E Diel, 1 Nëntor 2026

Një grua si Singrid

Në Romën e viteve 1900 kur shkrimtarja e re norvegjeze kishte shkuar për të kaluar ca javë krejt e vetme, fytyra e saj ishte ende e bukur. Në duar i dallohej një unazë me gurë të zinj, ndërsa pinte cigare në një bar pranë bibliotekës. Atëherë Anders Castus Svarstad nuk dinte shumë gjëra për këtë vajzë interesante me të cilën shkëmbente vështrimet pothuajse çdo mëngjes. Ajo çfarë dinte djaloshi që nuk kishte kaluar të 30-at, ishte një ndjenjë e çuditshme për t‘iu afruar asaj. Dhe kështu bëri. Një mëngjes ai u ul në tavolinën ku ajo pinte një çaj dhe i tha se quhej Anders. Singrid e ka përjetësuar në librat e saj gjithçka nga ai takim. Ajo ka treguar deri në detaje se si dashuria mund ta kthejë një udhëtim që ti e ke menduar si të vetmuar, në një udhëtim i cili nuk do të mbarojë. Ashtu ishin dy vitet e para që ajo kaloi në Romë përkrah Anders. Dy vite që mund t‘i gjesh në çdo fjali të romaneve të saj që flasin për dashurinë. Dy vite që mbeten thjesht të tillë dhe që nuk kthehen më sado që t‘ia kërkon kohës kur i ke humbur ato. Diku Sigrid shkruan se edhe pse i besonte iluzionet, pas moshës 40 vjeç kishte tentuar t‘i hiqte ato edhe nga personazhet. "Nuk dua të pres më diçka që s‘ka për të ardhur asnjëherë, diçka që është vetëm në mendjen time‘ shkruante ajo. "Thjesht besoj në ditët që do të vijnë…". Në vitin 1912, pas dy viteve njohjeje ajo dhe Anders Castus Svarstad, një piktor do të lidhin martesë. Në studion e mbushur me telajo ajo do të vendoste në një cep makinën e shkrimit, për të komunikuar kështu jo vetëm nëpërmjet trupave dhe mendjes, por edhe me gjuhën e artit. "Isha rreth të 30-tave dhe një e çmendur ndaj dashurisë që po jetoja. Nuk mendoja asgjë tjetër veçse si të isha përgjithmonë në krahët e Anders", tregonte ajo. Pas martesës ata shpërngulen për rreth gjashtë muaj në Londër. Svarstad pikturonte ndërsa Undset iu përkushtua të mësuarit të gjuhës angleze dhe letërsisë së këtij vendi. Nga Londra ata kthehen në Romë ku Sindrid u bë nënë në janar të vitit 1913, duke lindur një djalë. Fëmija do të merrte emrin e babait të shkrimtares, i cili e kishte lënë kur ajo ishte ende fëmijë, gjë që i solli asaj dhe dy motrave bashkë me nënën një jetë të vështirë. Martesa dhe fëmijët e tjerë që erdhën në të, e bënë Singrid që deri para njohjes me Anders i ishte përkushtuar letërsisë të bënte një marrëveshje mes vetes dhe të qenurit grua. Por këtu nisin dhe krizat e mëdha brenda saj në ishte kjo familje e bukur përkrah njeriut që e kishte dashur me shikimin e parë ajo çfarë dëshironte vërtet në jetë. A mjaftonte një supë e gatuar mirë nga ato duar që dikur lodheshin mbi tastierë që ajo të ndihej e mbushur? Sigurisht që dilema që endej brenda Singrid kërkonte një zgjedhje. Vajza e saj e dytë lindi me probleme mendore, të njëjtat probleme kishte dhe fëmija që i shoqi kishte nga martesa e parë që jetonte me ta. Në ato kohë Sigrid ndryshoi. Takimet me psikoanalistin e saj sa vinin e bëheshin më të shpeshta, ndërsa marrëdhëniet me të shoqin u kthyen gati-gati në rutinë. "Kisha nevojë që dikush të më shpëtonte, të më kthente jetën që kisha përpara, ose të më hapte një dritare ku të ndihesha mirë me fëmijët dhe të rinisja të shkruaja", e tregon ajo këto kohë. Dhe në kohët kur të gjithë mendojmë se do të na kuptojë njeriu për të cilin i kemi bërë të gjitha këto, ndodh e kundërta. Anders rrinte më gjatë në studio, derisa një ditë gruan që çdo mbrëmje shtronte darkën mbi mbulesat e qëndisura me dorë nuk do ta gjente në shtëpi. Singrid vendos të largohet, duke marrë me vete fëmijët, për të nisur jetën që e kishte lënë në gjysmë pikërisht në Romë, në atë bar ku u njoh me Anders. "Gjithnjë është një fillim që të pret", thotë ajo, mjafton që ti të kesh forcë ta përballosh atë. Por Anders dhe jeta përkrah tij do të ishte në gjithë letërsinë e gruas norvegjeze që u kurorëzua me çmimin "Nobel" në letërsi në vitin 1928 si një nga ngjarjet më të vërteta që kishte ndodhur në jetën e saj. Në kohën kur bota pritej të përfshihej nga lufta e parë botërore ajo ishte një nga femrat e para që u përfshi në debatet e ashpra për emancipimin e femrës. Për Singrid, një grua jo vetëm mund të gatuajë dhe të qëndisë bukur, por dhe mund të udhëheqë dhe të përcjellë ide. Për një kohë të gjatë ajo jetoi në Lillehammer, një qytet i madh në Gudbrandsdalen, në Norvegji bashkë me fëmijët. Ideja se tashmë kishte nevojë të pushonte, ishte zgjedhja më e mirë që do t‘i jepte mundësi të mendonte se çdo të bënte me jetën e saj. Në gusht të vitit 1919 ajo vendoset përfundimisht në Lillehammer. Ajo vendos të ndërtojë aty një shtëpi, e cila ruhet ende dhe sot me një oborr të mrekullueshëm të mbushur me lule dhe me hapësirë të madhe për të jetuar fëmijët. Një arkitekturë klasike norvegjeze, në një nga dhomat e së cilës ajo ndërtoi letërsinë që e bëri të njohur në të gjithë botën. Tashmë ishte vetëm ajo dhe letrat dhe çdo mbrëmje deri në orët e para të mëngjesit ajo ndërtonte histori. Sipas kritikëve që vazhdojnë të analizojnë letërsinë e saj, Singrid mbetet një shkrimtare që u dha jetë legjendave duke i bërë ato aktuale për kohën kur jetoi. Çdo histori e jetuar dikur nuk mund të jetë vetëm e tillë, ishte moto e Singrid, e cila i shfrytëzonte ato për të analizuar të tashmen. Në vitin 1934 ajo përfundon librin autobiografik "11 vite" ku tregon eksperiencën e jetës së saj. Librat e saj ende provokojnë debate sot, por në thelb letërsia e Singrid ishte jeta. Ajo vdiq në moshën 67 vjeçe pikërisht në Lillehammer, qytetin ku u dha jetë pjesës më të madhe të librave të saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›