E Diel, 1 Nëntor 2026

Pushteti me police dhe Vlora me qytetare

E vetmja ngjarje (duke përjashtuar aksidentet rrugore apo vdekjet si pasojë e sherreve e dramave familjare, të cilat nuk përbëjnë më lajm në Shqipërinë e sotme) që "lëndoi" atmosferën festive të fundvitit, ishte protesta e një numri qytetarësh vlonjatë kundër atyre që kanë vendosur të ndërtojnë parkun energjitik pranë qytetit të tyre. Nuk mund të thuhet se bota mass-media-tike nuk i ka kushtuar vëmendje kësaj proteste, por jehona e saj nuk ishte asgjë krahasuar me bujën, me të cilën u transmetuan përshëndetjet e pashijshme presidenciale e kryeministrore me rastin e Vitit të Ri 2008 (disa mesazhe të këtyre përshëndetjeve u transmetuan tri a katër ditë me radhë, a thua se ishin mesazhe divine të ndonjë profeti të ri). Duhet thënë megjithatë se ata dhjetra protestues ishin të vetmit banorë të këtyre anëve, që meritonin pakëz vëmendje në këto ditë të harbimit kolektiv. Nuk di nëse ata kanë të drejtë apo jo, nuk di nëse parku energjitik në gjirin e Vlorës do të shkaktojë dëme apo jo, nuk di nëse qeveria shqiptare e ka të qartë se çfarë është duke bërë gjithashtu, por nuk ka asnjë dyshim se ata protestues besojnë në kauzën e tyre. Mund të jenë pak sonte, mund të jenë më shumë a më pak nesër, bën vaki që protesta e tyre të marrë përmasa të frikshme apo të fiket për fare në harkun e disa ditëve, por kjo nuk e çbën faktin, që ata janë të vetmit qytetarë militantë të këtij vendi.

Është për të ardhur keq, që ne të tjerët e njohim shumë pak kauzën e tyre; dhe ndërsa nuk është faji i ynë, duhet thënë se nuk është as faji i tyre. Ata pak vetë që kanë dalë të flasin për të mbrojtur gjirin e Vlorës apo për të legjitimuar vendimin e qeverisë shqiptare, nuk kanë qënë - me pak përjashtime - ekspertë të fushës. Dhe kështu, debati publik ka marrë pamjen e një ndeshjeje militantësh, të cilët përpara se të kenë qënë në gjendje për të shpjeguar gjërat, kanë qënë të interesuar për theksimin e ngjyrosjen partizane të çështjes. Ndoshta për këtë arsye, të përditshmet apo televizionet shqiptare nuk kanë mundur të dalin dot nga kurthi i pasqyrimit përshkrues të asaj që ndodh nëpër studio televizive e nëpër sheshe, pa marrë asnjë çikë mundimin për të hedhur dritë të plotë mbi gjithë situatën. Të krijohet përshtypja se ata që marrin vendime e ata që protestojnë kundër këtyre vendimeve nuk dinë në fakt asgjë lidhur me atë që bëjnë. Me siguri, nuk është kështu. Por ja, që kështu duket nga jashtë.

Një gjë është e qartë si drita e diellit, megjithatë: vendimi i marrë nga KQZ-ja për të hedhur poshtë kërkesën për të organizuar një referendum, edhe nëse nuk është i padrejtë, është i motivuar në mënyrë të pakuptueshme. "Nuk mund të lejojmë organizimin e këtij referendumi, pasi tanimë kemi një vendim qeverie" - ja, ky ishte motivacioni, mbi bazën e të cilit u hodh poshtë nga KQZ-ja kërkesa e bërë për referendum. Mirëpo, këtu pak kush është marrë me faktin, që KQZ-ja nuk ka asnjë të drejtë të japë konsiderata teknike e të përcaktojë vlefshmërinë juridike në raste të tilla. KQZ-ja thjesht ka për detyrë të verifikojë identitetin e atyre pesëdhjetë mijë shtetasve, të cilët kanë nënshkruar peticionin referendar, e më pas ka për detyrë të marrë masat për organizimin e referendumit.

Por edhe sikur ta kishte kompetencën për të përcaktuar vlefshmërinë juridike të kërkesës së bërë, motivacioni i dhënë nuk qëndron as në qiell, as në tokë. Fakti që ka dalë një vendim qeverie nuk e pengon aspak organizimin e një referendumi; përkundrazi, e shndërron referendumin në një mjet të shenjtë demokratik. Për këtë arsye njihen referendumet abrogative, dmth referendumet që synojnë të shfuqizojnë një ligj të parlamentit apo një vendim të qeverisë. Dhe referendumet abrogative nuk është se janë thjesht një koncept teorik. Në nenin 150 të kushtetutës së Republikës së Shqipërisë është shkruar e zeza mbi të bardhën, se "populli, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, …". Me këtë dua të them se referendumi abrogativ është një e drejtë e njohur edhe nga ligji themeltar i shtetit tonë. Me fjalë të tjera, duke rrëzuar kërkesën e qytetarëve të Vlorës për të organizuar referendumin, është shkelur me të dyja këmbët kushtetuta.

