Pavarësia, serbët reagojnë dhunshëm
Ndërsa në Prishtinë po festohej shpallja e pavarësisë, serbët kanë filluar të shfaqin veprimet e para të dhunshme. Pas reagimit të Kryeministrit Vojisllav Koshtunica, i cili bëri thirrje për "ditë proteste", një grup të rinjsh sulmuan ambasadën amerikane në kryeqytetin e Serbisë, Beograd. Nga raportimet e ndryshme të agjencive të lajmeve, bëhej fjalë edhe për disa zjarre, të provokuara nga protestuesit. Të tjerë reporterë thanë se protestues të shumtë protestuan para ambasadës së SHBA-së në Beograd, në shenjë kundërshtie ndaj pavarësisë së Kosovës së shpallur dje. Protesta ka degjeneruar në goditjen me sende të forta ndaj ushtarëve amerikanë, të vendosur përpara ambasadës.
Serbët kanë akuzuar SHBA-në se ka mbështetur fuqishëm shpalljen e pavarësisë së Kosovës, të cilën ata e konsiderojnë territor të tyre. Qindra protestues kanë mbartur parulla si "Kosova është Serbi", "Nuk e japim Kosovën", si dhe kanë brohoritur emrin e të akuzuarit për krime lufte në Bosnjë, Ratko Mlladiç. Veç ambasadës amerikane, protestuesit kanë hedhur sende të forta edhe në atë sllovene, ndërsa u vunë re masa të rrepta sigurie në ambasadën shqiptare në Beograd.
Ndërkaq, edhe në Mitrovicë janë shënuar disa incidente të vogla. Raportuesit thanë se disa granata ishin hedhur nga serbë ndaj godinave ku pritet të vendosen misionet e Bashkimit Evropian dhe të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Protesta kundër pavarësisë janë organizuar dje edhe në Novi Sad. Përkundër ngjarjeve dhe veprimeve të dhunshme të serbëve, autoritetet më të larta evropiane u kanë bërë thirrje palëve për qetësi.
Asnjë incident tjetër serioz nuk u shënua në Kosovë gjatë festimeve për pavarësinë. Zyrtarë të Shërbimit Policor të Kosovës thanë se gjithçka rreth festimit të pavarësisë në Prishtinë është duke shkuar mirë, me përjashtim të tre personave të plagosur me armë zjarri, si pasojë e pakujdesisë. Zëdhënësi i SHPK-së, Veton Elshani, tha se gjendja e sigurisë është e mirë dhe në kryeqytetin e shtetit më të ri në botë nuk janë shënuar eksese. "Deri tani gjithçka është duke shkuar mirë gjatë festimit të kremtes së pavarësisë së Kosovës në kryeqytet. Ka pasur tre persona të plagosur me armë zjarri, njëri te hotel "Iliria" dhe dy të mitur para Parlamentit të Kosovës. Ata janë plagosur me armë zjarri si pasojë e pakujdesisë, ndërsa po festonin", tha Elshani.
Nga ana e tij, kryeadministratori i Kosovës, Joakim Ryker, tha se ishte në pritje të një udhëzimi nga Nju Jorku për t‘iu përgjigjur gjendjes së krijuar në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së saj. Ai tha se në një farë mënyrë 17 shkurti shënon një fazë të re në Kosovë, por ka refuzuar të japë qëndrimin për situatën e re.
Pas letrës së Presidentit serb, Tadiç, drejtuar OKB-së, Rusia kërkoi mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurimit, mbledhje e cila u shty për ditën e sotme. Më parë, ambasadori rus, Vitali Çurkin, deklaroi se do të kërkojë që KS të zhvillojë një debat publik, ku të jete i pranishëm edhe Presidenti Tadiç.