Çmimi i naftës: Fituesit dhe humbësit
Rritja e frikshme e paralajmëruar gjatë gjithë vitit 2007 e çmimit të naftës bruto u bë realitet në këto ditë të para të vitit 2008. Të mërkurën, më 2 janar, çmimi i një fuçie nafte arriti rekordin historik prej më shumë se 100 USD, të paparë ndonjëherë deri tani në tregjet ndërkombëtare. Ky çmim kaloi dhe atë të quajtur "çmimi rekord" të vitit 1980, kur si pasojë e efekteve të revolucionit islamik në Iran një fuçi u shit me 99.04 USD. Edhe në Londër, "Brent" nafta bruto e detit të veriut u shit në një nivel rekord të paarritur ndonjëherë deri tani, 98 USD/fuçi. Këtij fakti shqetësues i shtohen dhe preokupimet ndërkombëtare për dhunën në Nigeri dhe pasojat që ajo mund të sjellë për një nga vendet më të mëdha prodhues e eksportuese të naftës në botë; problemet e destabilitetit politik dhe marrëdhëniet e acaruara me islamistët në Algjeri, edhe ky një vend prodhues e eksportues nga më të fuqishmit; temperaturat e ulëta dhe tornadot në detin e veriut dhe gjirin e Meksikës që janë dhe dy nga rajonet më të mëdha në prodhimin e naftës, tensionet me Iranin dhe situata e pastabilizuar në Irak etj. Në këtë situatë kaq të ngarkuar e shqetësuese, Shtëpia e Bardhë deklaroi menjëherë se "SHBA nuk do ta prekte rezervën e saj strategjike të urgjencës në mënyrë që të ndikonte në çmimin e arit të zi", ndërsa OPEC-u u prononcua hapur se "organizata ndihet e pafuqishme për ta ndryshuar këtë situatë".
Çfarë po ndodh me naftën? A është kjo një tendencë e përkohshme konjunkturore apo përbën një fenomen të qëndrueshëm strukturor me të cilin duhet të fillojmë të bëjmë llogaritë e reja për të ardhmen? Cilët janë fituesit dhe humbësit e kësaj situate? Cilat janë strategjitë me të cilat vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim duhet të ndërtojnë për ta përballuar dhe në një farë mënyre për të bashkëjetuar me këtë krizë? Çmimi i naftës dhe efektet inflacioniste: sa të afta janë politikat monetare të bankave qendrore që ta ndalojnë këtë spirale? Këto janë pyetjet dhe pikëpyetjet më të mëdha që shqetësojnë sot politikën, botën e biznesit dhe atë financiare, tregjet dhe konsumatorët.
Natyrisht që këto janë dhe pyetjet e çdo konsumatori shqiptar, kur për qëllime biznesi, tregtie apo konsum individual e ble naftë me 145-150 lekë/litri. Ato janë gjithashtu dhe pikëpyetjet e vendimmarrësve politikë shqiptarë kur analizojnë apo nxjerrin ligje e vendime për rregullimin e tregut të karburanteve, kur përcaktojnë nivelin e ngarkesës fiskale dhe akcizës për naftën. Ato përbëjnë dhe objektin kryesor të analizave ekonomike e financiare të specializuara për të përcaktuar ndikimin në rritjen e mundshme të çmimeve dhe inflacionit dhe matur ato që quhen si "efekte të raundit të dytë" në ekonomi etj. Shqetësimeve të kësaj natyre nuk i shpëton as fakti se kemi vite e vite që diskutojmë për projektin AMBO dhe akoma gjithçka është në letër, se kemi vite që vijmë vërdallë për të ndërtuar një TEC apo "Petroliferë" dhe nuk avancojmë asnjë centimetër përpara, se dëgjojmë çdo ditë për naftësjellës e gazësjellës rus, ruso-greko-turk, zvicerano-italian etj., që do kalojnë në territorin e Shqipërisë dhe koha kalon pa asgjë konkrete, se sektori i naftës në Shqipëri do të mund të modernizohet shpejt mbas privatizimit të tij etj., etj.
