Ushtarakët: Kodi i Nderit tonë
Kodi i Nderit të studentit në universitetin ushtarak "Skënderbej" thekson se, "Studenti nuk gënjen, nuk vjedh e nuk kopjon/mashtron". Por pjesa tjetër më problematike e këtij kodi, është ajo që njihet si "klauzola e mostolerimit", ku thuhet se "dhe nuk toleron ata që bëjnë kështu". Kjo pjesë e dytë e kodit, megjithëse nënkuptohet, nuk gjendet më e cituar shprehimisht në shumë nga kodet e nderit të akademive ushtarake, por vazhdon të qëndrojë në Akademinë e West-Point dhe atë të Forcave Ajrore të SHBA. Kjo klauzolë është vënë nën goditjen e shumë kritikëve, si jorealiste, anakronike dhe tepër e ashpër. Kritikët pretendojnë se, klauzola e sipërpërmendur zbatohet vetëm në rastet e kundërvajtjeve ekstreme, ndryshe ajo anashkalohet. Ata mendojnë se, gënjejmë veten nëse presim që studentët të vuajnë pasojat e demaskimit publik ose "veçimit duke mos i folur me gojë kundërvajtësit/shkelësit të kodit", për çështje kaq ekuivoke si nderi personal. Sipas tyre, seancat dëgjimore me komisionin e nderit apo disiplinor kthehen në një tentativë sesi të shpëtosh, ose nga ana tjetër, "kërkimi i gjilpërës në kashtë". Nganjëherë ankesa shkon deri në heqjen fare të Kodit të Nderit, duke mos i dhënë mundësi studentit të marrë përgjegjësinë e një vendimi personal mbi moralin. Në radhët që vijojnë, bëhet një përpjekje për të argumentuar të kundërtën: mbajtjen e Kodit aq të rëndësishëm të Nderit në trupën e studentëve dhe disa mënyra për të mbështetur studentët në përpjekjet për të zbatuar e jetuar dita-ditës me kodin e tyre.
Besnik ndaj vendit e kombit?
Arsyeja e parë për të mos hequr dorë nga Kodi i Nderit është e ngjashme me pikën 7 të "Rregullave Ndërkombëtare të Lundrimit" që thekson se, "çdo anije duhet të përdorë gjithë mjetet e mundshme në dispozicion për të hetuar, nëse ka rrezik përplasjeje dhe për ta shmangur atë". Në këtë linjë mendimi, Kodi i Nderit dhe sjelljes së studentit ushtarak, është mjeti më i mirë në dispozicion për t‘i familjarizuar studentët tanë me shkallën e përgjegjësisë morale, që do t‘ju kërkohet atyre nga populli shqiptar, të cilit shumë shpejt do t‘i betohen solemnisht. Po të dorëzohemi të zhgënjyer nga vështirësia e zbatimit të kodit dhe ta heqim këtë "radar moral", është njësoj sikur t‘i heqim radarin e kërkimit, kapitenit të anijes, për ta çliruar këtë të fundit nga përgjegjësia e një përplasjeje të mundshme. Në këtë mënyrë, nuk bëjmë gjë tjetër veçse vendosim studentët tanë, që në fillim në një kahje që shkon ndesh me detyrën, nderin dhe me atë ç‘ka Atdheu pret me të drejtë prej tyre.
Të gjithë drejtuesit, komandantët e trupa pedagogjike në UUS janë të shqetësuar për edukimin moral të oficerëve të ardhshëm të FASh dhe harxhojnë kohë e energji duke diskutuar mbi domosdoshmërinë e faktit që Etika Ushtarake duhet të jetë në harmoni me vlerat e shoqërisë shqiptare. Megjithëse përpiqemi e vuajmë kaq shumë për të treguar pse Etika Ushtarake shkon krah për krah me normat shoqërore, studentët nuk mund të kalojnë pa vënë re se, standardet e sjelljes që mundohen të vendosin e mbajnë, shpeshherë i kapërcejnë ndjeshëm normat e sjelljes, që priten të zbatohen nga shokët e shoqet e tyre civile. Studentët tanë mund të krijojnë përshtypjen se, etika ushtarake bëhet një pikë e diskutueshme edhe në jetën e përditshme të trupës së studentëve, sidomos në kohët e sotme, kur tendenca të tilla si: relativizmi kulturor ose apologjia për çdo lloj sjellje janë gjithnjë e më të pranishme.
