Shtepite-shtet
1.
Lajmi i shtrenjtimit të bukës u përcoll nga mediat dhe nga politika e të gjitha krahëve dhe qoshkeve, thuajse me tone biblike. Shumëkujt mbase i erdhi ndër mend edhe proza e famshme e Migjenit: "Legjenda e misrit". U dhanë shpjegime, u fotografuan dyqane, u intervistuan njerëz të ndryshëm që përcillnin të njëjtin shqetësim: atë të shtrenjtimit të bukës. Kryeministri, pas kthimit nga Japonia, u shpreh me vendosmërinë që e karakterizon se do të merren të gjitha masat dhe do të ndëshkohen ashpër të gjithë spekulantët e kartelit të miellit. Paçka se vetëm para nisjes pati deklaruar se qeveria nuk mund të bënte asgjë, pasi ishte tregu i lirë që i vendoste çmimet. E, ashtu siç e kemi zakon ne që rrojmë në këtë yrt të shkretë të Ilirisë, u përgojuan tregtarët thuajse me intonacionet e do viteve të shkuara, kur konsideroheshin "gjakpirës" të popullit të varfër, u hodhën e pritën edhe akuzat politike sipas ritualit tashmë të pandryshuar, pavarësisht "klimës së re".
Dhe, pa u sqaruar ende mirë se sa dhe si ishte rritur ky çmim, pa u sqaruar mirë se cilët ishin faktorët përcaktues të kësaj rritjeje, nëpër ekrane u përcoll edhe "zbulimi" shqiptar i radhës: shtëpiaket e urta shqiptare filluan ta bëjnë bukën vetë, në vatrat e tyre duke i thënë "plaç" tregut. Kjo ndodhi edhe në Sarandë, edhe në Peshkopi, ndërsa në zonën fshatare, kjo traditë ka vite që vazhdon, sigurisht e ndihmuar edhe nga fakti se shumë prej këtyre familjeve pak ose aspak janë pagues të energjisë elektrike.
2.
Këtu e ca muaj më parë, me rastin e krizës së energjisë elektrike që përsëritet si në një film të keq ka tash shtatëmbëdhjetë vjet, nëpër ekrane u shfaqën "novatorët" e kohës së tranzicionit: vetëprodhuesit e energjisë. Si ca Aleksandro Volta (paçka se me 200 e ca vjet vonesë) ata rropateshin rrëpirave të përrenjve të vrullshëm, kolibeve të harruara të mullinjve me ujë, plevicave, skërkave të thepisura, pyjeve e rrëzomave të pabesa. Zbulonin ca dinamo të mbuluara nga myku dhe harresa. Hapnin tekstet e fizikës, me të cilët mësonin tashmë fëmijët e mbase nipërit e tyre dhe rifreskonin dijet. Lartësi për shpejtësi. Masë me forcën tërheqëse të tokës… Ah, Ajnshtajn! Ah, Xhejms Vat, Tomas Edison… Dhe sikundër dëshmojnë edhe kronikat, ia dilnin me sukses. Në periferi të Krujës, në Kukës ose Bicaj, në Librazhdin e thellë… Një dinamo. Presioni ujit mbi të. Dy tela dhe ja: llamba elektrike u ndez. Gëzimi i pafajshëm i fëmijëve pastaj.
Madje, në situata të tilla lulëzojnë edhe hamendësohen projekte "kombëtare". Sikur të gjitha shtëpitë të bënin të njëjtën gjë: ta prodhonin vetë energjinë elektrike. Leverdia është e gjithanshme. Atëherë edhe Bojaxhiu i shkretë s‘do të detyrohet të bredhë nga njëri cep i Shqipërisë në tjetrin me pinca në dorë. Edhe opozita s‘do të vihet në shtrëngimin e "padurueshëm" të sharrave. Edhe muret e pallateve e të avllive do të mos shkarraviten me parulla antiqeveri… Lulëzojnë në këto raste madje edhe fantazi të denja për penën e më marrokut të çatrafillosur të shkrimtarëve. Flitet për tubime të komanduara resh mbi basenet ujëmbajtës, për një perpetum makinë që e rikthen ujin e harxhuar sërish në basen…
3.
Dhe kështu lindin SHTËPITË-SHTET.
