Biokarburantet, projekti në dyshim
Përdorimi masiv i bimëve për prodhimin e biokarburanteve
duket se nuk ofron zgjidhjen e
pritur për pakësimin e emetimit të gazrave, duke
vënë kështu në dyshim projektin e mbështetur
fort nga Bashkimi Evropian. Vetë BE-ja ka pranuar
përmes zyrtarëve të saj se nuk ka arritur t‘i parashikojë
problemet që mund të dilnin nga zbatimi i një
politike për nxitjen e përdorimit të karburanteve
me origjinë bimore. Vitin e kaluar, Bashkimi Evropian
nënshkroi një marrëveshje për shtimin me 10
për qind të përdorimit të biokarburanteve deri në
vitin 2020. Marrëveshja synonte të sillte ndikim në
çështjen e ndryshimeve klimatike përmes uljes së
emetimit të gazit karbonik. Megjithatë, që prej asaj
kohe, ka pasur njoftime se disa biokarburante nuk
ndikojnë fare në uljen e emetimeve të gazit karbonik,
ndërsa prodhimi i disa të tjerëve shoqërohet
me pasoja në shpyllëzim ose me rritjen e çmimit
të artikujve ushqimorë. Vitin e kaluar, njëri nga
shkaqet kryesore që solli kërcimin e çmimit të
drithërave, përveç thatësirës së tejzgjatur, ishte
edhe ulja e importeve nga Brazili. Ky vend, një nga
eksportuesit më të mëdhenj në botë, po e orienton
një pjesë të mirë të prodhimit të drithërave drejt
prodhimit të karburanteve. Në fakt duket se kostot
e prodhimit të karburanteve me origjinë bimore
duket se janë më të mëdha sesa përfitimet që kjo
sjell. Duke e pohuar ekzistencën e këtij problemi,
komisioneri i Bashkimit Evropian për Çështjet e
Mjedisit, Stavros Dimas, tha se BE-ja do të nxjerrë
udhëzime të reja për të siguruar realizimin e
objektivave, duke përdorur vetëm ato që ai i quajti
"biokarburante të qëndrueshme".