Një tingull fyes
Në mjediset brenda mureve të UUS do të tingëllonte fyese, marrja e masave të përditshme kundër mashtrimit, kopjimit apo vjedhjes, siç është për fat të keq e domosdoshme jashtë këtyre mureve. Duke vëzhguar këtë realitet të përditshëm, vëren se, hendeku midis standardeve që priten në sjelljen ushtarake dhe atyre që mbizotërojnë në shoqërinë civile është ende i madh. Çështja morale që shtrohet këtu, qëndron në sfidën sesa më të mëdha të bëhen këto diferenca, aq më e rëndësishme bëhet për oficerët e FA (sidomos për ata të ardhshëm) të mbajnë fort linjat, që ju ka paracaktuar shoqëria dhe të mos lejojnë thyerjen e frontit moral.
Arsyet për këtë qëndrim janë të rëndësishme, sepse në jetën e përditshme, ne mund të turpërohemi, të humbim paratë ose besimin për shkak të veprimeve të një tregtari/biznesmeni të pandershëm, për shkak të një nëpunësi të korruptuar në administratën publike apo të qëndrimeve të një politikani hipokrit. Por shoqëria shqiptare, në mënyrë instinktive është shumë më e ndjeshme ndaj fenomeneve të ngjashme, që mund të përfshijnë personelin ushtarak, pasi cenimi moral i këtyre të fundit paraqet një rrezik të patolerueshëm ndaj vetë ekzistencës së një shteti të lirë e demokratik. Besimi i veçantë, me të cilin taksapaguesit shqiptarë kanë veshur oficerin e FASh, nuk është dhënë aq lehtë dhe pa kosto. Çdo titullim oficeri në FASh (në gjithë solemnitetin e tij), është në vetvete një akt i dhënies së besimit. Nëpërmjet këtij akti, shoqëria shqiptare ju beson djemve e vajzave të zgjedhur një sasi informacioni e fuqie luftarake, që nuk mund t‘i lihet në përdorim publikut të gjerë. Por nga ana tjetër, shoqëria ka vendosur edhe një "gardh moral", si garanci që fuqia dhe besimi i dhënë të përdoret, kur ajo (shoqëria) ka nevojë, në kohën, sasinë dhe mënyrën e duhur.
Megjithatë, çdokush mund të shtrojë pyetjen: A është vallë e drejtë kjo mënyrë përqasje? Padyshim që barra e sjelljes etike duket që nuk është e shpërndarë njëlloj mbi shpatullat e civilëve dhe ushtarakëve. Por shoqëria shqiptare, ashtu si edhe shoqëritë e vendeve të tjera demokratike, e ndjen se ky shpërpjestim i barrës është sa i arsyeshëm, aq edhe i domosdoshëm. Në mënyrë që të ndjehet më e sigurtë, shoqëria shqiptare këmbëngul me të drejtë që Forcat e Armatosura dhe sidomos trupa e oficerëve, të mbajnë standardet më të larta morale dhe etike. Pikërisht përmes kësaj pritshmërie të lartë, që kanë shoqëritë për trupën e oficerëve, e trashëguar kjo prej shekujsh edhe në Shqipëri, mund të shpjegohet edhe dhënia pa kushte e "titullit" moral "zonjë ose zotëri" gjithë oficerëve apo kandidatëve për oficerë, me tërë ngarkesën e fisnikërisë që mbart ky emërtim në gjuhën dhe traditën shqiptare. Në këtë kontekst edhe vetë gradat ushtarake janë një simbol apo formë e shkurtuar për të përcjellë kumtin "Roja e Kodit." Për këtë arsye, heqja dorë nga Kodi i Etikës/Nderit për trupën e studentëve do të thotë t‘i heqësh kësaj të fundit motivin kryesor të vetë ekzistencës.
