Lëkundje historike në bursën e Nju Jorkut, frikë për çmimet
Plani i qeverisë amerikane për të investuar 700 miliardë dollarë, për rikuperimit e tregut financiar, ka qenë një nga faktorët kryesorë që ‘çmendi’ për një ditë bursën e Nju Jorkut. Çmimi naftës ka shënuar rritjen më të madhe historike dhe ristabilizimin brenda një dite të vetme. Të martën çmimi i naftës kapi shifrën 107 dollarë për fuçi në Nju Jork, ndërsa tregtarët morën përfitimet e tyre një ditë pas tmerrimit nga rikthimi i çmimeve katastrofike të naftës, që dobësuan pak muaj më parë ekonominë amerikane. Në korrik nafta arriti kulmin me 149 dollarë për fuçi. Të hënën çmimi i naftës kapërceu në mënyrë të papritur 16 për qind më shumë se 107 dollarë për fuçi, duke shënuar një rritje rekord brenda ditës, që nuk mbahej mend në bursa që nga viti 1984 kur nafta nisi të tregtohej në Tregun e Shkëmbimeve të Nju Jorkut. Lëkundjet e vlerës së dollarit ngritën çmimet ndërsa investuesit që kishin blerë mallin, si pengesë kundër inflacionit i shitën kontratat e tyre; dollari zbriti në vlerë të hënën duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në ngritjen me 16 për qind të çmimit të naftës brenda ditës. Edhe pse dje situata u stabilizua, ekspertët e bursës njoftuan se i tremben vërshimit të një vale tjetër të rritjes së çmimit të naftës. Ata thanë se tendosja e furnizimit global, dobësimi i dollarit dhe nervozizmi, që ka shkaktuar plani i shpëtimit financiar të qeverisë amerikane me një shumë prej 700 miliardë dollarësh mund të nxisin investuesit e paduruar të ndryshojnë financimin e paanshëm duke provokuar shpërthimin e kapitalit tek artikuj si nafta, duke i çuar potencialisht çmimet drejt niveleve rekord dhe duke rikthyer panikun e konsumatorit.