E Diel, 1 Nëntor 2026

Lind shteti i ri i Kosovës

Prishtinë, 17 shkurt 2008. Ora 15:49. Deputetë prezentë në sallën e Kuvendit: 109. Votojnë pro 109 deputetë, kundër 0. Më pas, të gjithë deputetët nisin të përqafojnë njëri-tjetrin. Kalojnë vetëm pak momente dhe parlamentarët e Kosovës "imitojnë" Kuvendin e Vlorës së vitit 1912, ku firmosin në një kartë të madhe, e cila përbën dokumentin historik të lindjes së shtetit më të ri në botë: "Republikës së Kosovës". Pas nënshkrimit, takimi me treshen drejtuese të shtetit të ri: Presidentin Fatmir Sejdiu, Kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe Kryeministrin Hashim Thaçi. Nënkryetari i Parlamentit, Xhavit Haliti, lexon një nga një emrat e të gjithë pjesëtarëve të legjislativit, të cilët duken mjaft koshientë për privilegjin që fati u ka dhënë, duke mbetur në histori si bashkëthemeluesit e Kosovës së pavarur, Republikës, e cila me lindjen e saj ka ndryshuar hartën e kontinentit evropian, hartën e Ballkanit, i cili që prej ditës së djeshme funksionon në bazë të ekuilibrave të rinj juridikë dhe gjeopolitikë, ekuilibra që janë një shans i paparë deri më sot në historinë e shqiptarëve: Dy shtete "binjake" në një rajon, dy njësi juridike që kanë rrënjët në një terren të fortë dhe të lashtë: kombin shqiptar. Shifrat e shpalljes së shtetit të Kosovës patën padyshim një konkluzion të rëndësishëm: Asnjë deputet i popullsisë serbe nuk e firmosi deklaratën e pavarësisë, duke u përjashtuar që në themel jo vetëm nga një besëlidhje, por edhe nga një proces që dje pasdite pati vetëm fillimin. Nuk ndodhi kështu me minoritetet e tjera të Kosovës. Të 10 parlamentarët që u përkasin kombësive: boshnjake, turke, ashkalinjve dhe egjiptianëve, kanë votuar pro pavarësisë dhe vunë firmat e tyre në dokumentin historik të proklamimit të pavarësisë.

Rrjedha

Kronika zyrtare e shpalljes së pavarësisë dhe lindjes së Republikës së Kosovës, shtet i pavarur dhe sovran, nisi që në orët e para të mëngjesit, ku Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kërkoi mbledhjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, për të miratuar deklaratën e pavarësisë. Në orën 12:00 kryesia e legjislativit të Kosovës, bashkë me krerët e grupeve parlamentare, vendosi thirrjen e seancës. Në orën 15:00 salla e Kuvendit ishte plot e përplot. Në lozha qëndronin diplomatët e të gjithë botës, që janë akredituar në Prishtinë, mungonte vetëm përfaqësuesi i Rusisë. Më sipër, në vende të rezervuara posaçërisht ndodheshin dy familjet simbol për Kosovën: familja Jashari nga Prekazi i Drenicës dhe familja e Presidentit të ndjerë: Ibrahim Rugova.

I pari flet Kryekuvendari, Jakup Krasniqi, i cili deklaron se erdhi më në fund dhe momenti për Kosovën, koha ku e drejta e një populli të vuajtur dhe të dëshiruar për liri të vihet në vend. Me një ton patetik dhe atdhetar, ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, 57-vjeçari Jakup Krasniqi, rendit arsyet dhe evenimentet që e sollën ditën e 17 të shkurtit të vitit 2008. Më pas kreu i parlamentit thërret deputetët të miratojnë rendin e ditës, i cili ka vetëm dy pika: miratimin e deklaratës së pavarësisë së Kosovës, si dhe të simboleve të shtetit të ri të Kosovës. Pas votimit (natyrisht vetëm me ngritjen e dorës), fton Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, të mbajë fjalën e rastit.

Kreu 40-vjeçar i Ekzekutivit, i cili e nisi karrierën e tij politike si përfaqësuesi politik i lëvizjes së armatosur të shqiptarëve e jetësuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, është mjaft i emocionuar. "Këtë ditë e kemi pritur gjatë. Shumë njerëz kanë dhënë kaq shumë për ta bërë realitet këtë ditë të pavarësisë. Sot, ne nderojmë ata që na kanë nderuar ne me sakrificën e tyre. Ne i mbajmë mend emrat e tyre, ndërsa kujtimin për ta do ta ruajmë përgjithmonë në zemrat tona". Më pas, Thaçi jep tri zotimet e tij solemne: "I pari, garantimi i fuqishëm dhe i pakthyeshëm me ligj i të drejtave të barabarta të të gjithë pjesëtarëve të komuniteteve në Kosovë; i dyti, krijimi i mekanizmave të përhershëm për të garantuar që komunitetet të luajnë një rol të plotë dhe aktiv në të ardhmen e vendit dhe i treti, përgjegjësia për të marrë masa efektive dhe të menjëhershme për të siguruar që zotimet tona të rezultojnë në ndryshime pozitive për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë, e në veçanti për pjesëtarët e komuniteteve". Më pas Thaçi flet serbisht, duket qartë që e zotëron shumë dobët, por megjithatë u drejtohet serbëve në gjuhën e tyre, duke u bërë thirrje sërish që t‘i bashkohen shtetit më të ri të Kosovës. Më pas flet Presidenti Sejdiu, i cili pasi bën homazh për paraardhësin e tij, të ndjerin Ibrahim Rugova, të cilin e cilëson si themeltarin e shtetit të ri. Edhe Sejdiu u drejtohen serbëve në gjuhën e tyre:

