Deti i egërsuar "Santa Maria" vonon ankorimin në port
Ndryshimi i menjëhershëm i kushteve atmosferike ka shkaktuar probleme në Portin detar të Durrësit. Përpunimi i anijeve tregtare është pezulluar deri në përmirësim të motit, ndërsa tragetet kanë shënuar vonesa dhe probleme në ankorimin e tyre në kalata. Gjiri i Durrësit është përfshirë që në orët e para të mëngjesit të djeshëm e në vazhdim nga erëra të forta dhe reshje shiu. Era ka lëvizur me shpejtësi prej 20 metrash në sekondë, ndërsa deti ka regjistruar forcën prej 7 ballësh, duke u bërë jo vetëm i palundrueshëm për mjetet e tonazhit të vogël dhe atij të mesëm, por edhe problematik për tragetet. Me urdhër të Kapitanerisë së portit, të gjithë operatorët portualë kanë marrë masat për të siguruar mjetet e tyre dhe puna është pezulluar në të gjithë sektorët. Dispeçeria portuale, ajo e peshkimit, anijet me flamur shqiptar dhe të huaj, kompanitë e ngarkim-shkarkimit, elektrovinçat e të tjerë, janë njoftuar të marrin masat për të shmangur incidentet dhe përplasjet e mundshme. Paralajmërimet për keqësimin e kushteve atmosferike janë dhënë natën e së enjtes, duke u përforcuar në orët e para të ditës në vazhdim. Burime nga Kapitaneria bënë të ditur se për shkak të detit të trazuar dhe erës së fortë, tragetet e linjës detare Bari-Durrës janë ankoruar me dy orë vonesë. I bllokuar në det të hapur, pa mundur të ankorohet, ka ngelur për disa orë trageti "Santa Maria", me afro 100 pasagjerë në bord.
Anijet e vogla të peshkimit kanë vijuar të qëndrojnë në kalatë për shkak të kushteve aspak të favorshme të motit. Forca e detit, era e fortë dhe zhdukja në ujërat e Adriatikut e peshkatarit Nallbani, i kanë mbajtur motopeshkatoret e licencuara, po dhe të gjithë amatorët e peshkut larg detit. Burime nga Kapitaneria e Portit detar të Durrësit bënë të ditur se forca e detit ka qenë gjatë ditës së djeshme deri në 7 ballë. Kjo situatë detare ka bërë që motopeshkatoret të pezullojnë lundrimet e tyre në pritje të qetësimit të detit. Edhe Kapitaneria e portit ka udhëzuar dispeçerinë e peshkimit në port të mos lejojë daljen për gjueti të asnjë mjeti, për të shmangur çdo fatkeqësi të mundshme detare. Ndërkaq, në sektorët e tjerë të portit puna ka vijuar normalisht, përfshirë këtu dhe lëvizjen e anijeve tregtare dhe trageteve.