Shifra alarmante, 2 mijë të sëmurë mendorë marrin ilaçe rregullisht
Të sëmurët mendorë, të cilët njihen si të tillë nga mjekësia, por që jetojnë në komunitet, gjithnjë e më tepër po bëhen burim ngjarjesh të rënda në Shqipëri. Disa ditë më parë, një 42-vjeçar me çrregullime mendore vrau vëllain e tij në një fshat të Shkodrës, pas një debati për pronësinë e tokës. Por, situata duket akoma dhe më problematike pas një vëzhgimi në spitalin psikiatrik të qytetit më të madh verior. "Shqip" bën publik për herë të parë faktin se vetëm në qytetin e Shkodrës rezultojnë 2 mijë persona me probleme të mëdha mendore që mund të bëhen burim ngjarjesh të rënda. Ndërsa një kontingjent tjetër të sëmurësh mendorë, që kanë dhe çrregullime psikiatrike, përbëhet nga 75 persona, të cilët ndodhen në dhomat e izolimit në spitalin psikiatrik, ku disa prej tyre janë në ambiente e spitalit që në kohën kur është hapur spitali.
Në një prononcim, shefja e spitalit psikiatrik, dr.Valdete Hoxha, bën të ditur se në Shkodër numërohet një numër tepër i madh të sëmurësh mendorë që jetojnë në komunitet dhe janë rreth 2 mijë persona gjithsej. Po sipas specialistes, në momente çrregullime psikiatrike, apo në fazën e riaktivizimit, këta persona janë të papërgjegjshëm e të rrezikshëm për familjen dhe shoqërinë, duke rrezikuar të bëjnë ngjarje të rënda. Por në lidhje se si duhet vepruar me këta të sëmurë mendorë, të cilët nuk kuptohen se janë të tillë e që vetëm në momente të caktuara bëhen agresivë, jep shpjegim doktoresha psikiatre, Valdete Hoxha. Ajo shpreh se duhet një lidhje e ngushtë mes të sëmurit, familjarëve e mjekut të familjes, i cili ka shumë rëndësi, si dhe mjekëve specialistë në spital. Konkretisht, sipas mjekes, kjo ka të bëjë me mbajtjen nën vëzhgim të ecurisë së sëmundjes, për të cilën varet dhe doza e ilaçeve. Numri i të sëmurëve mendorë në Shkodër, të cilët jetojnë në komunitet, asnjëherë nuk është bërë publik dhe kjo, sipas drejtuesve të këtij spitali, për të mos e rënduar më tepër situatën. Por, për drejtuesit e këtij spitali, me të sëmurët mendorë nuk po bëhet vetëm kurim dhe pastaj për t‘i lënë në mëshirë të fatit. Përkundrazi, mjekët e spitalit psikiatrik Shkodër kanë bërë të mundur që të sëmurët t‘i integrojnë në shoqëri, duke i vendosur për të bërë punime të ndryshme, të cilat shiten dhe ato shuma modeste u jepen të sëmurëve. Nga ky spital, në bashkëpunim me Ministrin e Shëndetësisë, prej vitesh është ngritur një shtëpi e quajtur "Mimoza", ku rehabilitohen të sëmurë mendorë. Nga 23 të sëmurë që kishte falë rehabilitimi, 10 prej tyre kanë dalë dhe i janë bashkuar shoqërisë. Pas qëndrimit në shtëpinë rehabilituese "Mimoza", spitali mundohet që të kontaktojë me sipërmarrës privatë për t‘i punësuar, por këta të fundit, sipas drejtuesve të spitalit, ende nuk janë sensibilizuar për të përkrahur këtë shtresë të shoqërisë. Madje sipas drejtuesve të spitalit psikiatrik të Shkodrës, shumë shpejt do të ndërtohen dhe tri shtëpi rehabilituese për të sëmurët mendorë. Sipas shefes së spitalit, "po punohet dhe me psikologë e punonjës socialë, ku me orë të tëra i kushtohet vëmendje punës me pacientët dhe kjo ka dhënë mjaft fryte në punën tonë. Por, rolin kryesor te të sëmurët mendorë që jetojnë në komunitet e luan mjeku i familjes, i cili ndjek përshkallëzimin e sëmundjes. Të sëmurët mendorë që jetojnë me shoqërinë, herë pas here provokojnë situata krimi.
Disa ditë më parë, kur 42-vjeçari vrau të vëllanë, pas arrestimit autori me probleme mendore tentoi të priste damarët në dhomat e paraburgimit. Veprime dhe ngjarje këto që tregojnë hapur rrezikun që i kanoset shoqërisë sonë nga këta persona që jetojnë në komunitet.