E Diel, 1 Nëntor 2026

Lufta dhe paqja VMRO-DPMNE

VMRO-DPMNE dhe lideri i saj e Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, në asnjë mënyrë nuk po mund ta zgjidhin çështjen e raportit të tyre me realitetin maqedonas. Në vitin 2001, kur ishin në pushtet, përkundër faktit se kishin një të kaluar historike terroriste, nuk arritën të përballen me, siç i quajtën ata, terroristët shqiptarë. Pas kapitullimit dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, VMRO-DPMNE nuk arriti të integrohet as në ndërtimin e paqes, edhe pse kjo ishte më se e domosdoshme në Maqedoninë e pasluftës.

Në kërkim të hakmarrjes ndaj shqiptarëve, duke harruar se sot Maqedonia është vend kandidat për anëtarësimin në BE, Gruveski dhe partia e tij shpikin sërish terroristët shqiptarë, por kësaj radhe në versionin më të keq të mundshëm, duke i bërë madje edhe terrorist injorantë, të cilët e kryejnë krimin dhe për çudinë e të gjithëve, shkojnë të fshihen në shtëpitë e tyre, si ata të Tanushës, Brezës ose Haraçinës.

VMRO-DPMNE terroriste

VMRO-DPMNE është themeluar në vitin 1990, ndërsa emri i saj i plotë do të thotë: "Partia e Brendshme Revolucionare Maqedonase - Partia Demokratike e Bashkimit Maqedonas Kombëtar". Në fundshekullin e kaluar formohet organizata VMRO, qëllimi i së cilës ishte lufta kundër Perandorisë Osmane, e cila në këto territore ishte për plot pesë shekuj. VMRO ka kaluar nëpër shumë periudha, ndërsa kishte edhe fraksione terroriste. Shpjegimi është paksa i çuditshëm. Në mes të dy luftërave botërore, thuhet se Bullgaria arrin të përçajë VMRO-n për të themeluar fraksionin me të njëjtin emër, e që kishte për qëllim të bashkonte Maqedoninë me Bullgarinë. Në atë kohë Maqedonia ishte pjesë e Jugosllavisë dhe askush nuk mund ta thotë sot me siguri se si do të quhej ky fraksion sikur kjo pjesë e Jugosllavisë t‘i ishte bashkuar vërtet Bullgarisë.

Por kjo gjë nuk ndodhi dhe më 1990-ën në Maqedoni formohet VMRO-DPMNE, e cila menjëherë u mundua të korrigjojë historinë maqedonase, sepse atyre vmro-istëve që kishin punuar për interesat e Sofjes, duhej t‘iu bëhej një lloj lavazhi.

Partia u themelua me veprimtari antikomuniste dhe antishqiptare, në mitingjet e tyre theksohej euforia kundër ushtrisë jugosllave dhe vetë Jugosllavisë, ndërsa përçmohej Lufta Nacionalçlirimtare e partizanëve të Maqedonisë në Luftën II Botërore kundër ushtrisë bullgare si okupator.

Akumulimi pesëdhjetëvjeçar i ideologjisë komuniste te shumica e popullsisë maqedonase dhe vuajtjet shqiptare nën këtë regjim ekstrem si në komunizëm ashtu edhe në Maqedoninë e pavarur, arriti pikën e vlimit në vitin 2001, kur edhe shpërtheu konflikti në mes shqiptarëve etnikë dhe qeverisë së kryesuar nga VMRO-DPMNE. Përkundër dëshirës së flaktë për të shkatërruar gjithçka shqiptare, ushtria dhe policia maqedonase ishin një hiç kundër shqiptarëve të mirorganizuar. As ndihmat ushtarake nga Serbia dhe Rusia nuk e ndihmuan Shkupin zyrtar që të shkatërrojë, siç i quanin ata bandat e terroristëve shqiptarë, të cilët gjunjëzuan, përçmuan dhe shkatërruan ushtrinë e shtetit të Maqedonisë. Ndërsa këta të fundit, për gjatë gjithë konfliktit, gjithçka që vranë ishin fëmijë, gra dhe burra të moshuar shqiptarë. Ky konflikt përfundoi me një marrëveshje paqësore, që u pagëzua si Marrëveshja e Ohrit, ndërsa shqiptarët arritën që me një garanci ndërkombëtare ta mbyllnin këtë kapitull lufte dhe vazhduan jetën normale në Maqedoninë e cila premtonte. Por jo gjithçka mund të presësh nga një Maqedoni me ose pa VMRO.

