Anatema anakronike
Njeriu i parë i Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, peshkopi Artemije, lëshoi këto ditë një letërqarkore, me të cilën i urdhëron të gjithë vartësit e tij që "të ndërpresin çfarëdo komunikimi me përfaqësuesit e pushtetit në Prishtinë, me përfaqësuesit e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë dhe me përfaqësuesit e shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës"! Këtë vendim të tij ai e ka marrë, siç del nga kumtesa e publikuar në media për tri arsye: (1) "për shkak të shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës"; (2) "për shkak të vendimit të BE-së për të dërguar misionin e saj në Kosovë pa vendimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara" dhe (3) "për shkak të njohjes nga disa shtete të pavarësisë së Kosovës". Këto janë tri arsyet që e kanë hidhëruar hierarkun e lartë kishtar serb dhe e kanë shtyrë që të lëshojë "fetvanë" e tij qesharake e anakronike. Sipas mendimit të kryepeshkopit Artemije, pra, duhet ndërprerë çdo komunikim me përfaqësuesit e pushtetit legal në Prishtinë, me përfaqësuesit e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë dhe me përfaqësuesit e atyre shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, numri i të cilave po rritet nga dita në ditë! Përse? Sepse, të gjithë ata, sipas tij, janë mëkatarë e heretikë, andaj me ta duhet ndërprerë çdo kontakt e komunikim! "Nuk duhet pasur kurrfarë kontaktesh e as bisedash me ta"; "nuk duhet të pranohen në vizita dhe as nuk u duhet përgjigjur ftesave të tyre", me një fjalë, ata, pra qeveritarët e Prishtinës, misionarët e Evropës dhe shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duhen ekskomunikuar krejtësisht! Amen!
Kjo mënyrë e komunikimit të një hierarku të lartë kishtar, çfarë është peshkopi Artemije, me vartësit e tij, t‘i kujton kohët e shkuara, madje shumë të largëta, kurse letërqarkorja e tij, si me përmbajtjen, ashtu edhe me gjuhën dhe stilin e saj, s‘është tjetër veçse një anatemë tipike e kohës së inkuizicionit. "As nuk duhet shkuar tek ata e as nuk duhet pranuar ardhja e tyre, me asnjë kusht dhe për kurrfarë arsyeje!". Kjo s‘është asgjë tjetër, pos anatemë e pastër, sado që koha e mallkimeve dhe e anatemave ka kaluar moti dhe nuk praktikohet më askund në botë, pos te ajatollahët fanatikë.
Duke e lexuar në shtyp kumtin famëkeq peshkopit Artemije, m‘u kujtua anatema që shekuj më parë pat lëshuar inkuizicioni famëkeq ndaj filozofit holandez, Baruh de Spinoza (1632-1677), me anë të së cilës, filozofi i famshëm, për shkak të ideve të tij liberale dhe të qëndrimit kritik ndaj institucioneve të kohës, përfshirë edhe kishën, shkishërohej dhe mallkohej si më poshtë:
"Le të jetë i mallkuar ditën dhe le të jetë i mallkuar natën. Le të jetë i mallkuar kur shtrihet dhe le të jetë i mallkuar kur ngrihet. Le të jetë i mallkuar kur niset dhe le të jetë i mallkuar kur kthehet... Ju urdhërojmë që askush të mos komunikojë me të as me gojë as me shkrim, askush të mos qëndrojë me të nën një kulm ose katër hapa pranë tij, askush të mos e lexojë veprën të cilën e ka hartuar ai".
Ngjashmëria ndërmjet anatemës së inkuizicionit mesjetar ndaj filozofit "heretik" dhe kësaj të sotmes të hierarkut kishtar serb drejtuar Kosovës dhe botës, është e madhe dhe s‘është aspak e vështirë për t‘u vërejtur. Thelbi i njërës dhe i tjetrës, siç mund të shihet qartë, qëndron te ekskomunikimi si njëra nga format më të rrepta të ndëshkimit. "As mos shkoni tek ata, as mos pranoni të vijnë ata tek ju" - urdhëron peshkopi Artemije. Për kurrfarë arsyeje dhe me kurrfarë çmimi. Për ata që e thyejnë urdhrin ai parasheh sanksione nga më të rreptat. "Mosrespektimi dhe shkelja e këtij vendimi në çfarëdo forme do të sanksionohet rigorozisht". Njësoj flisnin ata që e anatemuan Spinozën dikur, që i dogjën në turrë të druve Jan Husin e Xhordano Brunon dhe që e detyruan Galileun t‘i mohonte bindjet e veta shkencore, duke shqiptuar në çastin e fundit fjalët proverbiale: "Eppur si muove...".
Mirëpo, peshkopi Artemije harron se nuk jemi në shekujt XV, XVI a XVII dhe se koha e anatemave ka kaluar përgjithmonë. Mund të thuhet, madje, se në krahasim me pararendësit e tij mesjetarë, ai shkon edhe më larg, sepse nuk anatemon një njeri të vetëm a edhe një grup njerëzish, por popuj, shtete dhe qeveri të tëra. Dhe pse e bën këtë ///////////////kryepari i Kishës Ortodokse Serbe të Kosovës? Dihet pse! Për shkak të shpalljes, sipas tij, të njëanshme të pavarësisë së Kosovës,që është shprehje e vullnetit legjitim të shumicës dërrmuese të popullsisë së këtij vendi, të shprehur më se një herë në mënyrë plebishitare, pra shprehje e vullnetit të njerëzve, të cilët, pavarësisht nga përkatësia fetare e kombëtare, do të duhej të ishin të barabartë para ligjit dhe Zotit! Shtrohet pyetja: a është peshkopi Artemije njeri i Perëndisë po instrument i politikës? Dhe ku dallon ai prej Koshtunicës?
Po të sillej si njeri i Zotit dhe i fesë, ashtu siç i takon, shkëlqesia e tij do të duhej të rrezatonte mirësi e dashuri e jo urrejtje e luftënxitje. Ai mund të mos pajtohet me pavarësinë e Kosovës sipas propozimit të emisarit special të OKB-së, Marti Ahtisarit, i cili kishës serbe në Kosovë, në krye të së cilës është ai dhe komunitetit serb në përgjithësi, i garanton të drejta e privilegje që nuk njihen askund në botë, por detyrë e tij si "bari" nuk është ndërsimi i "kopesë", por qetësimi i saj. Peshkopi Artemije do të duhej të angazhohej për paqe, tolerancë, bashkëpunim e mirëkuptim e jo të nxisë urrejtjen dhe mosdurimin mes popujve e njerëzve. Është për të ardhur keq që një njeri i devotshëm, prej të cilit priten mesazhe të urta e humane, lëshon anatema të mykura e anakronike, të cilat e bëjnë qesharak para botës atë si hierark të lartë kishtar, institucionin që përfaqëson dhe në emër të të cilit flet, si dhe politikën së cilës i shërben.
Kur po e kryqëzonin në Kalvar, Jezu Krishti pat thënë: "Fali, o zot, se nuk dinë se ç‘bëjnë!".
Ǒtë thuhet për njeriun, i cili, sipas logjikës së gjërave, do të duhej të ishte dishepull i Krishtit, peshkopin serb Artemije: di apo s‘di se ç‘bën?!