Vlerësimi i përgjithshëm sipas D.Yergin, president i Cambridge Energy Research Associates është se "shqetësimet dhe paqartësitë për nivelin e ofertës së naftës në tregjet ndërkombëtare po shkaktohen gjerësisht si pasojë e tensioneve të natyrës gjeo-politike". Analistët më autoritarë në këtë fushë evidentojnë faktin se "këtë radhë, përtej lojës së lirë ofertë-kërkesë në treg, kemi të bëjmë më një ndeshje shumë më të madhe gjeo-politike e strategjikë, kemi të bëjmë me politika që kanë objektiva dhe instrumente të qarta". Më shumë se kurrë, problemi i naftës dhe çmimit të saj po vendoset dhe zgjidhet në kancelaritë kryesore politike, bordet kryesore financiare dhe grupimet e mëdha të biznesit ndërkombëtar. Në vlerën e këtij çmimi historik më të lartë se 100 USD/fuçi, të gjithë janë të bindur, se në këtë moment nuk reflektohet aq shumë mungesa e naftës apo kërkesa shumë e lartë për të nga vendet e zhvilluara dhe ato emergjente. Ky çmim reflekton politikat dhe vendimet strategjike në radhë të parë të vendeve kryesore prodhuese dhe pastaj të kompanive multinacionale prodhuese e tregtuese, qeverive të mjaft vendeve të zhvilluara e emergjente etj. Sipas Ch.Ghanem, President i Korporatës Kombëtare të naftës në Libi, "OPEC-u nuk ka mundësi që të bëjë ndonjë gjë të madhe në këtë situatë. Pjesa më e madhe e vendeve anëtare të tij po prodhojnë tashmë në kapacitetet maksimale të tyre. Për ta zbutur apo zgjidhur problemin duhet që "vendet kryesore konsumatore të ulin taksat dhe akcizat mbi naftën", thekson Ghanem. Edhe Abdallah Attiyah, ministri i Naftës i Katar-it nënvizon faktin se "po të ishte thjesht çështje oferte nafte në treg ne mund të kishim vepruar, por në këtë rast bëhet fjalë për gjeopolitikë evidente".
Për vendet kryesore prodhuese, fitimet nga shitja e naftës apo siç cilësohen ndryshe "renta petroliere", u krijon atyre mundësi kolosale që të krijojnë fonde të pavarura dhe t‘i investojnë ato vende të tjera duke diversifikuar burimet e të ardhurave dhe ju larguar kështu lidhjes 100% të ekonomive të tyre vetëm me të ardhurat nga nafta. Kështu, p.sh., sipas FMN, "Abu Dhabi Investment Authority" (fondi më i madh qeveritar në botë i ngarkuar që të investojë të ardhurat nga nafta të Emirateve të Bashkuara Arabe), si pasojë e këtij çmimi të lartë të naftës do të kishte në dispozicion mbi 875 miliardë USD për t‘i investuar në emër të qeverisë së Emirateve Arabe. Po kështu, duke ju referuar parashikimeve të disa bankave të mëdha që operojnë në rajonin e Lindjes së Mesme, "fondet publike dhe private në disa vende të këtij rajoni do të kapitalizonin 3-4 miliardë USD nga ky proces". Nafta e shtrenjtë është gjithashtu dhe një burim kolosal fitimi për grupin e kompanive më të mëdha multinacionale të këtij sektori të quajtura "Big Oil"(Exxon, Shell, British Petrolium, Total, Chevron, ConocoPhillips etj.), të cilat vlerësohet se që prej vitit 2005, vit në të cilin filloi rritja e pandalshme e çmimit të naftës, kanë arritur të realizojnë fitime fantastike, të cilat i kalojnë ndjeshëm te 100 miliardë dollarët.
