E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizat, kërcënohet tregtia me Kosovën

Njoftimi i qeverisë maqedonase,
se do të vendosë një regjim
të ri vizash me Shqipërinë,
nuk do të prekë vetëm marrëdhëniet
ekonomike dypalëshe mes Shqipërisë
dhe Maqedonisë. Ekspertët paralajmërojnë
se vendosja e vizave nga
pala maqedonase, nëse do të ndodhë,
do ta vështirësojë lëvizjen e mallrave
mes Shqipërisë dhe Kosovës,
duke izoluar tregun kosovar në një
moment mjaft delikat, kur Serbia ka
kërcënuar me embargo ekonomike.
Ilir Ciko, ish-zëvendësministër i Ekonomisë
dhe Tregtisë, thotë se kostot
e kësaj mase do të jenë të mëdha
për Shqipërinë. "Sot rrugët që lidhin
Shqipërinë me Kosovën janë të kufizuara.
"Rruga e Kukësit, në pjesën më
të madhe të dimrit, është e bllokuar.
Kështu që një pjesë e mirë e eksporteve
tona drejt Kosovës shkojnë përmes
Maqedonisë, çka do të thotë se në këtë
pikë shkëmbimet e Shqipërisë me
Kosovën do të dëmtohen. Kjo do të
prekë si eksportet, ashtu edhe importet",
thotë Ciko. Rruga Durrës -Qafë-
Thanë, pjesë e Korridorit të 8, është një
aks mjaft i rëndësishëm dhe strategjik
jo vetëm për Shqipërinë, por edhe më
gjerë. Madje, edhe vetë Maqedonia
kishte interesa te ky korridor, pasi
kështu fqinji ynë lindor do të kishte
akses në det përmes Portit të Durrësit.
Kjo masë kufizuese do të reduktonte
ndjeshëm rolin e këtij aksi strategjik,
i cili konsiderohet si një prioritet për
rajonin tonë.
Kostot për Shqipërinë
Por ajo që mund ta paguajë këtë
pengesë burokratike shumë më
shtrenjtë nga ç‘mendohej, është
Shqipëria, pasi masa kufizuese nuk
do të prekë vetëm lëvizjet e mallrave
në trekëndëshin Shqipëri, Kosovë,
Maqedoni. Në pikën doganore të
Qafë-Thanës, kalojnë tranzit pjesa
dërrmuese e importeve që vendi ynë
merr nga rajoni. "Tregtia me Maqedoninë
përbën vetëm një të pestën e
shkëmbimeve tregtare, që Shqipëria
kryen përmes pikës doganore të
Qafë-Thanës. Nëse shkëmbimet tona
tregtare me Maqedoninë llogariten
në rreth 70 milionë euro, importet
që ne marrim nga kjo pikë janë mbi
300-400 milionë euro në vit, prandaj
ky regjim vizash mund të krijojë
probleme të mëdha për shkëmbimet
tregtare të Shqipërisë me vende
të tilla siç është Bullgaria apo edhe
Turqia", vazhdon Ciko. Sipas Cikos,
një vendosje e mundshme e akcizave
do ta dëmtonte rëndë ekonominë
shqiptare, duke sjellë kosto shtesë
për këtë ekonomi.
Vizat
Aktualisht nuk dihet nëse kjo masë
kufizuese do të aplikohet në fillim të
shkurtit. Tirana zyrtare thotë se nuk
ka asnjë njoftim nëse kjo masë do
të bëhet zyrtare. Ndërkohë, zyrtarë
maqedonas kanë pohuar se pritet të
gjendet një zgjidhje e ndërmjetme
mes vendimit të tyre për shtrëngimin
e regjimit të vizave në kufi me vende si
Kosova e Shqipëria dhe marrëveshjes
dhjetëvjeçare për liberalizimin e vizave
mes Tiranës e Shkupit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›