E Diel, 1 Nëntor 2026

"TO BE YOURSELF!"

"Të jesh vetvetja" në vështrim të parë duket si një prej gjërave më të lehta të kësaj bote. E përse të mos jesh fundja, kur kjo është një e drejtë e lindur bashkë me njeriun individ e qytetar?! Megjithatë, të jesh vetvetja ka qenë gjithnjë, por sot është dhe më shumë një prej gjërave më të vështira të kësaj bote.

Kundër kësaj të drejte thelbësore të njeriut dalin, madje, edhe këngët e djepit. Nënat shqiptare u kanë kënduar fëmijëve të tyre t‘u bëhen si Skënderbeu e Mic Sokoli, si Naimi e Ismail Qemali, si Shote e Azem Galica, si heronjtë e Rilindjes dhe dëshmorët e luftës antifashiste. Ato u kanë uruar fëmijëve të tyre të bëhen si një model i parazgjedhur. Dhe vetë ata, një brez pas tjetrit, deri te ky më i riu, kanë ëndërruar të bëhen si modeli: Barbi, Batman, Superman, Bratz, si djemtë e vajzat e pabindura të "rebel-de-way". Gjithnjë një model, prej historisë së gjallë apo prej asaj të fantazuar; prej botës njerëzore apo prej asaj të magjishme, qëndron përpara njeriut që rritet dhe i kërkon të jetë si ai, domethënë të mos jetë vetvetja.

Gjithë historia e gjatë e njeriut është një mospajtim i pafund midis diktatit të modelimit të individit si tjetri, nga njëra anë, dhe prirjes së vetvetishme të tij për të qenë i përveçëm, i ndryshëm, vetvetja. Një prej miteve më të vrazhdë, që veproi për të shuar vetjet nga kjo botë dhe për të bërë të mbijetojë vetëm kallëpi, modeli, ishte ai që quhej "njeri i ri". Rrafshimi i të gjitha cilësive njerëzore në "dhjetë cilësitë e komunistit" bëri që vetjet të humbnin jo vetëm në realitetin e përditshëm, por edhe në letërsi.

Të jesh vetvetja! Nuk është aspak e vështirë të dallosh modeluesin prej atyre që e kanë harruar rrugës vetveten. Ja, njëri është krejt simetrik me ish-kryetarin socialist, madje edhe në mimikë. Njësoj si edhe ky tjetri, që fare pak dallohet prej ish-themeluesit të Partisë Republikane. Sa shumë janë këto "vetje" që shfaqen e jetojnë fatin e tjetrit! Thua se e gjitha kjo është një mallkim. "Fajin e ka parajsa" do të thoshte me filmin e tij aktori e regjisori italian F. Nuti. Gjithë jetën personazhi qendror i filmit kishte ëndërruar të shihte dhitë e bardha të malësive alpine. Kurse tjetri kishte ëndërruar vetëm të gëzonte familjen e vet. Por ndodh krejt e kundërta: fatet i çojnë ëndrrat në kahun e përkundërt: dhitë e bardha rastis t‘i shohë ai që nuk i kishte ëndërruar kurrë, kurse vashën e tij e gëzon dhe e ledhaton ky tjetri!

Të jesh vetvetja është një prej sfidave më të vështira të kësaj jete. Sepse, që të jesh vetvetja, së pari, do të thotë të kesh vete, domethënë të jesh "personalised" në këtë botë. Të paktë janë ata që e përmbushin këtë cilësi. Hidhuni një sy të shpejtë kartolinave dhe urimeve që ju kanë dërguar për Krishtlindje dhe për Vitin e Ri. Do të vëreni se shumica e tyre nuk janë shkruar personalisht për Ty. Ato janë shkruar për disa dhjetëra a qindra individë njëherësh. Asgjë s‘ka të përveçme për Ty. Ti thjesht nuk je vetje, nuk je i personalizuar. Kështu të kanë lexuar, si njëri prej atyre të listës, s‘ka rëndësi të cilës listë.

Ti mund të kesh vetje dhe mund të duash të jesh vetvetja, por kjo është një liri e rrezikshme. Nuk mund të jesh vetvetja se ashtu nuk i pëlqen mjedisit, nuk i pëlqen... ja atij që është ulur në një cep në kafene dhe duket ashiqare se s‘ta ka aspak qejfin ashtu si je. Të nxjerr nga vetja si pa e vënë re rruga, njerëzia që sillet e përsillet rreth e rrotull, bota që sheh e dëgjon, ata që ke mbi krye dhe të gjykojnë. Të gjykojnë si je veshur, si qëndron në tavolinë, si flet e si e performon zërin, si e mban filxhanin e kafesë. Dhe ti e sheh se nuk je aspak e lirë të jesh vetvetja.

