E Diel, 1 Nëntor 2026

MTKRS-FSHF, brenda javës firma e ministrit në statut

MTKRS po bëhet gati që brenda kësaj jave të firmosë statutin e ri të FSHF-së, sipas udhëzimeve të dhëna nga FIFA dhe UEFA. Lajmi është konfirmuar dje nga zëdhënësja për shtyp e MTKRS-së, Irena Prici, e cila ka pranuar se ministri Pango do të hidhte firmën e tij mbi dokumentin që qëndron në zyrat e këtij institucioni që prej verës së vitit të kaluar. "Ministri Pango do të firmosë brenda kësaj jave statutin e FSHF-së, ndërsa më pas do ta dërgojë atë menjëherë në gjykatë që të regjistrohen ndryshimet e bëra. Ndërkohë, auditimi në FSHF do të vazhdojë, ndërsa do të ketë si tematikë vetëm fondet shtetërore dhe jo ato ndërkombëtare", u shpreh Prici. Nga ana e saj, FSHF është ende në pritje të shkresës zyrtare të firmosje së statutit dhe të ndryshimit të objektit të kontrollit financiar në këtë institucion. Zyra e shtypit ka konfirmuar se institucioni i futbollit është i hapur ndaj këtyre kontrolleve për sa kohë që ata nuk shkelin autonominë e FSHF-së, sipas kritereve të përcaktuara qartë nga rregullorja e FIFA-s dhe UEFA-s.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›