Shqipëria: Udhë të mbarë pavarësisë
Menjëherë pas shpalljes së Kosovës si shtet i pavarur kanë ardhur edhe urimet e para nga politika shqiptare, të cilët në mënyrë unanime dhe të sinkronizuar i kanë uruar udhë të mbarë pavarësisë së Kosovës.
Presidenti Topi
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, ka dërguar urimet më të sinqerta për drejtuesit dhe për popullin e Kosovës. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Presidenti Topi ka përshëndetur deklaratën e institucioneve të Kosovës, mbi bazën e së cilës Kosova shpall sot pavarësinë e saj. Dita e sotme, tha Presidenti i Shqipërisë, është një ditë historike jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin dhe fqinjët e saj, sepse përfundimisht korrigjon gabimet e rënda historike që janë bërë në këtë pjesë të Evropës.
Kryeministri Berisha
Menjëherë pas votimit nga Kuvendi i Kosovës të rezolutës së pavarësisë, ka ardhur edhe urimi i Kryeministrit shqiptar, Sali Berisha. Si shqiptarë, tha Berisha, sapo përjetuam momentin më solemn të kombit, ditëlindjen e vërtetë të tij. "Deputetët e Kosovës votuan pavarësinë e vendit të tyre, duke shënuar kështu nxjerrjen dhe vendosjen e Kosovës në brigjet e lirisë, shpresës, dinjitetit dhe integrimit evropian, pas një udhëtimi 600-vjeçar sakrificash, sa asnjë komb tjetër në histori", tha Berisha. Sipas tij, "kjo ditë, ky moment, detyron çdo shqiptar të përulet me nderimin më të thellë para lumenjve të sakrificave mbinjerëzore, që shqiptarët e Kosovës bënë për liri, dinjitet dhe pavarësi, të përulemi para lumenjve të sakrificave që ata bënë për të shpëtuar kombin".
Kryetari i PS-së, Rama
Pavarësisë së Kosovës nuk i ka munguar edhe urimi i kryetarit të PS-së, Edi Rama. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Rama është shprehur se sot është një nga ato ditët që vjen vetëm një herë në historinë e një populli. "Besoj se fjalët e sotme, tha Rama, duhet të fillojnë me ata që luftuan për këtë ditë e që nuk e arritën dot. Martirët, dëshmorët dhe patriotët që ia kushtuan jetën e tyre ëndrrës së lirisë e të pavarësisë së Kosovës, meritojnë sot përuljen e thellë të të gjithë neve që kemi fatin të jetojmë në ditën e realizimit të kësaj ëndrre".
Partitë politike
Gjithashtu, urimet për pavarësinë e Kosovës kanë ardhur edhe nga drejtuesit e partive të tjera politike, si të majta ashtu edhe të djathta, por edhe nga deputetë të ndryshëm. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, e ka cilësuar pavarësinë e Kosovës "si një gëzim legjitim për të gjithë shqiptarët të kudondodhur". Meta e konsideroi këtë ditë historike si një ëndërr të realizuar për të gjithë shqiptarët. Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, ka deklaruar se "me shpalljen e pavarësisë së Kosovës rivendoset e zgjidhet një padrejtësi historike dhe për të gjithë shqiptarët krijohet mundësia të jenë të barabartë në Evropën e Bashkuar". Ndërsa ish-kryeministri socialist, Fatos Nano, ka uruar dje Kosovën për shpalljen e pavarësisë, duke e vlerësuar si një ngjarje që do të paqësojë edhe rajonin e Ballkanit. Po kështu, urimit për pavarësinë e Kosovës i janë bashkuar edhe kryetarët e partive të djathta parlamentare.
Kosova
Kuvendi i Shqipërisë, seancë të posaçme për pavarësinë
Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur dje në një seancë të posaçme për të ndjekur direkt momentin e miratimit të rezolutës së pavarësisë nga Parlamenti i Kosovës. Seanca është shoqëruar nga një atmosfere mjaft festive, atmosferë që ka shoqëruar të gjitha trevat shqiptare. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka hapur seancën ndryshe nga herët e tjera, në një sallë e cila ka qenë e mbushur nga të gjitha anët me flamuj shqiptarë. Topalli në fjalën e saj të shkurtër ka vlerësuar këtë ngjarje si fillimin e një historie të re për Kosovën. "Në këtë ditë të madhe si shqiptarë na takon të jemi dyfish të lumtur e krenarë. Të celebrojmë sot së bashku me miqtë e lirisë në mbarë botën, jo vetëm triumfin e vlera njerëzore, si të drejta universale, por me nderim dhe solemnitet të kujtojmë Ismail Qemalin, Isa Boletinin, Azem Galicën, Shaban Pulluzhën, Faik Konicën, Hasan Prishtinën, Adem Jasharin, Ibrahim Rugovën e t‘u themi: "Bac u kry", është shprehur Topalli. Më pas, deputetë, ministra, përfaqësues të trupit diplomatik, intelektualë, qytetarë dhe të rinj kanë ndjekur nëpërmjet monitorit të madh të vendosur në krye të sallës së Kuvendit momentin kur Parlamenti i Kosovës ka miratuar deklaratën e pavarësisë, si dhe miratimin e simboleve kombëtare.