"Si i bëhet", më tha dikush këto ditë, teksa po tirrnim gjerë e gjatë këtë bisedë, "nëse bëhet referendumi, dhe i thuhet ‘jo‘ ndërtimit të parkut energjitik"? Ai ma tha këtë, dhe merrej vesh se për vetë atë, ndërtimi i këtij parku energjitik, jo vetëm nuk ka asnjë qeder mbi mjedisin e mbi fatin e Vlorës turistike, por është dhe një shans i madh final në planin e perspektivës energjitike të Shqipërisë. Merrej vesh gjithashtu se për të, nëse referendunmi organizohet, "jo"-ja do të jetë plebishitare.

Le të marrim për një moment si të vërteta ato që thuhen nga qeveria lidhur me rëndësinë e parkut energjitik. Po pranojmë pra (dhe këtu po harrojmë ç‘ka thënë kryeministri ynë në kohët, kur nuk ka qënë kryeministër, lidhur me këtë çështje), që parku energjitik i Vlorës ka një rëndësi ta jashtëzakonshme strategjike mbi zhvillimin perspektiv të Shqipërisë e që zhurma mbi dëmet turistike është një gjepur ambientalistësh mendjecurrufjepsur. Ka vetëm një rrugëzgjidhje në këto rrethana. Duhet të zhvillohet një debat i madh public i nxitur nga qeveria, nëpërmjet të cilit kjo e fundit, qeveria pra, të bëjë çmos të bindë qytetarët e Vlorës se kjo monstër energjitike nuk provokon asnjë lloji dëmi në perspektivën turistike të këtij qyteti (në mos, t‘i bindë se e vlen barra qiranë që ata të paguajnë një kosto në emër të një të mire për gjithë të tjerët), të bindë grupet ambientaliste se nuk ka kuptim të shenjtërojnë ndjeshmëritë e tyre nazike lidhur me ambientin në rrethanat, kur Shqipëria rrezikon të mbetet e mjerë në kontekstin e një bote globale, të bindë më në fund opinionin e përgjithshëm publik se në gjithë këtë histori janë në kandar nga njëra anë ca interesa të ngushta e të vockla lokale e nga ana tjetër e ardhmja e vendit. Nëse do ta bënte këtë debat në mënyrë serioze e plot argumenta, edhe nëse nuk do të arrinte të kandiste vlonjatët, qeveria do ta kish të lehtë të kandiste opinionin publik. Në këto kushte, protesta fillimisht do të mbetej ose pa asnjë jehonë, ose e anatemuar nga pjesa e shëndetshme e opinionit publik, e më pas do të mpakej e do të demotivohej. Por qeveria shqiptare nuk ka ndjekur këtë rrugë. Përkundrazi, ka dërguar atje forca të mëdha policore e ka zgjedhur rrugën e ballafaqimit të dhunshëm me disa dhjetra protestues. Disa policë bashibozukë pra kanë zënë të ushtrojnë dhunë të shproporcionuar mbi qytetarët. Është një dhunë e verbër dhe krejt e papërligjshme. Vetëm një qeveri burracake mund të urdhërojë ushtrimin e dhunës mbi qytetarët që protestojnë.

Në një situatë të ngjashme është ndodhur përpara disa vitesh qeveria "Berlusconi" në Itali, teksa mori nismën për të ndërtuar linjën hekurudhore TAV (Treno ad Alta Velocitá), e cila duhej të kalonte nën Alpe me ndihmën e një numri tunelesh të gjatë. Popullsia lokale u ngrit në protesta, pasi kishin bindjen se çarja e maleve do të ndotte ajrin aty rrotull me lëndë radioaktive. Shqetësimet e tyre ishin pjesërisht të rreme e të egzagjeruara, por kjo nuk i ndali ata. Arritën deri atje sa ngritën dhe çadra atje ku duhej të nisnin punimet, dhe rrinin atje gjithë kohën, në ngricë, duke mos lejuar kompanitë e ndërtimit të nisnin punën. E gjithë kjo ndodhi, ngaqë qeveria e Berlusconi-t nuk denjoi të dialogonte me ta. Nuk është se dërgoi policët për të rrahur e burgosur protestuesit (as që mund të përfytyrohet kjo gjë), por thjesht nuk denjoi të dialogonte me ta. Pas disa muajsh, qeveria "Prodi" (e cila kish të njëjtin qëndrim lidhur me TAV-in) adoptoi një sjellje tjetër: ajo e pa të udhës të takohej me protestuesit e t‘i kandiste ata se çlirimi i lëndëve radioactive ishte një legjendë metropolitane. TAV-i do të bëhet.

Po parku energjitik i Vlorës do të bëhet? Kjo është për t‘u parë. Por një gjë është e sigurtë: kjo gjë nuk varet nga qeveria. Kjo gjë varet nga vlonjatët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›