Besnik ndaj profesionit?
Traditat dhe Kodi i Etikës që përdorin Forcat e Armatosura për të formësuar të rinjtë shqiptarë (që vijnë në jetën ushtarake nga një sfond kulturor e demokratik tepër i përzier), me përgjegjësitë që shoqërojnë qenien si oficer, një vëzhguesi të jashtëm të ditëve të sotme mund t‘i duken si jashtë mode, madje edhe si relike të panevojshme. Por që me shfaqjen e fenomenit të transmetimit televiziv të luftërave apo konflikteve të armatosura në çdo kënd të botës, pothuajse në kohë reale, shikuesit në mbarë botën mund të gjykojnë vetë p.sh. se sa të sakta kanë qenë sulmet ajrore në një territor të caktuar apo si janë trajtuar robërit e luftës nga ana njerëzore në konfliktin më të fundit në Irak. Pra, në një mënyrë ose tjetër, gati gjithkush është sot një kritik e analist. Kësisoj, në këtë epokë të informimit e të komunikimit të menjëhershëm, nuk është më praktikisht e mundur që jeta dhe veprimtaria e përditshme e studentëve ushtarakë të mbulohet pas besimit fals se, koha dhe distancat do të shërbejnë si mburojë para syve dhe gjykimit të opinionit publik. Në një atmosferë të tillë, Kodi i Nderit të trupës së studentëve, jo vetëm që nuk mund të quhet anakronik, përkundrazi, ai i shërben realisht dhe në kohë edukimit dhe përgatitjes së oficerëve të rinj. Megjithëse nganjëherë të ashpra, nenet e Kodit të Nderit e mbajnë sjelljen e studentit ushtarak në standarde më të larta se norma shoqërore. Ato kanë një funksion të rëndësishëm: t‘i kujtojnë studentëve në mënyrë të vazhdueshme natyrën e jashtëzakonshme të detyrës së tyre morale ndaj popullit, të cilit kanë zgjedhur vullnetarisht t‘i shërbejnë. Standardet minimale të moralit që thekson Kodi i Etikes mund të konsiderohen edhe si "një test (moral) i përshtatshmërisë fizike e shëndetësore". Njëlloj si në testin e përgatitjes fizike, nëse studentët nuk arrijnë të kalojnë gjatë zhvillimit të programit në Universitetin Ushtarak dhe vazhdimisht gjatë gjithë kohës së shërbimit të tyre në Forcat e Armatosura, ata konsiderohen si të papërshtatshëm për vazhdimin e kësaj karriere. Mënyra e vetme për "të kaluar" këtë test është ushtrimi i gjykimit moral në mënyrë të përditshme. Nëse studentët nuk arrijnë të qëndrojnë në lartësinë e standardeve morale që kërkohen prej tyre, ata nuk konsiderohen më si të përshtatshëm për këtë lloj shërbimi, njëlloj sikundër do të ndodhte po të shpalleshin të paaftë nga ana e performancës fizike e shëndetësore.
Besnikë dhe ndaj studentëve
Mbajtja e standardeve të Kodit të Nderit, sidomos e klauzolës se mostolerimit, është vërtet një proces tejet i vështirë, i ashpër dhe kërkues. Shpeshherë, sikundër dëshmojnë përvojat tona dhe të akademive ushtarake të vendeve të tjera, ky proces ka bërë të përfundojnë fatkeqësisht para kohe shumë karriera premtuese. Atëherë vetiu lind pyetja: Çfarë e bën këtë Kod të duket kaq i ashpër dhe hera-herës, sikundër pretendojnë kritikët e tij, si jorealist dhe i pazbatueshëm?
