2007 në fokusin e Top Channel
Viti 2007 filloi me një lindje. Në maternitetin e vjetër të Tiranës, pak pas mesnatës së 31 dhjetorit, foshnja që erdhi në jetë ishte një djalë. Duke u gdhirë 1 janari, Daniela dhe Flamur Neziri mbanin në duar një bebe të shëndetshme, që peshonte 3 kilogramë e 800 gramë…
Dhe kur bëhet djalë, zakonisht në traditën shqiptare, sipas Kanunit, i pari i shtëpisë shtie me armë, çfarë provon se burri i shtëpisë do të ketë dhe një motiv më shumë për ta mbajt kokën lart… Por kjo, atëherë kur të parët e Kanunit hodhën ligjet për të rregulluar shoqërinë… Tani, çun themi ne, kur çlirohemi nga çfarëdo situate jo pak të rëndë… I tillë ka qenë ky vit për Shqipërinë, i mbushur me "çuna" dhe jo vetëm… 1 janar 2007, filloi ngjarja e parë. Bullgaria dhe Rumania u bënë anëtaret e 26-ta dhe të 27-ta të Bashkimit Evropian. Situata në Tiranë nuk i shpëtonte syrit të Brukselit… Zhvillimet do të ecnin pa ndërprerë dhe vrullshëm. 11 janari do të ishte një ditë që do të mbahej mend. Sali Berisha pret Fatos Nanon në Pallatin e Brigadave. I pari takim që pas atij të zgjedhjes së Presidentit konsensual 5 vjet më parë.
365 ditët ishin ditë që sollën zhvillime historike në Kosovë. Dita e raportit të Presidentit finlandez Ahtisaari, tregoi se Kosova i kish hyrë tani një rruge pa kthim, asaj të pavarësisë së saj prej shumë shekujsh të mohuar. 2007 ishte viti i Edi Ramës, i cili rizgjidhet kryetar bashkie për herë të tretë. Ndryshimet në kabinetin qeveritar provuan edhe njëherë se kabineti ministror duhet të mbijetonte. Viti 2007 i Sali Berishës ishte dhe viti i tij, pasi mirëpriti jo pa sukses një President amerikan. Ai ishte Xhorxh Bush. Shqipëria do të gdhihej në mënyrë të patjetërsueshme ndryshe dhe më e rëndësishme se një ditë më parë.
Pas vizitës së Presidentit Bush, Shqipëria pritej të shkonte me pushime. Por vera nuk mbeti një stinë pa lajme, siç ndodhte rëndom. Zgjedhja e Presidentit të ri të vendit dhe një krizë e shëmtuar energjetike në mes të verës do të largonte vëmendjen e shqiptarëve nga të bërit pushime si padrone të vetes. Bamir Topi triumfoi në aspiratën e tij për t‘u bërë kryetar shteti, si i pamenduar ndonjëherë më parë. 2007 vulos dopingun në peshëngritjen shqiptare. Por dhe dy humbjet e fundit të Kombëtares shqiptare në eliminatoret e "Euro 2008" përballë Bjellorusisë dhe Rumanisë do të kujtohen gjatë nga të gjithë shqiptarët. Të tjera zhvillime sportive dhe kulturore nuk do të ishin më të pakta në këtë vit, jo si të tjerët. Viti 2007 erdhi me një djalë, dhe si i tillë solli pas një mori ngjarjesh që në spektrin e vet mbeten historike dhe të paharruara për kombin tonë, por dhe identitetin e tij. Gazetari Endri Xhafo ka reziluar///// përmbledhjen vjetore të ditëve më të nxehta të vitit, hap pas hapi, duke analizuar edhe proceset në tërësi që sollën ato, në një fokus realist dhe të bollshëm për emisionin ekskluziv, që transmetohet mbrëmjen e së dielës, si prodhim i veçantë i departamentit të informacionit.