Londra i jep lamtumirën pallatit të Çurçillit
Pallati është në stilin barok, i ndërtuar me mermer të bardhë pothuajse 100 vjet më parë. Gjendet në një nga rrugët më të famshme të Londrës, "Whitehall", ajo që bashkon Trafalgar Square me Westminster, pallatin e Parlamentit. Është një nga ndërtesat më rëndësishme të historisë britanike, si gjithmonë selia e Ministrisë të Mbrojtjes. Është shtëpia, edhe në vitet më impenjative të Çurçillit, nga ku niseshin direktivat në kohën e luftës. Tashmë ky pallat do të vihet në shitje. Shkaku kryesor janë financat e Mbretërisë që sa vijnë e rrënohen. Siç pohon edhe një dokument i brendshëm, Ministria e Thesarit insiston për shitjen e tij, ndërsa Ministria e Mbrojtjes është duke u bindur. Hapësirat e pafundme, korridoret e gjata, tre kilometra e gjysmë, tunelet sekretë të nëndheshëm, që lidhin pallatin edhe me "Downing Street", dritaret me pamje nga parku "Saint James" dhe kopshtet e "Buckingham Palace", do të jepen me një çmim prej 35 milionë sterlinash.
Tashmë, përmes një hyrjeje të fshehtë, në pallatin e bardhë hyjnë e dalin shumë turistë. Poshtë, në nëntokë ndodhet "kabineti i dhomave të luftës", dhomat bunker, brenda të cilave zhvilloheshin strategjitë ushtarake gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nga viti 1939 deri në 1945-ën, kur Londra ishte nën kërcënimin e bombave gjermane, shteti dhe pjesa më e madhe e Forcave të Armatosura i drejtonin që aty operacionet e luftës, duke shmangur në këtë mënyrë daljen në dritë dhe rreziqet e mundshme. Në kohën e luftës, kjo ndërtesë ishte mjaft e rëndësishme, pasi të lidhte me të gjitha institucionet e rëndësishme, duke përfshirë edhe shtëpinë e Kryeministrit, e cila ndodhej në "Downing Street". Nga ky pallat, Kryeministri, me cigare në gojë, u premtonte anglezëve "lot, dhimbje dhe gjak" për të luftuar armiqtë.
Të gjithë të pasionuarit mund ta vizitojnë ndërtesën çdo ditë, nga ora 10.00 e mëngjesit deri në orën 18.00 të pasdites, me një biletë prej 10 sterlinash. Çdo turist mund të hyjë në atë tunel, tashmë një dëshmitar i historisë, i cili është bërë muze i atyre viteve të vështira të luftës në Evropë. Brenda këtij pallati gjigant ndodhet edhe dhoma e gjumit ku pushonte Çurçilli. Muret e saj janë të veshura me harta gjeografike, ndërsa mbi tavolinë ndodhet ende radioja e komunikimit.
Në ato dhoma mund të zërë vend ndonjë menaxher i kollarisur, që gjithnjë e më shumë zgjedhin Londrën si qëndresën kryesore nga ku mund të drejtojnë problemet e tyre në botë. Ose ndoshta kushedi, tani që rusët janë bërë padronët e rinj të qytetit mund ta marrë nën drejtim ndonjë magnat i pasur. Prej kohësh ndërtesa e kishte humbur rëndësinë e saj dhe shumë prej dhomave ishin bërë të pabanueshme. Një nga arsyet kryesore të shkatërrimit është rikonstruksioni i saj, bërë në vitet 1906-1910, që ka kushtuar 1 milionë e 2 qind mijë sterlina. Te ky pallat, sekretarët e shtetit dhe zyrtarët më të lartë kishin gjetur vendin e përshtatshëm për të forcuar fuqitë e tyre. Në 1914-ën, Lorenci i Arabisë shkruante prej këtu, ku kishte edhe zyrën e tij, historitë e udhëtimeve që bënte në Lindjen e Mesme, duke pikturuar edhe hartat e atyre vendeve. Nga viti 1919 deri në 1921, kur Çurçilli ishte ministri i Luftës, ky pallat ishte bërë streha e tij e zakonshme.
Në vitet ‘30, kjo ndërtesë filloi të rrënohej pak e nga pak. Lufta e Dytë Botërore, Lufta e Ftohtë dhe fushata e Suezit kishin pasur sërish si dekor dhomat e këtij pallati, i cili është ndërtuar në formën e një trapezi, i futur mes "Whitehall" dhe pallatit të rojeve mbretërore. Një nga banuesit e fundit ka qenë Xhon Profumo, sekretari i Shtetit për luftën nga viti 1960 deri në ‘63-shin, politikani i parë britanik, i cili u përfshi nga një skandal rozë. Ai vinte në pallat çdo mëngjes pasi kishte kaluar natën me të dashurën e tij Kristin Kiler. Në 1964-ën, shumë zyra të mbrojtjes filluan të ndryshonin vend. Pallati u rikonstruktua në fund të viteve ‘80, e më pas u shndërrua në një monument kulture, ashtu siç është edhe sot.
Ai vazhdon të mbetet një nga ndërtesat më prestigjioze të qytetit, edhe pse i ka ditët e numëruara. Por sa mund të kushtojë një pallat shtatëkatësh me mijëra dhoma dhe me korridoret e gjata si rrugicat e një qyteti? Sipas teknikëve, të cilët kanë hedhur një hipotezë mbi shitjen, çmimi i saj shkon deri në 35 milionë sterlina. Por ky nuk është çmimi përfundimtar, pasi vlera e saj do të varet natyrisht nga kërkesat. Mendohet se ai që do ta blejë këtë pjesë të historisë, padyshim që nuk do të ketë problemet ekonomike të Mbretërisë së Bashkuar.