Duket se, vështirësia qëndron në kundërshtinë që shoqëron përpjekjen për mbajtjen fort të dy shtyllave të rëndësishme dhe njëkohësisht kërkesa të domosdoshme të shërbimit ushtarak: nderin personal të studentit ushtarak dhe qëndrimin besnik ndaj studentëve të tjerë dhe trupës së studentëve në përgjithësi. Këtu ndeshemi me përvojën e pashkruar shekullore të institucioneve të tilla, që tradicionalisht "kërkon" nga studentët të mos "spiunojnë" kurrë një shok klase. Megjithëse studentëve u janë bërë të qarta përparësitë që duhen ndjekur në rastet e thyerjeve të Kodit të Nderit, përsëri dilema e tyre mbetet e hapur, kur vjen çështja për të vendosur midis nderit (vrasjes së ndërgjegjes) personale dhe përballjes me pasojat e denoncimit të një thyerje të Kodit të Nderit. Për fat të keq, sikundër tregojnë përvojat edhe në vende me tradita të mëdha në këtë fushë, zgjidhja e kësaj dileme nga studenti paraqitet ende e vështirë. Kjo vjen për shkak të natyrës njerëzore, frikës për t‘u përballur me pasojat negative të një opinioni studentësh jo miqësor, që mund të shoqërohet edhe me qëndrime ekstreme si: izolimi i studentit nga grupi shoqëror apo abuzimet verbale e madje fizike që mund të pësojë ai.
Megjithatë, le të mos harrojmë faktin se, institucione të tilla si universitetet apo akademitë ushtarake janë nën shqyrtimin e vazhdueshëm të opinionit publik dhe është pikërisht ky i fundit që kërkon me të drejtë një standard të lartë moral për trupën e studentëve. Problemi që ballafaqohemi në këtë rast është sikundër u përmend me lart, hendeku midis sjelljes së pritshme dhe asaj aktuale. A është vallë kaq e madhe mospërputhja midis standardeve të vendosura dhe mundësive reale për t‘i arritur ato? Këtu duhet pasur shumë kujdes në ruajtjen e një ekuilibri realist, pasi e kundërta të vendos para një situate më të vështirë. Në këtë këndvështrim vërehet se, kur hendeku midis aspiratës dhe gjasave për arritjen e saj (ose idealeve) bëhet shumë i gjerë, atëherë vetë ideali nuk shërben më si motivues për një performancë të mirë. Përkundrazi, në këtë rast kemi humbje shprese, dorëheqje, një ndjesi se, ideali është aq i largët për t‘u arrirë, sa që çdo përpjekje është e destinuar të dështojë. Përvojat e shumë institucioneve të arsimit ushtarak (përfshi edhe përvojën tonë me shkollat ushtarake në kohën e regjimit totalitar) tregojnë se, ky fenomen shoqërohet me rënie të moralit. Për të shmangur dështimin, në këto institucione ndodhin raportime false, shfaqet mentaliteti i të qenit në rregull me numrin e pjesëmarrësve që kërkohen në rresht, e të tjera si këto që çdo ushtarak shqiptar me një përvojë mbi 15 vjeçare do t‘i kuptonte e plotësonte me shembuj të panumërt.
Me fjalë të tjera, ky hendek është i pranishëm në institucione të tilla të arsimit ushtarak. Por qëllimi i këtyre radhëve është të tregojë besimin se, hendeku në fjalë nuk mbyllet duke kërkuar ekstremet e tij: heqjen fare të standardeve morale ose ngritjen e tyre në nivele të pa-arsyeshme. Në këto raste ndodh më e keqja, pasi tek studentët përcillet mesazhi se, atyre nuk mund t‘ju besohet asgjë dhe se ata janë krejt të pashpresë. Rezultatet e këtij qëndrimi ekstrem janë të njëjta: zhgënjime, sjellje të pahijshme, apati e paralizë morale, që mund të çojnë në kolapsin e një institucioni apo organizmi të tërë.
Kursi më i mirë për t‘u ndjekur do të ishte ai që i jep mundësi studentit ushtarak, (me gjithë defektet që ai paraqet - askush nuk pret përsosmërinë prej tij!) të mbajë vetë përgjegjësinë për sjelljen e tij. Në këtë kurs të gjatë e të vështirë, ai ndihmohet nga të dy anët: djathtas janë nenet e Kodit të Nderit, që duhet të mbeten të forta, ndërsa majtas janë praktikat disiplinore, që ndiqen në universitet apo akademi, për të cilat është detyra jonë si drejtues që ato të jenë praktikat e duhura, të drejta e të qëndrueshme. Ne duhet të sigurohemi që ato zbatohen si masa për të vendosur drejtësinë dhe jo si akte të një hakmarrjeje për motive të dobëta.
