SHBA, sot njohja e pavarësisë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet ta njohin që sot pavarësinë e Kosovës. SHBA deklaroi dje se ishte njohur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe përgëzoi qeverinë e saj për vendosmërinë e treguar për zbatimin e dispozitave të OKB-së për mbrojtjen e minoriteteve. "SHBA po sheh nga afër situatën dhe po diskuton me partnerët e saj evropianë. Shumë shpejt ne do të bëjmë një deklaratë", theksoi Departamenti Amerikan i Shtetit.
Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, tha se Shtetet e Bashkuara do të punojnë së bashku me aleatët për të parandaluar përplasje të dhunshme në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë. "Për Kosovën, qëndrimi ynë është se statusi i saj duhet zgjidhur që Ballkani të jetë i qëndrueshëm", tha Bush në një konferencë shtypi gjatë vizitës së tij në Tanzani.
"Shtetet e Bashkuara do të punojnë me të gjithë aleatët tanë që të bëjmë më të mirën që të mundemi për të garantuar që të mos ketë dhunë", tha Bush. Në një konferencë shtypi gjatë vizitës së tij në Tanzani, zoti Bush tha se ai ishte i inkurajuar që Kosova kishte marrë angazhim për të mbrojtur të drejtat e serbëve. "Ne jemi të inkurajuar nga fakti që qeveria e Kosovës ka shprehur qartë vullnetin e saj dhe dëshirën e saj për të mbështetur të drejtat e serbëve në Kosovë", tha Presidenti amerikan. Ai i bëri gjithashtu thirrje Serbisë që të punojë për integrimin në Evropë. Ai e garantoi popullin serb se do të ketë mbështetjen e Amerikës.
Ndërsa përfaqësuesi i posaçëm i Shteteve të Bashkuara në negociatat për statusin e Kosovës, Frank Uisner, shprehu kënaqësinë që Kuvendi theksoi angazhimin për respektimin e planit "Ahtisaari". Ambasadori Uisner tha ekskluzivisht për "Zërin e Amerikës" se Shtetet e Bashkuara mund ta njohin pavarësinë e Kosovës që sot. Ai shtoi se fakti që Kuvendi nënvizoi angazhimin për plotësimin e planit "Ahtisaari" është një lajm i shkëlqyer, pasi është shenjë e vullnetit për një shoqëri shumë etnike. "Jam gjithashtu shumë i kënaqur që ky veprim u ndërmor në paqe dhe siguri", tha Uisner. Ai shtoi se ishte i lumtur që forcat e NATO-s janë në terren për të mbrojtur të gjitha komunitetet dhe për të ruajtur rendin.
Ambasadori tha se tani mbetet vetëm që të merren masat që vijnë pas pavarësisë dhe të ndërtohet një shoqëri e re dhe e drejtë. Pas shpalljes së pavarësisë, hapi tjetër i rëndësishëm është njohja e saj dhe është thënë gjerësisht që Shtetet e Bashkuara dhe vendet perëndimore do të jenë të parat që do ta ndërmerrnin këtë veprim, për të cilin ambasadori Uisner thotë që do të bëhet shumë shpejt.
"Ky është një vendim që do të ndërmerret nga Sekretarja e Shtetit, sigurisht në konsultim me Presidentin, kështu që prisni dhe do të shihni. Mendoj që nesër do të shprehet ky qëndrim. Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara është i njohur, është ai që ka bërë të ditur Presidenti kur ishte në Tiranë. Megjithatë le të presim për nesër", tha ai.
Uisner megjithatë shtoi se njohja e pavarësisë është një sfidë modeste krahasuar me rëndësinë e ruajtjes së paqes. Ai tha se si udhëheqësit e Serbisë, ashtu edhe ata të Kosovës, i kanë dhënë garanci komunitetit ndërkombëtar se nuk do të ketë dhunë. Ky mesazh, tha ai, duhet të përçohet te njerëzit e thjeshtë në terren dhe të respektohet.