Olsi Krasniqi luan regbi për Anglinë
Regbi është një ndër sportet më të vjetër në kontinent dhe gëzon popullaritet në shumë vende të botës. Edhe pse është shumë pak i njohur në vendin tonë (ky sport nuk është praktikuar asnjëherë), tashmë edhe Shqipëria mund të krenohet se ka një sportist të sajin në këtë disiplinë. Bëhet fjalë për 15-vjeçarin Olsi Krasniqi, një djalosh shumë të talentuar, që brenda një kohe shumë të shkurtër ka arritur të firmosë kontratë profesioniste dhe të bëhet pjesë e përfaqësueses angleze U-16. Në fund të tetorit 2007, Krasniqi kishte marrë pjesë në grumbullimin e Kombëtares së moshave britanike në regbi dhe me paraqitjen e tij arriti të siguronte një vend në skuadrën me 19 lojtarë, e cila do të përgatitet për ndeshjen kundër Francës pas festës së Pashkëve.
Djaloshi është formuar si sportist në kolegjin "Feltham Community", që gëzon një rekord të shkëlqyer në "prodhimin" e talenteve. Përveç përfshirjes në Kombëtaren U-16, të martën, ai ka nënshkruar edhe kontratë profesioniste me ekipin Harlekuins Regbi Ligë Ugby League. Lajmin e ka bërë të ditur sajti zyrtar elektronik i klubit londinez. "Jemi të lumtur t‘ju njoftojmë se kemi nënshkruar kontratë me të riun Olsi Krasniqi, i cili së fundi është ftuar nga përfaqësuesja U-16 e Anglisë", thuhet në njoftimin e klubit. "Sportisti shqiptar, së bashku me Darren Red, tjetër talent i afruar në skuadër, ka firmosur kontrata 3-vjeçare". Sipas faqes zyrtare të klubit, fillimisht Krasniqi do të aktivizohet me ekipin U-16 të Harlequins, ndërkohë që do të jetë nën vëzhgim të vazhdueshëm për t‘u bërë pjesë e skuadrës U-18.
Menaxheri i Harlekuins Regbi Ligë për paraqitjen e lojtarëve, Fil Xhons, është dukur shumë i kënaqur me afrimin e të riut shqiptar. "Është diçka shumë e mirë që klubi është duke menduar për sportistët e rinj. Kemi zbuluar dhe afruar në skuadër një lojtar që premton shumë. Jam i sigurt se ai, por edhe të rinjtë e tjerë që kemi në skuadër, do të tërheqin vëmendjen e rivalëve tanë në Super Ligën e Regbit", tha Xhons. Ai beson se Krasniqi ka një talent të jashtëzakonshëm, edhe pse detyra e tij në fushë nuk është nga më të lehtat. "Olsi kënaqet duke luajtur në një pozitë jo shumë të preferuar nga të rinjtë e tjerë, në rolin e mbrojtësit, ku gjithmonë ka dyluftime. Ai zotëron një teknikë të ashpër në ndërhyrje, duke dominuar përplasjet me kundërshtarët", theksoi menaxheri i Harlekuins Regbi Ligë. Xhons nuk është munduar të fshehë as kënaqësinë e tij, që 15-vjeçari shqiptar është bërë ftesë e përfaqësueses angleze të moshave. "Më bëhet qejfi si për Krasniqin, ashtu edhe për Red, pasi ata janë shumë të përkushtuar në këtë sport dhe dëshirojnë që të jenë të suksesshëm me çdo kusht në Ligën e Regbit". Përpara se të nënshkruante kontratë profesioniste, Krasniqi ishte pjesë e shkollës së Harlekuins Regbi Ligë, ndërsa më parë ka luajtur edhe për Uest London Sharks.