Prizren, valëvitet flamuri 3 kilometra i gjatë
E gjithë Shqipëria ka qenë me zemër dhe me shpirt në Kosovë. Festimet e nisura që në orët e para të mëngjesit kanë kulmuar në momentin e leximit të aktit të pavarësisë në Parlamentin kosovar. Po kështu, festimet janë bërë në të gjitha vendet ku banojnë dhe jetojnë shqiptarë.
Rreth 150 mijë njerëz gjatë gjithë ditës kanë manifestuar me entuziazëm nëpër rrugët e Prizrenit në ditën e pavarësisë. Në sheshin e njohur "Shatërvan", grupe të njohur të muzikës kanë dhënë koncert deri në darkë, ndërsa në të gjitha rrugët ushtonin orkestrat popullore, ku vallëzonin gra, burra e të rinj. Dy torta të mëdha disakuintalëshe janë shpërndarë për manifestuesit, ndërsa kulmi ka mbërritur në orën 15:00, kur ekranet e mëdhenj kanë transmetuar direkt nga Prishtina seancën e jashtëzakonshme të Parlamentit të Kosovës.
Pas ndjekjes së seancës në Parlamentin kosovar nga Landovica, vendi ku prehen dëshmorët e lirisë, është nisur drejt selisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit flamuri i famshëm, rreth 3.1 km i gjatë, vepër e qytetit të Prizrenit, të cilin e mbartën 1878 njerëz, një numër që të kujton vitin kur u mbajt Lidhja Shqiptare atje 130 vite më parë. Mëngjesi i djeshëm ngjante me një ditë të zakonshme pushimi. Asnjë flamur shqiptar dhe asnjë atmosferë për të kuptuar se shteti më i ri në Evropë, Kosova po shpallte pavarësinë. Nga liderët politikë kryesorë shqiptarë në Mal të Zi, si Feraht Dinosha e Nazif Cungu, mësojmë se festa e pavarësisë së Kosovës do të festohet në ambiente të mbyllura dhe jo në rrugët kryesore. Një gjë e tillë u bë pas kërkesës që ka bërë diplomacia e huaj, e konkretisht ambasada amerikane dhe Ministria e Brendshme e Malit të Zi, të cilat kanë kërkuar që festa e pavarësisë së Kosovës të festohet në ambiente të mbyllura, duke mos e provokuar komunitetin serb në Mal të Zi që përbën 33% të popullsisë së Malit të Zi. Megjithëse jo me bujë të madhe, banorët e komunave që popullohen nga shqiptarët në Ulqin dhe Tuz e kanë përjetuar me emocion të veçantë.