E Diel, 1 Nëntor 2026

Hajdutit të makinave i vihen edhe "pranga" shqiptare

Një i dënuar nga drejtësia gjermane, italiane dhe ajo shqiptare bie sërish në prangat e policisë shqiptare. Është kapur në flagrancë nga shërbimet e policisë ndërsa tentonte të vidhte një automjet tip "Mercedes Benz" në orët e mbrëmjes dhe menjëherë është ndaluar. Nga verifikimet ka rezultuar se Artan Andoni, 34 vjeç nga Durrësi ishte dënuar dhe më parë për vjedhje automjetesh dhe jo vetëm për këtë. I kapuri është person me precedentë penalë. Që në adoleshencë Andoni ishte shpallur fajtor për vrasjen e një shtetasi gjerman dhe dënuar nga drejtësia gjermane me 6 vjet burg për këtë krim për shkak të moshës së mitur. Më pas, dy vite të tjera do t‘i kalonte në burg në Itali për vjedhje automjetesh, për t‘u zhvendosur me krime të tjera në vendin e lindjes. Burimet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës bënë të ditur se 34-vjeçari, banor i lagjes 17 të Durrësit është dënuar edhe për veprat penale të plagosjes së lehtë me dashje dhe prodhimit e shitjes së lëndëve narkotike. Për këto vepra ai ka qenë dënuar përkatësisht me 8 dhe 16 muaj heqje lirie. Ka qenë seksioni për krimet kundër pronës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut dhe Komisariati i Policisë Durrës që në kuadrin e zbatimit të një plani masash në drejtim të parandalimit e goditjes së veprave penale kundër pasurisë kanë bërë të mundur kapjen e këtij personi. Rreth orës 22:00 të së enjtes, blutë bënë arrestimin në flagrancë të Artan Andonit, i cili u kap në lagjen 12 të qytetit bregdetar në mbrëmje duke vjedhur automjetin tip "Benz" me targa DR 1464 D, pronë e shtetasit A.C. Automjeti kishte qenë i parkuar në afërsi të pallatit të sportit "Ramazan Njala" kur është vënë në shënjestër të Andonit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›