Dy mesazhet
Në këtë mënyrë, studentit ushtarak i ofrohen dy mesazhe të rëndësishme, që mund të mos këtë pasur shansin t‘i jepeshin më parë nga shkolla apo edhe familja e tij. Mesazhi i parë thotë se, Nderi është shumë i rëndësishëm, dhe i dyti se "Falja mund ta shoqërojë fare mirë atë".
Gjithsesi, edukimi etik në trupën e studentëve, më tepër se një sistem i mbyllur, është një proces, ku mundësia e dështimit mbetet gjithnjë e pranishme. Studentët ushtarakë përgatiten për t‘u bërë drejtues njerëzish (brenda njësive ushtarake) në situata tejet të vështira e stresante. Në një epokë, kur edhe veprimet e ndërmarra në kohe lufte i nënshtrohen një gjykimi të rreptë moral nga opinioni dhe ligjet humanitare ndërkombëtare, vendi më i mirë për t‘i vendosur e përforcuar standardet e domosdoshme morale janë akademitë dhe universitetet ushtarake. Matësi dhe ruajtësi më i mirë për to është Kodi Etik ose sikundër e kemi quajtur deri tani, Kodi i Nderit.
Akademitë dhe universitetet ushtarake kanë detyrimin moral t‘i stërvitin studentët e tyre për një mbijetesë fizike dhe emocionale. Gjithnjë e më tepër, në ditët tona po i kushtohen studime të specializuara fenomenit të dëmtimeve emocionale në kohë lufte. Sipas këtyre studimeve, pjesa dërrmuese e traumave psikologjike është shkaktuar, kur të dëmtuarit (tashmë pacientë dhe objekt i studimit) kanë qenë pjesëmarrës apo thjesht dëshmitarë në shkeljet flagrante të asaj ç‘ka përbën të drejtën, të moralshmen, etikën. Në këtë aspekt, është sërish edukimi i vazhdueshëm me standardet morale të Kodit të Nderit, që mund të shërbejë si një masë parandaluese për këto fenomene të rënda, që shoqërojnë situata të veçanta krizash e luftrash.
Për ta mbyllur dhe duke dashur të ruaj të njëjtën linjë të argumenteve të shtruar në radhët e mësipërme, do të citoja një shprehje që i atribuohet Presidentit Linkoln, e thënë pikërisht në një rrethanë kur diskutimi ishte për "mbylljen e njërit sy", për të shmangur reagimet e pakëndshme: "Ajo ç‘ka i bën njerëzit burracake, është mëkati i heshtjes kur duhej të ngrinin zërin në protestë". Burracakëria morale është një fjalë dhe gjykim i rëndë, aq më tepër në zakonet dhe traditën shqiptare. Por kjo do të ishte përkundrazi një sfidë për studentët tanë ushtarakë. Kësisoj, ata do ta shihnin institucionin e tyre arsimor, si një vend ku janë vetë studentët që kanë në dorë nderin e tyre, si një vend ku zakonisht ndiqet shtegu i nderit, shtegu i së drejtës, sado i vështirë të jetë ai. Ky do të ishte institucioni që nxjerr udhëheqësit e denjë të së ardhmes.
