Kupa e Shqipërisë rikthehet në fundjavë, Dinamo City nis mbrojtjen e trofeut ndaj Besës

TIRANË, 5 janar /ATSH/ Kupa e Shqipërisë rikthehet këtë fundjavë me zhvillimin e ndeshjeve të radhës, ku në fushë zbresin edhe disa prej skuadrave të Superiores.
Kampionia në fuqi, Dinamo City do të nisë mbrojtjen e trofeut më 10 janar përballë Besës.
Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja, e cila e mbylli vitin 2025 me fitimin e Superkupës së Shqipërisë, ka vendosur që edhe këtë ndeshje ta zhvillojë në stadiumin “Air Albania”.
Në letër përballja me Besën konsiderohet e favorshme për kryeqytetasit, por Kupa shpesh ka treguar se nuk njeh parashikime.
Vëmendja ndaj Kupës është maksimale, teksa klubi blu synon të ruajë trofeun e fituar sezonin e kaluar, duke shtuar më tej numrin e sukseseve në këtë kompeticion, të cilin e ka fituar plot 14 herë në histori.
Përveç sfidës Dinamo City–Besa, fundjava e Kupës së Shqipërisë sjell edhe përballje të tjera interesante, duke nisur me takimin mes Tiranës dhe Skënderbeut. Partizani do të luajë kundër Burrelit, ndërsa Bylisi përballet me Laçin. Këto katër ndeshje do të zhvillohen në orën 13:00, më 10 janar.
Katër takimet e tjera të këtij raundi janë programuar në orën 16:00. Teuta pret në shtëpi Vorën, ndërsa Vllaznia do të luajë në stadiumin “Loro Boriçi” ndaj Pogradecit. Egnatia përballet me Apoloninë në “Arena Egnatia”, ndërkohë që një duel mjaft interesant pritet të zhvillohet në “Elbasan Arena”, mes Elbasanit dhe Flamurtarit.
Kupa e Shqipërisë vazhdon kështu të mbetet një objektiv i rëndësishëm për shumë skuadra, duke premtuar surpriza dhe beteja të forta në fazat që pasojnë.
Kupa e Shqipërisë, raundi 1/8
Tirana – Skënderbeu 10.01.2026 13:00
Partizani – Burreli 10.01.2026 13:00
Bylis – Laçi 10.01.2026 13:00
Dinamo City – Besa 10.01.2026 13:00
Teuta – Vora 10.01.2026 16:00
Vllaznia – Pogradeci 10.01.2026 16:00
Egnatia – Apolonia 10.01.2026 16:00
Elbasani – Flamurtari 10.01.2026 16:00
/gj.m/r.e/a.f/