E Hënë, 2 Nëntor 2026

Laç, tritol makinës së pronarit të një zdrukthëtarie

Një sasi tritoli është vendosur në një makinë, duke e shkatërruar tërësisht, por fatmirësisht nuk është lënduar njeri. Ngjarja ka ndodhur mesnatën e djeshme në Laç, ndërsa autovetura tip "Benz" ishte në pronësi të Nikollë Lleshit. Në momentin e shpërthimit, makina ka qenë e parkuar ngjitur me ballkonin e apartamentit ku ai jetonte. Makina është shkatërruar pothuajse plotësisht, ndërsa shpërthimi ka tronditur komplet lagjen dy të qytetit të Laçit, duke terrorizuar banorët përreth. Ndërsa pallati ku ndodhet edhe apartamenti i Lleshit, ka pësuar të çara, si dhe dritaret e banesave të shtëpive të banimit janë thyer. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarje, por pa mundur të identifikojë autorët e vënies së eksplozivit. Burime zyrtare të policisë së Kurbinit bënë të ditur se shpërthimi ka ndodhur rreth orës 12.15 minuta. Ndërsa në rrugë nuk ka pasur lëvizje, persona ende të paidentifikuar kanë përfituar nga boshatisja e rrugës dhe kanë vendosur eksplozivin poshtë autoveturës. Burime të policisë bëjnë të ditur se për hedhjen në erë të autoveturës së Nikollë Lleshit është përdorur 400 gramë tritol. Ndërsa deri tani nuk është bërë e mundur identifikimi i autorëve të vendosjes së tritolit. Lleshi ka në pronësi një zdrukthëtari dhe mendohet se eksplozivi i është vendosur nga ndonjë konkurrent. Ndërkohë, edhe para dy vitesh persona ende të paidentifikuar i kanë vënë zjarrin magazinës së zdrukthëtarisë ku punonte, ndërsa deri tani nuk është bërë e mundur identifikimi dhe gjetja e autorëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›