Por ato që përfitojnë më shumë nga rritja e çmimit të naftës janë në radhë të parë qeveritë e vendeve prodhuese të naftës, ku përveç vendeve të Lindjes së Mesme futen dhe vende si: Rusia, Kazakistani, Algjeria, Nigeria, Venezuela etj. Sipas R.Dubley, President i konsorciumit anglo-rus TNK-BP, "kur çmimet rriten janë qeveritë tona ato që përfitojnë më shumë. Multinacionalet kontrollojnë vetëm 8% të rezervave botërore të zbuluara, ndërsa kompanitë nacionale të vendeve prodhuese zotërojnë 37% të tyre". Ndërkohë, sipas AIE (Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë), duke parë tendencën e politikave të qeverive dhe liderëve politikë në këto vende, deri në vitin 2030 "kompanitë nacionale do të arrijnë të zotërojnë mbi 75% të rezervave të shfrytëzueshme". Ajo që vlerësohet si tipari dhe karakteristika më e qëndrueshme e këtyre qeverive, sipas CNUCED (Konferenca e Kombeve të Bashkuara për tregtinë dhe Zhvillimin) është fakti se "nga 25 vendet e para të klasifikuara si zotëruesit e rezervave më të mëdha të naftës dhe gazit në botë, 21 prej tyre janë vende në zhvillim ose vende në tranzicion". Këto vende dhe qeveri "për të diversifikuar ekonomitë e tyre, financuar projektet dhe programet e mëdha sociale e infrastrukturore, të cilat garantojnë stabilitet politik, kompensuar bilancet tregtare negative dhe përballuar krizën e çmimeve të lëndëve të para kryesisht bujqësore do të kenë vazhdimisht nevojë për shumë kapitale e burime financiare origjina kryesore e të cilave mbeten të ardhurat nga shitja e naftës". Gjithashtu, pjesa dërrmuese e këtyre vendeve kanë filluar t‘i rinegociojnë kontratat me kompanitë e mëdha multinacionale, sepse ato vlerësojnë se "koha e kërkuar nga këto kompani për të shlyer investimet fillestare të kërkimit dhe nxjerrjes së naftës është më e shkurtër, kështu që këto kompani duhet të fillojnë sa më shpejt që ta ndajnë fitimin dhe prodhimin me qeveritë e këtyre vendeve". Kjo tendencë e re po bëhet gjithashtu një burim i ri tensioni edhe në nivel ndërkombëtar.
Ata që po humbin më shumë nga kjo situatë janë vendet konsumatore të naftës, të cilat importojnë sasira të konsiderueshme, janë konsumatorët e këtyre vendeve që po i ndiejnë çdo ditë efektet e këtij fenomeni në çmimet e naftës dhe benzinës për makinat e tyre, në çmimet e transportit ajror e detar, në çmimet e mallrave e produkteve që përdorin naftën si burim kryesor energjie, në çmimin e energjisë për ngrohje apo ftohje etj. Buxhetet e shumë vendeve të zhvilluara, por sidomos atyre të varfra dhe në zhvillim po e ndiejnë së tepërmi efektin negativ të rritjes së çmimit të naftës. Shumë vende po rishikojnë politikat e tyre fiskale për ta ulur ngarkesën tatimore mbi këtë produkt që në këtë mënyrë të mund të shpresojnë në një ulje të çmimit të tij në tregjet e tyre; shumë vende të tjera po përpunojnë politika e skema subvencionuese për naftën dhe gazin; të tjerë po rishikojnë të gjitha politikat e tyre energjetike dhe përveç shtimit me përparësi të investimeve për nxjerrjen e naftës në vend, po ndërtojnë intensivisht "politika specifike të përfshirjes në rrjetet kryesore të naftë e gazsjellësve", apo politika të "lehtësimit të financimeve strategjike të kërkimit, përpunimit dhe trasportit të naftës në territoret e tyre", etj.
Gjeopolitika e naftës dhe përfshirja aktive në të e çdo qeverie vlerësohet se do të jetë fokusi kryesor i vendimeve strategjike dhe politikave nacionale, rajonale e ndërkombëtare për 20-30 vitet e ardhshme.