Kosova është shtëpia dhe atdheu juaj. Dëshirojmë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me Serbinë". Më pas në podium ngjitet sërish Kryeministri Thaçi, i cili lexon deklaratën e shpalljes së pavarësisë. Të gjithë ngrihen më këmbë, duartrokasin gjatë...

Pas firmosjes së aktit të pavarësisë, Kuvendi i Kosovës kalon në pikën e dytë të rendit të ditës: miratimin e simboleve të Kosovës: Të gjithë ngrenë duart për miratim. Një djalë i ri afron pranë Kryeparlamentarit Krasniqi flamurin e kaltër me një hartë të Kosovës në mes dhe gjashtë yje ngjitur me të. Duartrokitje. Krasniqi u drejtohet deputetëve: "Ky është flamuri i Kosovës, seancën e deklaroj të mbyllur, e gëzofshim pavarësinë e Kosovës"!

Bie sipari, Kosova hodhi fjalët e faqes së parë të librit të shtetit të ri, i cili vetëm sa ka nisur të shkruhet… Dje ishte akti i parë, ku u vendos vetëm guri i themelit.

DEKLARATA E PAVARESISE

Të mbledhur në mbledhje të jashtëzakonshme më 17 shkurt 2008, në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, duke iu përgjigjur thirrjes së popullit për të ndërtuar një shoqëri që respekton dinjitetin njerëzor dhe afirmon krenarinë dhe synimet e qytetarëve të saj, të zotuar për t‘u përballur me trashëgiminë e dhembshme të së kaluarës së afërt në frymë të pajtimit dhe faljes, të përkushtuar ndaj mbrojtjes, promovimit dhe respektimit të diversitetit të popullit tonë, duke riafirmuar dëshirën tonë për t‘u integruar plotësisht në familjen euroatlantike të demokracive, duke vërejtur se Kosova është një rast special që del nga shpërbërja jokonsensuale e Jugosllavisë dhe nuk është presedan///////// për cilëndo situatë tjetër, duke rikujtuar vitet e konfliktit dhe dhunës në Kosovë, që shqetësuan ndërgjegjen e të gjithë popujve të civilizuar, mirënjohës që bota intervenoi më 1999 duke hequr në këtë mënyrë qeverisjen e Beogradit mbi Kosovën, dhe vendosur Kosovën nën administrimin e përkohshëm të Kombeve të Bashkuara, krenarë që Kosova që atëherë ka zhvilluar institucione funksionale, multietnike të demokracisë, që shprehin lirisht vullnetin e qytetarëve tanë, duke rikujtuar vitet e negociatave të sponsorizuara ndërkombëtarisht ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mbi çështjen e statusit tonë të ardhshëm politik, duke shprehur keqardhje që nuk u arrit asnjë rezultat i pranueshëm për të dyja palët përkundër angazhimit të mirëfilltë të udhëheqësve tanë, duke konfirmuar se rekomandimet e të dërguarit special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, i ofrojnë Kosovës një kornizë gjithëpërfshirëse për zhvillimin e saj të ardhshëm, dhe janë në vijë me standardet më të larta evropiane për të drejtat e njeriut dhe qeverisjen e mirë, të vendosur që ta shohim statusin tonë të zgjidhur në mënyrë që t‘i jepet popullit tonë qartësi mbi të ardhmen e vet, të shkohet përtej konflikteve të së kaluarës dhe të realizohet potenciali i plotë demokratik i shoqërisë sonë, duke nderuar të gjithë burrat dhe gratë që bënë sakrifica të mëdha për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën:

1. Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të dërguarit special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe propozimin e tij gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

2. Ne shpallim Kosovën një republikë demokratike, laike dhe multietnike, të udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtjes së barabartë sipas ligjit. Ne do të mbrojmë dhe promovojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe krijojmë kushtet e nevojshme për pjesëmarrjen e tyre efektive në proceset politike dhe vendimmarrëse.

3. Ne pranojmë plotësisht obligimet për Kosovën të përmbajtura në Planin e Ahtisarit, dhe mirëpresim kornizën që ai propozon për të udhëhequr Kosovën në vitet në vijim. Ne do të zbatojmë plotësisht ato obligime, përfshirë miratimin prioritar të legjislacionit të përfshirë në Aneksin XII të tij, veçanërisht atë që mbron dhe promovon të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.