Kam parë individë të gjithfarshëm duke u arratisur vetëtimthi nga vetja, aq sa të të tronditet vetë besimi te njeriu. Madje, shpesh mjafton vetëm një telefonatë që të vëresh se si arratiset ai tjetri para teje si me magji. Ǒndodhi?! Ti tani ke përpara një tjetër njeri! Dhe pas pak çastesh të tjera do të shohësh përsëri një tjetër vetje të këtij njeriu, që është aq shumë i përhapur. Hija e së jashtmes e bën atë të ndryshojë veten me shpejtësinë e ndryshimit të ambientit. Në këtë rast nuk është as modeli historik i këngëve të djepit, as modeli industrialist i epokës së "librave të artë", por thjesht modeli të cilit duhet të jesh i pëlqyer, sepse ai të ka në dorë.

"Nuk dua t‘ia di", "as më bën përshtypje fare", dhe kushedi sa shprehje të tilla kanë shpikur njerëzia pikërisht për t‘i mbushur vetes mendjen se janë vetvetja dhe se nuk ka faktor që t‘i ndryshojë. Autorët e dramave të periudhës së parë për fjalën "personazh" shënjonin "vetjet".

Një dyshim i madh të lind për fuqinë e mitit të vetëm të botës së sotme, mitit të lirisë së individit, ndërsa sheh se si përçudnohen vetjet dita me ditë, si të mos ishin prej shpirti dhe fryme, prej idesh dhe thelbesh; si të mos ishin fare. "Ji vetvetja", të mësojnë kryeveprat e arritjes së mendjes njerëzore. Por si të jesh vetvetja, kur edhe një urim duhet ta fusësh në kallëp, edhe një përshëndetje duhet ta shtish në standard, edhe një tokje duarsh duhet ta bësh si të thonë! Ndryshe rrezikon të cilësohesh pa një pa dy njeri me çekuilibër psikik. Thjesht se ti nuk do të fshihesh, do të jesh së jashtmi ashtu si je në brendësi, që në thelb do të thotë të jesh pasuri e kësaj bote. Në fund të fundit, a nuk është pikërisht larmia thesari i botës në të cilën jetojmë? Por ti nuk e ke të drejtën të jesh vetvetja, ti duhet të jesh si modeli (para së gjithash politikisht); të flasësh e të buzëqeshësh si modeli; të varesh në kryqin e dikujt tjetër dhe të jetosh sipas skemës së tij; ti duhet të jesh ashtu si të pëlqejnë, jo ashtu si je vetë, sepse ja ku është bota, ajo ta vë notën dhe pastaj ç‘vlerë ka nëse bëre përpjekje të jesh ndryshe?

"Standardi" njerëzor i sotëm nuk ndryshon shumë prej atij të njeriut të ri të dikurshëm. Tani nuk ka më statut partie me dhjetë apo dymbëdhjetë cilësi, nuk ka ndalime e urdhnime si në tekstet ungjillore, por ka sjellje shoqërore të kodifikuara në një mënyrë të tillë që ti, për të qenë korrekt me botën e jashtme, nuk ke gjasa të jesh vetvetja. Nuk bëhet fjalë për trille dhe çmendurira. Të jesh vetvetja do të thotë në radhë të parë të jesh pakëz ndryshe prej të tjerëve, sepse po të mos jesh i tillë nuk i shton asgjë kësaj bote. Por si mund të jesh vetvetja kur pikërisht ky mjedis nga mëngjesi në mbrëmje, madje edhe natën vonë në folezën tënde të rrethuar me mure, nuk mund të shpërfaqesh së jashtmi si je së brendshmi? Dhe ne çuditemi se si në Shqipëri ka kaq shumë neuroza, ka kaq shumë psikoza masive. Si të mos ketë, kur bota e madhe bën pa pushim presion për të të bërë tjetër njeri. Atëherë ti mund të zgjedhësh t‘u shkosh për shtat rrethanave. Mirëpo, nëse ke vetje brenda vetes, çdo ditë njëra gjen forca për të bërë luftë me tjetrën. Dhe ti e ribën veten... sepse ti e do atë. Aq shumë, sa nuk përfill mitet apo idhujt që i kanë dhënë historisë më shumë seç fundja vetë i ke dhënë TI!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›