E Diel, 1 Nëntor 2026

Sulmi, në "sitën" e trajnerit Ari Han

Afrimi i Ari Han në krye të kombëtares mendohet se do të sjellë një frymë të re në skuadër. Kjo, jo vetëm për faktin se holandezi përfaqëson një shkollë të ndryshme futbolli nga ato të mëparshmet, me të cilat janë njohur kuqezinjtë, por edhe sepse ai ka evidentuar pikat ku skuadra ka më shumë nevojë për të punuar. Sulmi do të jetë reparti ku 58-vjeçari do të përqendrohet më shumë, edhe sepse përfaqësuesja ka vuajtur jo pak për të gjetur rrugën e golit. "Rezultatet pozitive vijnë vetëm kur shënon gola dhe unë do të punoj shumë në këtë aspekt", ka deklaruar Han për albania-sport.com.

Përpara "po"-së dhe firmës në kontratë, tekniku i ka studiuar të gjitha kasetat e ndeshjeve të Shqipërisë në eliminatoret e Euro 2008. Ai ka pohuar se është në dijeni të statistikave të futbollistëve, por në momentin që do të ketë një raport më të detajuar për karakteristikat e tyre, do të vendosë edhe për mënyrën e lojës. "Shkolla holandeze dhe futbolli total? Fillimisht duhet të njihem deri në detaje për kualitetin e lojtarëve dhe të skuadrës në përgjithësi, e më pas do të vendos se çfarë mënyre loje do të aplikoj me kombëtaren e Shqipërisë, ka vazhduar më tej trajneri. Gjithsesi, me eksperiencat ndërkombëtare që kam te Kina dhe Kameruni, kontingjenti duhet të jetë shumë mirë i përgatitur nga ana fizike, por edhe të ketë lojtarë që e njohin mirë portën dhe që shënojnë rregullisht. Jam në dijeni të statistikave të futbollistëve kryesorë të skuadrës dhe duke u bazuar te kjo, do të preferoja të luanim një futboll praktik".

Goli nuk ka qenë një nga pikat e forta të përfaqësueses në edicionin e fundit ndërkombëtar, kur në krye të saj ishte kroati Oto Bariç. Në 12 ndeshje të grupit G (2 fitore, 5 barazime dhe 5 humbje), kuqezinjtë kanë shënuar vetëm 12 gola, ndërkohë që në 5 takime skuadra nuk ka arritur të shënojë. Nga totali i rrjetave, vetëm gjysmat janë realizuar nga sulmuesit: pesë Edmond Kapllani (tre prej tyre në dy sfidat me Luksemburgun) dhe një Erjon Bogdani. Dy sulmuesit e tjerë, Alban Bushi dhe Hamdi Salihi, ky i fundit ka pasur më pak hapësira në dispozicion, nuk kanë arritur të shënojnë asnjë gol. Nga pjesa tjetër e skuadrës, përpara portës në eliminatoret e Kampionatit Evropian eficentë kanë qenë Ervin Skela (2 gola), Besnik Hasi (1 gol), Debatik Curri (1 gol) dhe Altin Haxhi (1 gol), ndërsa rrjeta e barazimit 1-1 më 17 tetor në "Qemal Stafa" ishte autogol i Kishishev.

Deklarata e holandezit duhet të merret si paralajmërim nga katër sulmuesit kuqezi. I vetmi që po kalon formë të mirë në këtë sezon është Hamdi Salihi, që militon në Austri me Riedin. Shkodrani ka realizuar 10 gola me klubin e tij, 8 prej të cilëve në kampionat dhe 2 në kupat e Evropës. Krejt ndryshe situata për Kapllanin dhe Bogdanin, që me klubet respektive nuk kanë shënuar që prej fillimit të sezonit 2007-‘08.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›