4. Ne do të miratojmë sa më shpejt që të jetë e mundshme një kushtetutë që mishëron zotimin tonë për të respektuar të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve tanë, posaçërisht ashtu siç definohen me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kushtetuta do të inkorporojë të gjitha parimet relevante të Planit të Ahtisaarit dhe do të miratohet nëpërmjet një procesi demokratik dhe të kujdesshëm.

5. Ne mirëpresim mbështetjen e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare për zhvillimin tonë demokratik nëpërmjet pranive ndërkombëtare të themeluara në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999). Ne ftojmë dhe mirëpresim një prani ndërkombëtare civile për të mbikëqyrur zbatimin e Planit të Ahtisaarit dhe një mision të sundimit të ligjit të udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Ne, po ashtu, ftojmë dhe mirëpresim NATO-n që të mbajë rolin udhëheqës në praninë ndërkombëtare ushtarake dhe të zbatojë përgjegjësitë që i janë dhënë sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999) dhe Planit të Ahtisaarit, deri në atë kohë kur institucionet e Kosovës do të jenë në gjendje të marrin këto përgjegjësi. Ne do të bashkëpunojmë plotësisht me këto prani në Kosovë për të siguruar paqen, prosperitetin dhe stabilitetin për të ardhmen në Kosovë.

6. Për arsye të kulturës, gjeografisë dhe historisë, ne besojmë se e ardhmja jonë është në familjen evropiane. Për këtë arsye, ne shpallim synimin tonë për të marrë të gjithë hapat e nevojshëm për të siguruar anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian sapo që të jetë e mundshme dhe për të zbatuar reformat e kërkuara për integrim evropian dhe euroatlantik.

7. Ne i shprehim mirënjohje Organizatës së Kombeve të Bashkuara për punën që ka bërë për të na ndihmuar në rimëkëmbjen dhe rindërtimin pas lufte dhe ndërtimin e institucioneve të demokracisë. Ne jemi të përkushtuar të punojmë në mënyrë konstruktive me Organizatën e Kombeve të Bashkuara gjersa ajo vazhdon punën e saj në periudhën në vijim.

8. Me pavarësinë vjen detyra e anëtarësisë së përgjegjshme në bashkësinë ndërkombëtare. Ne e pranojmë plotësisht këtë detyrë dhe do t‘u përmbahemi parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, aktit final të Helsinkit, akteve tjera të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, obligimeve ligjore ndërkombëtare dhe parimeve të marrëdhënieve të mira ndërkombëtare që shënojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve. Kosova do të ketë kufijtë e saj ndërkombëtarë, ashtu siç janë paraparë në Aneksin VIII të Planit të Ahtisaarit, dhe do të respektojë plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjithë fqinjëve tanë. Kosova, po ashtu, do të përmbahet nga kërcënimi apo përdorimi i forcës në cilëndo mënyrë që është jokonsistente me qëllimet e Kombeve të Bashkuara.

9. Ne, nëpërmjet kësaj deklarate, marrim obligimet ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë ato të arritura në emrin tonë nga Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), si dhe obligimet e traktateve dhe obligimet e tjera të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ndaj të cilave obligohemi si ish-pjesë konstituive, përfshirë konventat e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike dhe konsullore. Ne do të bashkëpunojmë plotësisht me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Ne synojmë të kërkojmë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, në të cilat Kosova do të synojë të kontribuojë për qëllime të paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar.

10. Kosova shpall zotimin e saj ndaj paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë të Evropës Juglindore. Pavarësia jonë e sjell në fund procesin e shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë. Gjersa ky proces ka qenë i dhembshëm, ne do të punojmë pa pushim për t‘i kontribuar një pajtimi që do të lejonte Evropën Juglindore të shkojë përtej konflikteve të së kaluarës dhe të farkojë lidhje të reja rajonale të bashkëpunimit. Për këtë arsye, do të punojmë së bashku me fqinjët tanë për të avancuar të ardhmen tonë të përbashkët evropiane.

11. Ne shprehim, në veçanti, dëshirën tonë për të vendosur marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët tanë, përfshirë Republikën e Serbisë, me të cilën kemi marrëdhënie historike, tregtare dhe shoqërore, të cilat synojmë t‘i zhvillojmë më tej në të ardhmen e afërt. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për t‘u kontribuar marrëdhënieve të fqinjësisë dhe bashkëpunimit me Republikën e Serbisë duke promovuar pajtimin ndërmjet popujve tanë.

12. Ne, nëpërmjet kësaj, afirmojmë në mënyrë të qartë, specifike dhe të parevokueshme se Kosova do të jetë ligjërisht e obliguar të plotësojë dispozitat e përmbajtura në këtë deklaratë, përshirë këtu veçanërisht obligimet e saj nga Plani i Ahtisaarit. Në të gjitha këto çështje, ne do të veprojmë në pajtueshmëri në parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Rezolutën 1244 (1999). Ne shpallim publikisht se të gjitha shtetet kanë të drejtën të mbështeten në këtë deklaratë, dhe u bëjmë apel të na ofrojnë përkrahjen dhe mbështetjen e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›