E Diel, 1 Nëntor 2026

Lezhë, rikthehen aksidentet, një i vdekur tre të plagosur

Rikthehen aksidentet në superstradën Lezhë-Shkodër. Bilanci i aksidentit të djeshëm ka qenë një i vdekur dhe tre të plagosur gjatë në përplasjeje në këtë rrugë. Ndërsa një përplasje makinash në Fier ka sjellë 5 të plagosur.

Aksidenti me pasojë vdekjeje ka ndodhur dje në autostradën e Lezhës kur dy makina, njëra me targa TR 7770 A dhe tjetra me targa LE 6176 A janë përplasur me njëra-tjetrën duke shkaktuar kështu vdekjen e 45-vjeçarit Artan Ceka. Nga kjo ngjarje kanë mbetur të plagosur Flora Nderca, Sajmir Keci dhe Zef Simoni. Mësohet se Flora Ndreca është në gjendje të rëndë për jetën dhe se është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak ku po merr mjekim intensiv për shpëtimin e jetës. Sipas policisë e cila po heton aksidentin, shkak për përplasjen e dy mjeteve ka qenë shpejtësia e madhe. Një tjetër aksident është shënuar në Fier. Përplasja e mjeteve është regjistruar në vendin e quajtur pranë lokal "Liqeni", në qafën e Koshovisës, në aksin rrugor kombëtar Fier- Vlorë. Dy automjete përkatësisht tip "Benz" me targa FR 6371C, dhe një automjet tip "Ford" furgon, me targa FR 6739 C janë përplasur me njëri- tjetrin. Përplasja ka qenë e fortë. Autovetura "Benz Mercedez" është shkatërruar në pjesën e përparme të saj dhe po kështu edhe mjeti furgon. Brenda autoveturës ndodheshin pesë persona së bashku me drejtuesin e automjetit. Ndërsa në mjetin "Ford" ndodhej vetëm drejtuesi i automjetit. Katër të plagosur, drejtuesi i autoveturës dhe tre pasagjerët kanë marrë dhe plagë më të rënda. Ndërkohë që i plagosur ka mbetur dhe drejtuesi i "Ford"-it, por në gjendje më të lehtë. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka bërë dhe shoqërimin e të plagosurve në drejtim të spitalit të Fierit. Bluzat e bardha kanë konfirmuar se gjendja e të plagosurve është jashtë rrezikut për jetën, por ata kanë marrë plagë dhe fraktura. Të gjithë kanë qenë nga periferia e qytetit dhe ndodhen ende në spitalin e Fierit, ku janë nën kujdesin mjekësor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›