LETRA
Edi Rama
u shkruan
kryeqytetasve
për plehrat
Të dashur bashkëqytetarë e bashkëqytetare,
Po ju drejtohem publikisht lidhur me shqetësimin e krijuar në zonën perëndimore të kryeqytetit ose, më saktë, në zonën nga bulevardi "Dëshmorët e Kombit" deri në daljen e Tiranës drejt Durrësit apo Shkodrës, për shkak të mosmbledhjes së rregullt të mbeturinave e të grumbullimit të masave të mëdha të tyre rreth kazanëve përgjithësisht të dëmtuar rëndë. Jam po aq i shqetësuar sa edhe të gjithë ju dhe, njësoj si ju, e konsideroj gjëndjen e krijuar skandaloze. Mirëpo duke qenë se në pozicionin ku ndodhem, unë jam jo thjesht për t‘i konstatuar po, në rradhë të parë, për t‘i zgjidhur problemet, shumëkush ndër ju mund të thotë, "Cc‘i do llafet zoti Kryetar, na pastro plehrat!". Padyshim që s‘mund të mos i jap të drejtë kujtdo që e thotë këtë, por, më anë tjetër, është po ashtu detyra ime t‘ju shpjegoj sesi qëndrojnë gjërat, sidomos në një rast si ky, në mënyrë që secili prej jush të ketë një pamje të qartë të arsyeve të kësaj gjendje dhe të rrugës që duhet të ndjekim për të dalë prej saj. E cila, e përsëris, është e patolerueshme.
Unë e kam marrë votën tuaj më 18 shkurt të vitit të shkuar edhe sepse premtova që në vitin 2011 Tirana do të jetë qyteti më i pastër i Shqipërisë. Dhe do ta mbaj këtë premtim. Por ndërkohë në pjesën perëndimore të Tiranës duket sikur filmi po kthehet mbrapsht, në të shkuarën e viteve ‘90 kur plehrat bëheshin kapicë e nuk mblidheshin me ditë e, largqoftë, me javë të tëra. C‘ka ndodhur? Kompania e pastrimit që mbulon zonën perëndimore ka mbaruar kontratën e saj të rregullt me Bashkinë e Tiranës dhe në ndërkohë Agjensia e Prokurimit Publik pranë Këshillit të Ministrave ka anulluar padrejtësisht dy tenderat e kryer për të zgjedhur kontraktorët e rinj për këtë zonë, e cila, në bazë të strategjisë sonë të re për pastrimin, do të ndahet në dy pjesë. Me APP-në do ballafaqohemi në gjyq për vendimin tërësisht arbitrar dhe me pasoja për mbarëvajtjen e punëve të qytetit e për cilësinë e jetës së komunitetit, por kjo ka pak rëndësi në rrugën e zgjidhjes së problemit pasi gjyqi do të marrë vite ndërkohë që problemi rëndohet përditë.
Kompania në fjalë, pra ajo që operon aktualisht në zonën perëndimore prej pesë vjetësh, megjithë një shtyrje disamujore të kontratës, nuk arrin apo nuk bën më asnjë përpjekje serioze për të arritur t‘i përgjigjet nevojave për të cilat është kontraktuar. Vetëm shtyn ditët dhe merr cdo natë gjoba për mosrespektim të kontratës. Pavarësisht këtyre gjobave kompania nuk reagon pozitivisht. Në bazë të ligjit e në funksion të një ndërhyrjeje sa më të shpejtë Bashkia e Tiranës ka hapur një procedurë emergjence. Nëse gjithshka shkon sipas parashikimit, katër kompani "shpëtimi" do të kontraktohen në fund të janarit për një periudhë disamujore ndërhyrjeje stabilizuese në zonën perëndimore. Kjo periudhë do të zgjasë derisa të përfundojnë procedurat normale për të lidhur kontratat përfundimtare me kompanitë që do të fitojnë garat e reja. Jo vetëm për zonën perëndimore, po për të gjithë Tiranën. Jam shpresëplotë se, në rast se qeveria nuk fut hundët si dikur në puplat e Zogut të Zi për të nxjerrë përfitime politike nga kazanët e plehrave, brenda një muaji gjendja në zonën perëndimore do të stabilizohet dhe në pranverë do të fillojë në të gjithë Tiranën rruga drejt realizimit të objektivit për ta bërë qytetin tonë më të pastërtin e Shqipërisë.
