E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, pranga sekserit që nxori patentë për Alonson

Pas më shumë se dy muajsh pritjeje, policia e Fierit arrestoi Vladimir Nebian, lidhur me skandalin e nxjerrjes së patentës false për një nga yjet e Formula 1, Fernando Alonsos. Skandali i denoncuar në emisionin "Fiks Fare" bënte fjalë për një dëshmi të drejtimit të automjetit, të lëshuar nga Drejtoria e Shfrytëzimit të Automjeteve në Fier, ndërkohë që edhe sekseri i shfaqur në filmimet e fshehta, i cili mori shumën e lekëve për patentën e Alonsos, ishte nga Fieri. Menjëherë pas shfaqjes së këtij skandali, agjentët e sektorit të luftës kundër krimit ekonomiko-financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier kanë nisur sigurimin e dëshmive, ndërkohë që kanë pritur sigurimin e provave filmike, si dhe materiale nga drejtuesit e emisionit. Në nëntor, kur dhe në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë u denoncua ky fakt nga drejtuesit e emisionit televiziv, kanë nisur zyrtarisht hetimet. Agjentët e krimit ekonomiko-financiar në Fier kanë shoqëruar nën pranga në Komisariatin e Policisë sekserin e patentës dhe pak orë më vonë e kanë dërguar atë drejt dhomave të paraburgimit. Sipas burimeve zyrtare të antikrimit ekonomik në Drejtorinë e Qarkut të Fierit, mësohet se Vladimir Nebia është prangosur rreth mesditës së djeshme. "Ai është marrë për të dëshmuar në nëntor të vitit të shkuar, ndërkohë që ka siguruar provat e mjaftueshme për të kërkuar nga prokuroria urdhërarrestet ndaj tij, urdhër i cili është ekzekutuar pasditen e djeshme. Vladimir Nebia nuk ka dashur të flasë me detaje lidhur me skandalin, ndërsa nuk ka hedhur poshtë provën më të pakundërshtueshme, filmimin e tij, ndërsa premtonte patentë pa iu nënshtruar të gjitha procedurave ligjore. Burimet zyrtare të seksionit të krimit ekonomiko-financiar deklarojnë se nën hetimin e këtij seksioni janë edhe drejtues dhe ish-drejtues të DSHA-së Fier. Pikërisht në këtë institucion janë bllokuar regjistrat e arkivave, si dhe të numrave të patentave të dala gjatë kohës që përkon me nxjerrjen e patentës me foton e Fernando Alonsos. Nën hetimin e krimit ekonomik në Fier do të jetë edhe gazetari i emisionit "Fiks Fare", i cili ka aplikuar për marrjen e patentës në atë formë. Konfirmohet zyrtarisht se materialet filmike dhe patentat e nxjerra do të jenë objekt jo vetëm ku do të mbështetet hetimi, por edhe provat e sigurta ku do të bazohet marrja e vendimit për të dënuar autorët e këtij skandali. Nën hetimet e policisë së Fierit janë të gjitha autoshkollat që operojnë jo vetëm në rrethin e Fierit, por edhe në dy rrethet e tjera të qarkut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›