Në historinë e njerëzimit janë të njohura forma të ndryshme të organizimit. Ka pasur në këtë traditë qytete shtet, ka pasur dukate, principata, feude, mbretëri. Ka pasur perandori, federata dhe konfederata, madje ka së fundi edhe organizime ku e ku më të mëdha, siç janë BE apo NATO, ndërsa këtu po lind një formë e re e organizmit: po lindin SHTËPITË-SHTET. Vini re: ato kanë avllitë e veta që imitojnë në mjerimin e tyre muret rrethues të kështjellave, kanë një, dy apo tre lopë. Ndoshta edhe ca kokë dhen a dhi. Për pasojë, kanë edhe dy apo tre viça. Ndoshta edhe ndoca krerë qengja apo keca. Kanë qenin rojë, që i hakërrehet çdo njeriu që nuk i përket "fisit". Kanë drutë e veta të zjarrit që përgjithësisht "i bëjnë" vetë në malin përbri, pa ua ndjerë nëse ekziston apo jo një Xhuvel e një Gjanë. Kanë tundësin me të cilin "prodhojnë" gjalpë, dhallë, hirrë, si një miniaturë të fabrikës së bulmetit. Kanë një djalë që di të bëjë mur, të suvatojë dhe të të ngrejë kulmin e shtëpisë, ku nuk do të mungojë një majmun prej lecke dhe flamuri kombëtar, sigurisht. Kanë një djalë në emigracion që heq nga goja dhe u dërgon "evrotë" e pakta për të blerë sapunin apo orizin dhe hekurishtet, që nuk i prodhojnë dot vetë. Kanë një automatik diku të fshehur, si pararendje në miniaturë të armatës së pritshme kombëtare që të mbron nga sulmet e pabesa të fqinjës rivale SHTËPI-SHTET. Kanë një grua që merr vesh nga lindjet dhe një tjetër që me plumb të shkrirë apo me një nuskë, ta heq dhimbjen e bezdisshme të kokës, ku e ku më shpejt se sa doktori, i cili ka mote që nuk shkel në këto anë. Kanë një djalë, në rastin më të keq, një kushëri, që di të rregullojë makina dhe traktorë, por edhe celularët di t‘i zhbllokojë gjithashtu, qofshin edhe iPhon të fundit. Ky i fundit si normë është edhe Aleksandro Volta, që mbi mullirin e vjetër ngriti centralin. Ka në njërën nga dhomat një vegël me të cilën prodhohen qilima, udhëza, gobelina të munguara si një pararendje e kombinateve të tekstileve që nuk punojnë … Ka… e ç‘nuk ka në këto shtëpi! Dhe mbi të gjitha ka një televizor, që është melhemi i domosdoshëm në kotësinë dimërore.
E, ja tani kanë edhe hidrocentralin e vet, edhe furrën që pjek bukë… shkurt e qartë gjithçka i nevojitet një shteti të vërtetë dhe suficent. Sepse janë shtëpitë shtet, për të cilat shteti deklaron se nuk ka ndërmend të merret me to, i zënë pale me ç‘probleme që u kalojnë përbri njerëzve, pa i prekur fare ata dhe interesat e tyre.
4.
Dhe kjo braktisje e njerëzve ndodh në emër të respektimit të të ashtuquajturës ekonomi e tregut të lirë. Ndërkaq, pikërisht me ndihmën e hidrocentralit të shtëpisë, përmes ekraneve njerëzit mësojnë se në kryekështjellën e tregut të lirë, pra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kongresi sapo ka miratuar propozimin e Presidentit Bush që do të "injektojë" në ekonominë e vendit plot 145 miliardë dollarë për të zbutur krizën. Në shtetet fqinj kanë marrë vendime të drejtpërdrejta, pikërisht në kushtet kur çmimi i grurit në tregjet ndërkombëtare ka pësuar rritje të paparashikuara… Ndërkaq, djali emigrant, që vjen kohë më kohë nga vendi "kapitalist" ku punon shumë e jeton pak, rrëfen mbrëmjeve se këto shtete "kapitaliste", japin para për çdo qengj, për çdo lepur dhe të ofrojnë gjysmën e parave nëse investon në fusha që qeveria i konsideron prioritare për përparimin e shoqërisë e të shtetit.
E, këtej nga ne lindin e forcohen përditë shtëpitë-shtet.