Ringjallet një mit
Kush ka ndjekur "Top Show"-n mbrëmjen e së enjtes, por varësisht nga tipi, formimi, ndjeshmëria e formimi kulturor në veçanti, nuk ka se si të mos jetë befasuar nga zbulimi që u bë atë mesnatë. Zbulim në kuptimin arkivor të fjalës. Më saktësisht, për nxjerrjen nga sarkofagu i harresës (çelësat më të shumtë të këtij sarkofagu ngjajnë se janë më së shumti komunistoidë, se nuk ka shpjegim tjetër) të një prej emrave më të mëdhenj të artit skenik shqiptar, Lluk Kaçajt. Spartak Ngjela, mik me të edhe në burg, e quajti "potencë të kulturës shqiptare". Madje, në qasjen e tij ndaj kësaj figure të madhe, Ngjela diku e tha troç e diku e la të kuptuar se Lluk Kaçaj ishte ndër ata personalitete që u ndëshkua nga ish-regjimi i Hoxhës, pikërisht për t`iu ndalur rruga që të bëhej figurë botërore, ashtu si miku dhe bashkëkohësi i tij, bullgari Nikolai Georov, i cili përfundoi në "La Skala". Dhe të mendosh se Lluk Kaçaj bëri një ndër gjestet më atdhetare në emër të vendit të tij: refuzoi ofertat e Perëndimit e të vetë rusëve, duke u kthyer në Shqipëri pas studimeve, me qëllimin e vetëm që gjenialitetin e tij t`ia jepte kulturës së atdheut.
Spartak Ngjela, që ishte një ndër të ftuarit e mbrëmjes, tha se masën më të madhe të formimit të tij kulturor e kishte marrë pikërisht nga Lluk Kaçaj. Po cili ishte shkodrani i madh i skenës?
Lindi në Ball-Kastrat të Malësisë së Madhe, më 1924, në një familje fisnikësh. Formimin muzikor fillestar e më pas profesional e mori në shkollën françeskane të Shkodrës, ku mësoi t‘i binte pianos e violinës, ndërkohë që mësime mori edhe nga At Gjergj Fishta. Por paralel ai edhe do këndonte. Dhe me këtë talent, zell e dell, do arrinte majat. Si instrumentist ai punoi në filarmoninë e shtetit në vitet 1946-1947, duke qenë dhe violinë e parë e orkestrës së radios. Por në vitet ‘50-të ai do të nisej drejt Moskës për studime, së bashku me një radhë emrash të mëdhenj të artit shqiptar. Ndër to ishte dhe muzikologia e njohur Hamide Stringa, e cila, e ftuar në mbrëmjen kushtuar Lluk Kaçajt në "Top Show", tregoi aspekte të rralla nga jeta studentore e tij, sidomos kur profesorët e mëdhenj rusë ballafaqoheshin me fenomenin "Kaçaj" në të kënduar, me zërin e tij, regjistrin, intonimin absolut. "Dy oktavë duheshin për një këngëtar normal. Luka kishte tre oktavë. E niste interpretimin si një bariton i plotë dhe e përfundonte si një tenor brumanik", tha profesoreshë Hamide Stringa. Më tej, zonja e njohur e muzikës dhe artit klasik shqiptar zbërtheu interpretimin e Lluk Kaçajt te filmi "Skënderbeu", një sekuencë e të cilit u shfaq në "Top Show". Ajo tha se ai interpretim ishte bërë pa orkestër dhe me një intonim absolut, një rast i rrallë ky në botën e muzikës. Për aspekte profesionale të Kaçajt foli dhe ish-miku i tij e pedagogu i Fakultetit të Kantos në Akademinë e Arteve, Buhran Spahiu, e po ashtu ish-nxënësja e tij, interpretuesja e njohur lirike, Suzana Turku, sot zv/ministre e Kulturës, si dhe kompozitori i njohur shkodran, ish-mik i afërt i Lluk Kaçajt, Zef Çoba. Ndërsa nga biografia i tij u mësua dhe një fakt i rrallë: që Lluk Kaçajt ishte i shuguruar si prift, duke pasur dhe një emër tjetër. Quhej ndryshe si Frat Severini, por kuptohet, kjo vetëm në rrethet e ngushta fetare.
Në emision ishte i ftuar dhe i nipi, Salvador Kaçaj, një ish-futbollist i njohur dhe figurë e sportit shqiptar. Ai tha se zëri e kualiteti i të kënduarit tek ish-xhaxhai i tij ishte talent i dhuruar nga Zoti. Kaçaj tha se nuk kishte ndonjë trashëgimi në atë mes. Vetë ai pranoi se nuk ia thoshte aq këngës. Por Salvador Kaçaj përcolli falënderime për stafin e "Top Show"-ut, që realizoi një emision kushtuar Lluk Kaçajt, duke e nxjerrë nga harresa, në fakt, një harresë e dyshimtë për nga e pazakonta, që e ka shoqëruar gjatë këtyre viteve, përveç një dokumentari të realizuar nga TVSH-ja, ndonëse i ndjeri ndërroi jetë pak vite më parë. Duke iu kthyer biografisë së tij, Lluk Kaçaj kthehet në atdhe pas studimeve në Moskë, duke refuzuar shumë oferta të ardhura nga skena botërore. Pas shumë roleve në opera, më 1961 ai shpallet "Artist i Merituar". Por më 1968 pushohet nga Teatri i Operës dhe Baletit për arsye biografike (mori për grua Ana Jakovën, nga një familje e ashtuquajtur kulakësh) dhe i lejohej të jepte vetëm mësim në Akademinë e Arteve. Më 1973 vjen një tjetër goditje e rëndë për të: arrestohet në sy të studentëve dhe kolegëve, duke u dënuar me 5 vite burg. Lirohet më 1978, duke përfunduar si punëtor hamall ngarkim-shkarkimi. Më 1985 i vdes e shoqja, ikjen e së cilës e vuan shumë. Ndërsa vetë ndërron jetë më 7 shtator të 2001-shit. Duke qëndruar te persekutimi i tij, Spartak Ngjela tha se ish-regjimi, ose më saktë vetë Enver Hoxha, nuk deshi që ai të këndonte më. "Jo se ish-diktatori kuptonte gjë nga madhështia e tij si artist, por vetëm me instinktin që i shoqëron regjimet diktatoriale e nuhaste rrezikun që mund t‘i vinte nga figura të tilla të mëdha", tha Ngjela, duke bërë një qasje krahasuese me Nolin, që sipas tij, ngaqë ishte larg, regjimi nuk kishte çfarë t‘i bënte.
Nga ato që u thanë mbrëmjen e së enjtes në "Top Show" lidhur me figurën e Lluk Kaçajt, u kuptua se sa të mangëta kishin qenë kultura dhe arti shqiptar deri atë natë.