E Diel, 1 Nëntor 2026

Lista e sëmundjeve që trajtohen në Greqi dhe Turqi

Pacientët shqiptarë, të cilët nuk mund të trajtohen në vendin tonë për shkak të teknologjisë apo kushteve të infrastrukturës mund të kurohen në spitalet jashtë vendit. Sipas një marrëveshjeje që Ministria e Shëndetësisë ka me homologet në Greqi dhe Turqi, të sëmurët shqiptarë që kanë nevojë për shërbim më të specializuar për ndërhyrje të vështira apo terapi të avancuar mund t‘u drejtohen spitaleve të këtyre dy shteteve për ndihmë.

Nëse komisioni ndërspitalor vendos për një pacient që të vazhdojë të ndjekë sëmundjen në një nga spitalet greke apo turke, atëherë pacienti pas plotësimit të procedurave mund të drejtohet për ndihmë më të specializuar jashtë. Por jo të gjithë pacientët mund të drejtohen në klinikat e huaja, plot 22 diagnoza nuk mund të trajtohen në spitalet kryesore të Turqisë dhe Greqisë. Dje, Ministria e Shëndetësisë ka publikuar listën e plotë të sëmundjeve, të cilat mund të trajtohen dhe në listën e diagnozave, të cilat nuk mund të kurohen në dy vendet ku ka dhe marrëveshje mes institucioneve.

Sëmundjet

Plot 44 diagnoza mund të trajtohen në spitalet më të njohura të Greqisë dhe Turqisë. Duke nisur nga disa sëmundje të zemrës, diabeti, problemet me anginat, sëmundje të veshkave. Pacientët me infeksione virale të vazhdueshme, anemia, sëmundjet e gjakut, sëmundjet ngjitëse. Traumat, sëmundjet pulmonare, tumoret, sëmundjet e tensionit, sëmundjet e lëkurës. Kështu, sipas mundësive të këtyre klinikave, secili pacient mund të ndjekë diagnozën e tij në mënyrë më të përparuar pas vlerësimeve që bëjnë mjekët e komisionit ndërspitalor.

Disa nga sëmundjet të cilat nuk merren përsipër nga spitalet e huaja janë disa lloje tumoresh, anomalish, tipa të sëmundjeve të gjakut apo diagnoza të hemopatisë malinje. Janë plot 22 diagnoza, të cilat, sipas marrëveshjes, nuk mund të trajtohen nga spitalet e Greqisë dhe Turqisë. Para se pacientët e interesuar të marrin viston për të vazhduar trajtimin në klinikat e huaja, ata duhet të marrin aprovimin e komisionit spitalor dhe më pas të plotësojnë një seri dokumentesh.

Procedurat

Procedurat kryesore për këta të sëmurë përfshinë epikrizën dhe vendimin nga komisioni ndërspitalor të spitalit "Nënë Tereza".

Këto dy dokumente gjatë aplikimit për në ambasadën turke duhen përkthyer dhe noterizuar në gjuhën angleze, ndërsa pacientët që kërkojnë të kurohen në Greqi duhet t‘i përkthejnë të njëjtat dokumentet në gjuhën greke. Për pacientët që kërkojnë notë verbale për lehtësimin e vizës në ambasada, janë të nevojshme dorëzimi i epikrizës nga spitali, dokumentacion që vërteton disponibilitetin për pritjen e pacientit në vendin ku do shkojë dhe kostoja e shpenzimeve për kurimin e pacientit. Po ashtu kërkohet garanci bankare (që tregon pagesën e bërë nga pacienti kundrejt spitalit në masën 30 për qind të shpenzimeve për kurimin e pacientit jashtë). Këto janë dokumente që kërkohen nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, me qëllim lehtësimin e notës verbale, pastaj bashkë me dokumentet e tjera që ka çdo ambasadë paraqiten për marrjen e vizës.

Tabelë

Sëmundjet që trajtohen

Sëmundjet e zemrës

Diabeti

Problemet me anginat

Sëmundje të veshkave

Pacientët me infeksione virale të vazhdueshme

Anemia

Sëmundjet e gjakut

Sëmundjet ngjitëse

Traumat

Sëmundjet pulmonare

Një pjesë e tumoreve

Sëmundjet e tensionit

Sëmundjet e lëkurës

Sëmundje që nuk trajtohen

Disa lloje tumoresh

Disa tipa anomalish

Tipa të sëmundjeve të gjakut

Diagnoza të hemopatisë malinje

Mundësia

Marrëveshjet e shëndetësisë

Marrëveshjet e përbashkëta shëndetësore mes dy vendeve, në këtë rast Turqisë dhe Greqisë parashikojnë trajtime falas për pacientët, të cilët nuk mund të kurohen në Shqipëri dhe kanë nevojë për trajtim të specializuar. Në raste të veçanta kur sëmundjet janë tepër të veçanta dhe kërkojnë teknologji më të lartë dhe metoda më të avancuara se ato që kanë spitalet shqiptare, komisioni ndërspitalor vendos të japë miratimin për dërgimin e të sëmurëve në klinikat e huaja. Kërkesa për tu trajtuar në spitalet greke e turke është e lartë por komisioni vendos për rastet më emergjente dhe për pacientët me vështirësi më të madhe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›