E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarët në mëshirë të tregtarëve

Për ta vërtetuar, mjafton të shkojmë të blejmë një palë këpucë, tani që stina e dimrit po i afrohet fundit dhe kur tregtarët kanë mbushur vitrinat e dyqaneve me ftesa për blerje me çmime të lira, me ulje që variojnë në shifrat, 20, 30, 40%, por ndonjëherë edhe 60 apo 70%. Një palë këpucë apo çizme grash, që në pikun e dimrit kushtonin 7-8 mijë lekë, tani mund të blihen për vetëm 2-3 mijë lekë. Kjo logjikë vlen për të gjitha llojet e veshjeve dimërore, që në raste ekstreme (në ato kur lexojmë shpalljen "Dyqani mbyllet, malli likuidohet") mund të gjenden edhe më lirë. Mos ndoshta tregtarët shqiptarë kanë nisur të bëhen bujarë e të shesin mallrat nën kosto? Aspak. Vetëm se në këto raste marrin vetëm pak për qind të fitimit dhe jo 200-300 për qind, siç janë mësuar gjatë ditëve të bukura. Një celular në tregun shqiptar kushton më shumë se në tregun gjerman, italian apo francez. E njëjta gjë ndodh me aparatet fotografikë, telekamerat, me disa pajisje shtëpiake...

Mund të vazhdojmë gjatë me çuditë e tregtarëve shqiptarë. Ndërsa ulja e çmimeve në periudha festash - gjatë të cilave blerjet shtohen masivisht - është një trend që respektohet nga tregtarët e shitjes me pakicë e me shumicë të së gjithë botës. Por as që ka shans të praktikohet nga shqiptarët. Përkundrazi, jemi të gjithë dëshmitarë se në prag të vitit të ri çmimet marrin kot, sidomos për artikujt ushqimorë. Për normalizimin (relativ) e tyre u fol nëpër të përditshmet shqiptare, vetëm pas gjysmës së parë të janarit. Vërtet që çmimi i karburantit nuk ka se si të mos jetë i lidhur me luhatjet që pëson ky treg në nivel ndërkombëtar, por edhe këtu tregtarët shqiptarë veçohen përsëri. Natyrisht që e ngrenë çmimin e naftës e të benzinës sa herë që ai rritet në tregun ndërkombëtar, por harrojnë të reagojnë në të njëjtën mënyrë, kur çmimi bie jashtë kufijve tanë; ose e ulin shumë kohë, pasi kjo është bërë në tregun ndërkombëtar, ose e harrojnë fare dhe e lënë në pikën më të lartë.

Ndërkohë që problemi bëhet shumë më i mprehtë kur bëhet fjalë jo për mallra që edhe mund të shmangen (për shembull, duke iu drejtuar tregut të veshjeve të përdorura), por për një produkt aq jetik në realitetin ekonomik shqiptar, siç është buka. Rritja e fundit e çmimit të këtij produkti bazë ka vënë në alarm të gjithë opinionin shqiptar. Të gjithë kërkojnë të dinë nëse bëhet fjalë për abuzimin e radhës nga tregtarët shqiptarë, apo nëse duhet të dorëzohen para faktit se rritja është pasojë e ngritjes së çmimeve të drithit në tregun botëror dhe se nuk kanë ç‘bëjnë tjetër veç ta shtrëngojnë rripin edhe më tej. Po t‘u referohemi disa të përditshmeve dhe disa televizioneve shqiptare jemi para abuzimit të radhës nga ana e tregtarëve, të cilët e shesin këtë produkt me marzh fitimi 100%.

Duke analizuar të gjithë komponentët e nevojshëm për të prodhuar bukën, është arritur në konkluzionin se kostoja "fryhet" në mënyrë abuzive, - sqaroi më 9 shkurt kryetari i Këshillit të Agrobiznesit shqiptar, Enver Ferizaj. Po kështu, kemi mësuar gjatë ditëve të fundit se 80% e drithit në Shqipëri importohet nga vetëm tre subjekte, të cilat, duke qenë kaq pak, i kanë të gjitha mundësitë të merren vesh për ruajtur çmime të leverdishme për ta e në dëm të konsumatorit të gjerë. Madje, lidhur me këtë treg është artikuluar gjithnjë e më shpesh ditëve të fundit termi monopol. Vetë Kryeministri Berisha foli për kartel të miellit.

Ndërkohë që një ide disi më të qartë lidhur me faktin në ka apo jo abuzime me çmimin e bukës mund të krijojmë po t‘i referohemi rastit të bukëpjekësve dibranë, të cilët, sipas një shkrimi të publikuar në "Shqip" vendosën bashkërisht të mos e rrisin çmimin. Është me vend të vërehet se mielli në Dibër, për shkak të kostove të transportit është ndjeshëm më i madh se ai që haset në Tiranë, Durrës e gjetkë, e megjithatë, bukëpjekësit e kësaj zone, edhe pse vazhdojnë ta shesin një bukë vetëm 70 lekë, ende fitojnë nga tregtimi. Gazeta "Shqip", në artikullin në fjalë citonte një shitës buke nga Dibra, sipas të cilit, kostoja reale e bukës ka shkuar nga 60, në 65 lekë, duke e bërë fitimin për çdo bukë të shitur vetëm 5 lekë.

Dhe duket se është pikërisht ky problemi i tregtarëve shqiptarë në përgjithësi. Të mësuar me marzhe fitimi 200 për qind, 300 për qind, e ndonjëherë edhe më shumë, refuzojnë të pranojnë se norma mesatare e fitimit në kapitalizëm luhatet nga pesë në dhjetë për qind dhe se ato kompani që fitojnë 15 për qind të arkëtimeve nga shitja e produkteve dhe shërbimeve të tyre janë shumë të rralla. Po t‘i referohemi edhe një tjetër të përditshmeje shqiptare, e njëjta gjë ndodh edhe me çmimin e vajit, që mbërrin nga Argjentina në Portin e Vlorës me kosto 1.46 dollarë për litër, për t‘u shitur në të gjithë vendin me çmimin 270 lekë litrin. Edhe në këtë rast marzhi i fitimit është 100 për qind, shumë i lartë për një produkt shitja e të cilit është krejt e garantuar për shkak të kërkesës konstante.

Qeveritarët shqiptarë, thuajse në të gjitha deklaratat lidhur me rritjen e çmimit të bukës (së fundi edhe të shumë produkteve të tjera), kanë theksuar se duhet të jetë tregu i lirë ai që vendos çmimet e produkteve dhe shërbimeve, të cilat përcaktohen ekskluzivisht nga binomi kërkesë-ofertë. Por a mund të funksionojë ligji ofertë-kërkesë në kastën tregtare shqiptare që nuk po arrin të mësojë pas gjithë këtyre viteve se fitimet nga tregtia nuk mund të jenë 200-300 për qind? Vërtetë shteti duhet ta lerë tregun të rregullohet nga mekanizmat e tij, por është ekskluzivisht detyra e tij që të vërë në funksion mekanizmat e ndalimit të situatave monopol dhe ato të mbrojtjes së konsumatorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›