Mediu: Duhet bashkëpunim i gjerë
Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, pasi vlerësoi reformimin dhe arritjet e ushtrisë shqiptare, shprehu gatishmërinë e qeverisë për të plotësuar të gjitha standardet e nevojshme për të marrë ftesën e aderimit në NATO. "Reforma në drejtësi synon të jetë një aksion në të mirë të qytetarëve dhe jo për politikën", tha Mediu. Sipas tij, këtu konsensusi duhet të jetë shumë i gjerë, jo vetëm mes politikës, por edhe mes grupeve të interesit. Këto të fundit, shtoi Mediu, duhet të japin mendimet e tyre që drejtësia të arrijë pavarësinë dhe ndershmërinë e saj. Sakaq, ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, vlerësoi se Shqipëria ka hedhur hapa shumë të suksesshëm dhe se qeveria shqiptare është shumë optimiste për të marrë ftesën e anëtarësimit në NATO, në Samitin e Bukureshtit, që do të zhvillohet në muajin prill të vitit të ardhshëm". Drejtori ekzekutiv i Forumit të Lirë Shqiptar, ku u mbajt takimi, tha se qëllimi i tij ishte nxitja e bashkëpunimit të gjithanshëm të faktorëve politikë për të siguruar dhe garantuar realizimin me sukses të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.