Kur burrat rrëfejnë gratë...
Ǒdi një burrë për një grua? Shkrimtarët kanë mundur t‘i hedhin të gjitha ato çfarë dinë për gratë në libra, një burrë i zakonshëm e thotë me gjuhën e tij gruas që ka pranë se çfarë është ajo për të, ndërsa artistët vizualë vijojnë ta quajnë një eksplorim të pambarimtë botën femërore. Për shekuj me radhë, piktura na ka ofruar momente grash herë të trishta, herë rebele, duke hyrë në format edhe nga më absurdet për t‘i rrëfyer.
Përveç punimeve që vetë gratë artiste kanë bërë për të shpjeguar botët e tyre, burrat artistë vijojnë të lundrojnë në ujërat që do t‘i çonin pikërisht në vendin ku fshihet shpirti i gruas...
Pjesë e këtij udhëtimi janë bërë dhe tetë artistë të rinj, studentë në Akademinë e Arteve, në ateliet e Multimedia, modë dhe grafikë, të cilët sot në galerinë "Zenit" do të prezantojnë ekspozitën "Burrat mbi gratë". Pikërisht në ditën kur gratë në të gjithë botën ndalen jo vetëm për të menduar më tepër për ekzistencën e tyre, por edhe për të protestuar, këta djem të rinj artistë sjellin një perceptim aq origjinal se çfarë ndjesish u ofron atyre gjinia femërore. Ekspozita është kuruar nga pedagogët Vladimir Myrtezai, Najada Hamza dhe Ardian Isufi. Studentët që prezantojnë punimet e tyre janë: Andon Ziu, Florian Binaj, Dorian Hoxha, Driant Zeneli, Ervis Kosova, Klodian Alldervishi, Elsa Katiaj, Toni Koroni.
Kuratori Vladimir Myrtezai e quan këtë ekspozitë si fryt i atyre reagimeve që kanë ndodhur në atelienë ku këta pedagogë punojnë me studentët. "Bëj një gjest që të më shprehësh një karakter?", është kjo pyetja që Myrtezai i bëri gjatë një ore pune në atelie studentit Florian Binaj. Ai vendosi duart në mënyrë të tillë (ky gjest mund të shihet në foton e ftesës së ekspozitës), duke provokuar kështu tematikën e punëve që mbart kjo ekspozitë. Është një raport me gruan, me dashurinë, me gjërat e ndjeshme, që këta studentë u japin nëpërmjet mënyrave reale të përjetimit vetjak. Jo çdo burrë mund ta shohë me të njëjtin sy një grua. Dhe punët e Driant Zenelit, (fitues i çmimit të dytë i edicionit të sivjetshëm të "Onufri"-t) tregojnë se një grua nuk mund të jetë thjesht e butë. Personazhi që ai ka zgjedhur për të treguar perceptimin mbi femrën sot është një personazh kompleks i botës që jetojmë. Jo vetëm me fustanin e kuq, por edhe në momentin kur ajo shfaqet me vellon e bardhë, thellësia me të cilën Zeneli e ka parë qenien e saj na shfaqet e plotë. "Ne mund të shohim parametrat e zbulimit në këto punë", thotë Myrtezai.
Nëse do merreshim me personazhin e zgjedhur për të interpretuar gjendje të ndryshme të Zenelit mund të flisnim gjatë.
Tashmë, mënyra e të parit të femrës nuk është më vetëm në konceptin e një krijese të butë dhe të dashur, por ajo në përmasat e realitetit ku jeton merr ndonjëherë dhe rolin e një burri.
Interesante janë dhe punët e Florian Binajt. Imazhet se ç‘është e bukura mund ta shohësh në punën e tij.
Studentja Anjeza Dyrmyshi zgjedh këto fjali për të shpjeguar konceptin e punës së saj. "Ekuilibri qëndron, bazamenti nuk ekziston, ndërsa personazhi ngjitet (Ticiana Dine). Ekuilibrin e mban Dorian Hoxha, por baza qëndron tek unë (Anjeza Dyrmishi). Unë nuk luaj me të dhe as nuk e fsheh. Siç nuk e fsheh vetveten".
Pjesë e ekspozitës do të jetë dhe një video e Salvdador Dali "Is this e dream?"
Myrtezai e quan këtë ekspozitë si fryt i një pune që bëhet me dashuri çdo ditë në atelienë ku këta pedagogë-artistë punojnë me studentët. Sigurisht që këtë herë tema ishte gruaja. Dhe dita e sotme është për gruan. Ajo çfarë e bën interesant rrëfimin e këtyre studentëve është mënyra sesi shihet sot një grua. Në ikje, në shpërfytyrim, e dashuruar, e ndjerë apo dhe si një kolazh i tërë ëndrrash të mbetura thjesht ëndrra...
Dhe ky rrëfim vjen me gjuhën e burrave, të atyre që gjithnjë e kanë pasur ndër vite më të lehtë rrugëtimin, që dikur janë ndier mirë t‘i gjenin gratë thjesht në kuzhinë, ndërsa sot nuk çuditen më kur ato marrin dhe pamjen e tyre...
Ekspozita
Piktorja Adriana Puleshi do të hapë sot një ekspozitë personale në galerinë "Ibrahim Kodra" në ambientet e Ministrisë së Kulturës. Në ekspozitë do të prezantohen rreth 25 piktura, në teknikën e akrilikut ku mbizotëron abstraksioni dhe koloriti ekspresiv. Gati në të gjitha pikturat e Adriana Puleshit është derdhur gjendja emocionale në lëvizje, me nota befasuese e ngjyra që flasin për një botë të trazuar, me eksperimente të pikturës së sotme me gjuhën moderne, por që kërkojnë interpretime e shpjegime më të holla profesionale. Sipas mendimeve të specialistëve të fushës, piktura e saj cilësohet e shkollës së Piktorit të Popullit, Sali Shijaku. Adriana e cilëson pikturën si pjesë të familjes, si pjesë organike të shpirtit të saj. Adriana Puleshi është autore e disa ekspozitave të çelura brenda dhe jashtë vendit dhe ajo që ka më tepër rëndësi është fakti që ajo është pëlqyer dhe shijuar, duke i dhënë dinjitet femrës shqiptare në botë me artin e saj të pastër. Punët e saj janë pjesë e koleksioneve private si brenda vendit ashtu edhe në: SHBA, Itali, Zvicër, Turqi, Greqi, Holandë.