Ky është një objektiv plotësisht i arritshëm, por që kërkon një standart të ri jo vetëm në shërbimin e Bashkisë përmes kompanive të pastrimit, po edhe në sjelljen e qytetarëve në raport me mjedisin e me detyrimin për të kontribuar, jo thjesht duke mos ndotur po edhe duke paguar rregullisht tarifën e pastrimit. Të cilën ka plot ndër ne që nuk e paguajnë fare edhe pse është një tarifë që tanimë mund të quhet me plot gojën qesharake, 2100 lek në vit për familje, më e ulët edhe se në disa qytete të vogla të Shqipërisë, ndërkohë që pa asnjë dyshim këta qytetarë janë ata që bërtasin më shumë se të tjerët për plehrat e papastruara. Kjo është njësoj si të mos e paguash dritën e të duash drita, të mos e paguash ujin e të duash ujë, të mos e paguash autobuzin e të duash autobuz e me rradhë. Ose, me fjalë të tjera, të mos e paguash shërbëtorin e të bërtasësh pse nuk ke shërbëtor! Por cuditërisht këta lloj qytetarësh nuk duan ta mësojnë ende se shërbëtori shtet, Bashkia në këtë rast, i paguan kompanitë për shërbimin e pastrimit të qytetit me ato lekë që mbledh nga qytetarët në formën e tarifës së pastrimit dhe nuk ka ndonjë shpellë thesari, nga ku mund të tërheqë ar për të kompensuar detyrimet e papaguara të qytetarëve të saj.
Standarti i ri e i domosdoshëm në shërbimin e pastrimit kërkon që padyshim kompanitë të paguhen më mirë, sepse një nga arsyet e problemit që vetëm sa na është shfaqur sot, por që mund të kishte marrë me kohë përmasa të padëshirueshme, është fakti se rritja e kostos së shërbimit nuk është shoqëruar me rritje të pagesës për kompanitë. Këtu mjafton si shembull e vërteta se ndërkohë që cmimi i naftës është rritur thuajse dyfish nga koha e lidhjes së kontratave, kompania aktualisht paguhet për po atë cmim që nafta kishte në atë kohë, këtu e pesë vjet më parë! Mirëpo kjo s‘mund të vazhdojë më tutje. Nëse duam një Tiranë të pastër duhet të përballojmë koston që ka ky shërbim në vitin 2008 dhe për këtë duhet jo vetëm ta paguajmë që të gjithë pa përjashtim tarifën e pastrimit, por edhe ta rrisim shkallë-shkallë, duke synuar që brenda vitit 2011 të përballohet plotësisht prej nesh kostoja e standartit që synojmë. E kjo është plotësisht e mundur. Falë vetëdijes së lavdërueshme të opinionit kryeqytetas, sic rezulton nga anketime të ndryshme dhe nga të gjitha dëgjesat publike që ne kemi organizuar e ku kam marrë pjesë vetë, ka një gatishmëri thuajse unanime të qytetarëve për të paguar më shumë me qëllim marrjen e një shërbimi më të mirë pastrimi.
Bashkia e Tiranës ka një strategji të qartë për ta përballuar me sukses sfidën e uljes së ndotjes së qytetit tonë. Për fat të keq, Qeveria e sotme e Shqipërisë nuk ka asnjë vizion dhe asnjë program konkret kundër ndotjes së qyteteve tona, gjë që e bën një pjesë të konsiderueshme të strategjisë sonë vendore ende të papërdorshme për shkak se, në kuadrin ligjor ekzistues të Republikës së Shqipërisë, cështjet e mjedisit janë përgjithësisht të lidhura me politikat kombëtare e me qeverisjen kombëtare. E cila do të duhej të harmonizohej me qeverisjen vendore për t‘u dhënë drejtim problemeve të ajrit të ndotur, të ujrave të ndotur, të tokës e të rrugëve të ndotura. Bashkisë në këto kushte i mbetet si përgjegjësi e kompetencë ekskluzive shërbimi i pastrimit të qytetit nga mbeturinat. Kriza aktuale në zonën perëndimore është një krizë e padëshiruar, por, si cdo krizë, është edhe një shans! Një shans për të kuptuar të gjithë më mirë sesa delikate është cështja e pastrimit të Tiranës, sesa e nevojshme është përfshirja e të gjithëve në këtë proces jetik për bashkëjetesën qytetare dhe, në fund të fundit, sesa e mundur është të realizojmë së bashku atë që sot duket gabimisht e pamundur: Tiranën kampione të pastërtisë në vitin 2011.