Festivalit Ndërkombëtar Muzikor DAM. Gjithashtu, gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, artistët e Teatrit Lalish kanë organizuar disa punëtori teatrore me studentët e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës. Përveç tryezës "Një vështrim mbi teatrin në Kosovë", në maj të këtij viti në Teatrin Lalish në Vjenë, nën titullin "Këngëtari nga Rugova", do të mbahet edhe një performim muzikor i lahutarit kosovar Isë Elezi Lekëgjekaj, i shoqëruar nga shpjegimet e studiuesit dhe mbledhësit të eposit të kreshnikëve, dr. Zymer Neziri, si dhe analizat e interpretimet me karakter antropologjik të dr. Nigar Hasib -it dhe Shamal Aminit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›