Kukës, "lind" sozia e Adem Jasharit
Në fshatin Përbreg të Kukësit është e vështirë të gjesh një familje e cila të mos lidhet me farefis apo me kontribut me Kosovën dhe lëvizjen për pavarësi. Rabia, 84 vjeçe, nëna e 15 fëmijëve, nga të cilët 8 jetojnë, ndihet shumë e lidhur me Kosovën dhe me ditën e pavarësisë. Lidhjet e para vendosen që në fillim të shekullit XX dhe kanë të bëjnë me rezistencën kombëtare kundër pushtuesit serb. Ndërsa personalisht Rabia ka pasur fatin, siç thotë ajo vetë, të ndihmojë çështjen e Kosovës, duke u shërbyer ushtarëve të UÇK-së në vitet 1998-1999.
Rabia veron në bjeshkë çdo vit nga 6 muaj dhe ka një tufë të madhe bagëtish, me të cilat merret vetë personalisht bashkë me një prej djemve. Grigja e saj përbëhet nga 300 dele, 16 lopë, 4 kuaj, 6 qen, qindra pata e rosa dhe gjeldeti. Një fermë e vërtetë. Në kohët më kritike qindra djem kosovarë të inkuadruar në radhët e UÇK-së, pas aksioneve kundër ushtrisë serbe kalonin në bjeshkë për të rimarrë energji. Duke qenë se tre djem të Rabies qenë lidhur me njësitet e çlirimtarëve, duke i pritur e përcjellë nga Shqipëria në Kosovë, stanet e familjes shërbyen edhe si burim ushqimi për ushtarët e rajonit të Vrrinit të Prizrenit dhe më gjerë. Rabia kujton shërbimin për ta si një detyrim prej nëne dhe ua bën hallall. "Kam gatue bukën për 90 vetë, djem të ri që luftonin me çliru Kosovën, i kam la e i kam qepë, çdo ditë të hanë e therja nga një dele për ta. Hallall ua bëj. U kam qepë 5 mijë stema UÇK-je dhe flamurë në xhaketat e tyre...". Por gruaja fisnike kujton me lot një çift fare të ri ushtarësh të lirisë që u vranë në pranverën e ‘99-ës. "Agim Shala e kishte emnin, erdh te shpia jonë këtu, u ndrrue në tesha të reja dhe më tha, oj nanë, se nanë më thirrnin ushtarët e Kosovës, unë due të martohem te kjo shtëpi. Ani, i thashë, martohu. Po nusen? Nusen do ta marr me vete në luftë, tha dhe ashtu bë. Erdhi nusja nga Zvicra, bëmë dasmën dhe pas dy ditësh që të dy shkuan në luftë. Oh, medet për mue sa më dhimbset ai djalë, u vra bashkë me nusen e vet duke luftue për çlirimin e Mlishevës..." - thotë gruaja 84 vjeçe dhe dënes duke vërejtur një foto ku ajo ka dalë me ushtarët në bjeshkë në vitin 1998.
Eksodi
Rabia, edhe me rastin e eksodit të ‘99-ës ka pasur një detyrë mjaft të vështirë, pasi shtëpia e saj në Përbreg priti jo pak, por plot 70 persona. "27 prej tyre ishin krejt fëmijë të vegjël", tregon një nga djemtë e Rabies. "Nana i ka drejtuar të gjitha punët, duke vënë në lëvizje krejt shtëpinë, në mënyrë që kosovarëve të mos u mungonte asgjë. U thoshte nuseve, ti do të gatuash, ti tjetra do të lash rrobat, ti do të mjekosh të sëmurët..." - thotë Halili, djali i madh i Rabies, duke shtuar se 4 kuajt dhe dy makinat e familjes ishin vënë plotësisht në dispozicion të njerëzve të dëbuar nga lufta.
Një "sozi" e Adem Jasharit
Një prej djemve të Rabies, Fidaimi, mban flokë të gjatë dhe shumë njerëz i afrohen me kureshtje, por edhe admirim, pasi i ngjan aq shumë heroit të Kosovës, Adem Jashari. Edhe vetë Jasharët në Prekaz e përqafojnë të përlotur, ndërsa vetë Fidaimi, i cili në konfigurimin e vet natyral ruan një pamje të ngjashme me heroin, ndihet në rol dhe siç thotë ai, edhe krenar. Por ai, nga ana tjetër, që nga mesi i viteve ‘80 i jepet shpirtërisht idealeve të lëvizjes çlirimtare të Kosovës, ku të parët e tij kishin pasur trojet e vjetra. Në vitin 1981, dy studentë të Universitetit të Prishtinës, të përndjekur nga pushtuesi serb, ikin dhe vijnë e strehohen te Fidaimi në Përbreg, në kërkim të lidhjeve të vjetra patriotike. Babai i Fidaimit kishte mbetur jetim që në barkun e nënës, kur serbët masakruan fshatin në vitin 1913. Ndërsa lidhjet me farefisin në Kosovë u rivendosën e u forcuan në vitin 1998, kur ai angazhohet me transportin e ushqimeve për UÇK-në, me transportin e njerëzve të plagosur nga bjeshkët në qytet e kështu me radhë, duke u shkrirë si një efektiv shumë i rëndësishëm i lëvizjes. Ai ka ndërkohë një kujtim jo të zakontë nga dita kur trupat e NATO-s shkelën në Vërmicë, në kufirin që ndante dy pjesët shqiptare, më 13 qershor 1999. Ai ishte i pari që u ngjit në kullën e doganës, ku bashkë me disa shokë të tij shkulin flamurin jugosllav dhe e djegin në asfalt e në vend të tij vendos flamurin shqiptar. "Provuam ta grisim, por ishte si një llastik, shumë i fortë, atëherë dikush kishte me vete një çakmak dhe e dogjëm në asfalt", kujton Fidaimi. Ngjarja e 13 qershorit është fiksuar në shtypin e atyre ditëve dhe në agjencitë evropiane të lajmeve, e Fidaimi ruan disa prej gazetave të asaj dite.