Paqja

VMRO e turpëruar në luftë, nuk tregoi ndonjë aftësi dhe paqe. Sërish orekset antishqiptare dolën në sipërfaqe, por kësaj radhe kishim të bënim me një hakmarrje klasike. Në përbërjen e re parlamentare, në paqe, ajo nuk arriti të marrë pushtetin. Por, pas katër viteve, kur maqedonasit harruan paksa se kush i turpëroi dhe tashmë nën vellon e luftës kundër korrupsionit, VMRO-DPMNE merr pushtetin jo për të luftuar këtë të fundit, por shqiptarët që i kishin pësuar aq shumë turp.

Duke harruar se sot Maqedonia është me statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, VRMO-DPMNE dhe lideri i saj, Nikolla Gruveski, mendojnë se dora e pushtetit ndihmon për hakmarrje ndaj shqiptarëve. Iu vërsulën zonave ku betejat shqiptare ishin shumë të famshme, e për të mos folur aq shumë me superlativa, ndoshta arsye ishte edhe që kishim të bëjmë me një ushtri të ligë dhe të papërgatitur. Likova, Tanusha, Breza dhe Haraçina janë fshatrat shqiptare nga emrat e të cilëve me siguri se Gruveskin nuk e zë gjumi edhe sot. Por, aktiviteti i tij antishqiptar tashmë është bastarduar fare.

Aksionin për ndjekjen e "terroristëve shqiptarë", stuhia dhe policia e Gruveskit gjithmonë e përfundon në shtëpitë e terroristëve. Shumë e çuditshme të nisesh në ndjekje të një grupi keqbërësish, me një arsenal armatimi që mund të bëjë shkrumb e hi gjithë Maqedoninë, e të përfundosh në shtëpitë e tyre, gjithmonë duke i gjetur ata po aty, kjo mund të shënohet edhe në librin e Ginesit. Jo për aftësinë e policisë së Gruevskit, por për nivelin e injorancës së terroristëve të shpikur shqiptarë nga VMRO-DPMNE. Aksioni në Brezë nuk kishte të bënte as me luftën dhe as me paqen. Dorëheqja e vonuar e zv/ministrit të Punëve të Brendshme, Refet Elmazi, duhet t‘i bënte me dije Kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruveskit, se imami nuk futet në kishë, por prifti dhe nëse e mban për sy e faqe, më mirë të mos jetë. Videot që qarkulluan një ditë më pas, kur policët maqedonas krenoheshin me "gjahun", nuk ishin të rastësishme. Ishin aktivistët e VMRO-DPMN-e që mundoheshin të tregonin se çfarë mund t‘u bëjnë shqiptarëve.

Dhe rasti i fundit në qytetin e Shkupit, është edhe më i çmendur. Persona të panjohur gjuajnë mbi makinën e policisë maqedonase, vrasin një polic dhe plagosin dy të tjerë, pataksin gjithë qytetin dhe ikin me makinë në fshatin Haraçinë. Në një qytet ku policia dhe ushtria nuk po merrnin frymë, pse duhej ata pikërisht t‘i drejtoheshin një fshati shqiptar. Nëse Gruevski mendon se mund të ndërmarrë një aksion edhe ndaj këtij fshati, le të shkojë deri në Tetovë, le të mbajë kokën nga ana e djathtë e autostradës dhe le ta shohë me kujdes përmendoren që ka vendosur për ushtarët e vrarë në vitin 2001. Ishte një leksion shumë i mirë, edhe pse ka detyruar fatkeqët të vdesin. Kur me një izolim mediatik dhe me Serbi e Rusi nuk ke mundur të detyrosh shqiptarët të largohen nga ky vend, sot me prezencën ndërkombëtare, me aq shumë media dhe një Ballkan që është ngopur me gjak, nuk e bën dot aq sa arritët ta bashkojnë Maqedoninë me Bullgarinë. Harroje!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›