E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis debati për Kosovën,sot votohet kërkesa serbe

 

Në OKB ka nisur debati për çështjen e Kosovës, për të mbështetur apo jo kërkesën e Serbisë. Presidenti serb, Boris Tadiç i është adresuar dje vendeve anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, të mbledhura për sesionin e 63-të, të mbështesin kërkesën e vendit të tij për të kërkuar opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Presidenti Tadiç, tha se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës në shkurt përfaqëson një sfidë për të gjithë sistemin e Kombeve të Bashkuara. Ai tha se kjo do të thotë, që vendet anëtare të OKB-së mund të copëzohen kundër dëshirës së tyre. Tadiç kujtoi se Serbia ka hequr dorë nga përdorimi i forcës në Kosovë, për të cilën deklaron ende se është provincë e saj. Adresimi i Tadiç në OKB vjen një ditë para se Asambleja e Përgjithshme të votojë, nëse do ta mbështesë apo jo kërkesën e Serbisë për të çuar çështjen e Kosovës në Hagë. Beogradi ka deklaruar se do të pajtohet me vendimin e gjykatës së Hagës. Por nënteksti i Tadiçit ishte se Haga duhet të qëndrojë nga ana e Beogradit, se deklarata e pavarësisë ka shkelur integritetin territorial të Serbisë dhe sovranitetin e saj. “Ne besojmë se dërgimi i çështjes së Kosovës në Hagë do të parandalojë krizën për precedentë më të thellë problematikë me ambicie separatiste”, tha Tadiç, i cili paralajmëroi se “Nëse asambleja voton kundër draft-rezolutës ajo do të ketë mohuar të drejtën e çdo vendi, tani dhe në të ardhmen për të kërkuar rekurs juridik, nëpërmjet sistemit të OKB-së”. Ai tha se: “Vota kundër Serbisë do të thotë “fundi i sistemit të OKB-së, siç e njohim ne”. Sot 192 vendet e Asamblesë së Përgjithshme do të votojnë për kërkesën e Tadiçit. Liderët e Kosovës nuk kanë shprehur shqetësim për këtë votim. Sipas presidentit Sejdiu, shpallja e pavarësisë  së Kosovës është bërë në përputhje me ligjet ndërkombëtare dhe bashkëpunimin e plotë të ndërkombëtarëve të përfshirë në këtë proces.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›