E Diel, 1 Nëntor 2026

Kupa e Shqipërisë si Superiorja, të mëdhenjtë me formacionin më të mirë

Përfaqësimi në arenën ndërkombëtare kalon nga Kupa e Shqipërisë. Këtë kanë pasur në mendje thuajse të gjithë trajnerët e Kategorisë Superiore, të cilët sot kanë zgjedhur të hedhin në fushë formacionin më të mirë për të tentuar kalimin në çerekfinalet e këtij aktiviteti. Në fakt, thuajse të gjitha sfidat janë interesante dhe mund të sjellin rezultate surprizë, duke filluar nga Shkumbini-Elbasani. Ekipi peqinas ka ambicie të larta në këtë sezon, pasi aktualisht gjendet në vendin e gjashtë në Superiore, ndërsa elbasanasit duan të sigurojnë një trofe dhe Kupa është një objektiv më se i arritshëm. Edhe Flamurtari-Kastrioti është një sfidë e hapur për çdo lloj rezultati. Dy skuadrat gjenden pranë njëra-tjetrës në renditje dhe do të shfrytëzojnë Kupën për të testuar ndryshimet e fundit në formacionet e tyre, pas merkatos së janarit. Një sfidë mjaft e veçantë është edhe ajo mes Skënderbeut dhe Partizanit, dy skuadrave që kanë kontestuar më ashpër gjykimet pas ndeshjeve të fundjavës. Ekipi korçar ka tërhequr kërcënimin për bojkot të aktivitetit, por mendohet që të jetë nga të paktët që do të përdorë formacionin rezervë në Kupën e Shqipërisë. Ndërsa Partizani do t‘u besojë sërish titullarëve, për të mos rrezikuar më shumë në turneun ku ka siguruar edhe trofeun e fundit të rëndësishëm në historinë e tij. Edhe Vllaznia ka një detyrë shumë të vështirë përballë Besëlidhjes, një skuadër që në fushën e saj ka treguar se mund të ndalë edhe ekipet më të forta të Superiores. Besa, fituese në fuqi e trofeut, do të luajë përballë Luftëtarit në turin e dytë të Kupës, por Starova ka mbledhur një pjesë të titullarëve për këtë sfidë, pasi nuk dëshiron të rrezikojë. Të njëjtën gjë do të bëjë edhe Tirana me Laçin apo Teuta me Turbinën, skuadra të cilat pretendojnë ngjitjen në Kategorinë Superiore në edicionin e ardhshëm, ndaj mund të paraqesin shumë vështirësi për ekipet elitare. Një ndeshje mjaft e vështirë parashikohet ajo mes Apolonisë dhe Dinamos, pasi fierakët kanë bërë një skuadër të fortë dhe mund t‘u krijojë vështirësi të mëdha kryesuesve të kampionatit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›