Pesë javë në "Top Fest 5"
Edicioni i radhës së "Top Fest", i cili prej 5 vitesh është kthyer në promotorin më të rëndësishëm të muzikës moderne në Shqipëri, ka mbërritur tashmë në gjysmë të tij. Më shumë se 100 këngëtarë apo grupe muzikore nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia apo diaspora janë ngjitur deri më tani në skenën premtuese të këtij evenimenti, i cili është trampolina më e mirë për të afirmuar artistët e rinj në botën e spektaklit. Serioziteti dhe popullariteti i madh i "Top Fest" ka bërë që edhe emrat më të njohur apo të spikatur të muzikës moderne brenda dhe jashtë kufijve vit pas viti të debutojnë në garën e madhe drejt suksesit dhe shumës së lakmuar prej 10 mijë eurosh.
Një larmishmëri rrymash muzikore, artistësh e performancash, janë prezantuar edhe në javën e 5 të konkurrimit. Vula e pamohueshme e një promovimi dinjitoz ka bërë që numri i pjesëmarrësve të rritet gjithnjë e më shumë, aq sa nga 3 apo 4 konkurrentë që performonin çdo ditë në edicionet e para të "Top Fest" tashmë rrallë rastis që skena të pushtohet nga më pak se 8 apo 9 artistë, ashtu sikur ka ndodhur edhe këtë javë.
Plot 8 konkurrentë ngritën siparin e javës së pestë të këtij evenimenti, e cila u dominua kryesisht nga pjesëmarrësit e rinj. Ritme rok-alternativë përcolli në skenë ish-basisti i grupit të famshëm "Kthjellu", Fatos Kryeziu, i cili provoi sërish një skenë familjare që e ka përkundur drejt suksesit, por këtë herë në petkun e lokalistit. Nga Kosova erdhi edhe një tjetër grup roku, "Day Shift" dhe Adea Pula, pjesëmarrësja më e vogël e këtij edicioni, e cila me krenari sfidoi skenën me këngën e saj
"Teenager jam". Një rikthim dinjitoz në "Top Fest 5" ka bërë "Çika e boksierit", Monika Salihu, e cila i ka qëndruar edhe këtë herë besnike rrymës së saj të preferuar, R&B-së dhe spektaklit të zemrës. Ashtu siç e përshkruan vetë ajo në një deklarim për gazetën "Shqip", këngëtarja energjike nga Kosova, që nuk ka munguar në asnjë prej edicioneve të këtij festivali, tregon se pjesa me të cilën debuton këtë vit është një ndër këngët më të kënaqshme të performuara prej saj vitet e fundit, duke shpresuar, pse jo, që më në fund të marrë edhe një çmim në kategorinë "Best Hip-Hop and R&B"... Prandaj, edhe titull i saj është "Uau", shprehet ajo...
Por, siç kuptuam më vonë, pas tekstit të këngës, të cilën e ka shkruar vetë Salihi, fshihet simpatia për një djalë sekret, që me sa duket e meriton pasthirrmën "uau".
"Top Fest" është plateja ku gjen vend çdo lloj rryme muzikore. Parimi i vetëm që bën ndërlidhjen mes të gjithave është konceptimi modern i saj.
Një ndër zhanret muzikore që gjithnjë është prezantuar fuqishëm në "Top Fest" ka qenë hip-hopi, rrymë e cila është përfaqësuar më shumë, pse jo edhe më denjësisht nga artistët kosovarë. Ndër reperat e kësaj jave ishin "Sanches ft One C" dhe "Skills ft Viagra".
Pjesëmarrës në edicionin e 5-të të evenimentit muzikor, ashtu sikur është bërë e ditur do të jenë edhe 10 finalistët e spektaklit prestigjioz "Ethet", misioni i të cilit ishte të zbulonte talente të rinj. Kështu, rrugëtimi i etheistëve nuk u ndal me përfundimin e programit, pasi spektakle të tjera tashmë kanë hapur dyert dhe për ta. I pari nga dhjetë finalistët që shpalosi këngën e tij konkurruese, e cila mban vulën e Dorjan Gjonit, ishte Fatlum Zeka.
Regjisori prej 5 vitesh i këtij spektakli, Bojken Lako, tha për gazetën "Shqip" se këtë vit prurja ka qenë më e madhe në krahasim me edicionet paraardhëse. Nëse në "Top Fest 1" konkurrentët ishin 100, çdo vit erdhën duke u shtuar dhe mendohet se deri në përfundim të "Top Fest 5" do të ngjiten në skenë deri në 200 artistë. Në lidhje me këtë javë Lako u shpreh se në krahasim me javët e tjera ka pasur më pak konkurrentë, pasi për shkak të tragjedisë së Farkës, që tronditi opinionin më 6 mars, programacioni u reduktua në 3 ditë. Por Lako shtoi, se për sa i përket variacionit të rrymave muzikore që propozoi ajo, ka qenë më e larmishme. Ndërkohë, konstant pra me standarde të larta ka qenë cilësia e produksioneve të paraqitura.
Deri më tani, në platenë bashkëkohore të evenimentit muzikor janë ngjitur më shumë se 120 artistë. Ndër personazhet e afirmuar të skenës së muzikës moderne që bënë debutimin e tyre përmendim "00 Gentin", grupin "Kodi", Flaka Krelanin, Teuta Kurtin, Bubulinën, grupin "Qelbanix", Mr. Elvis, Mihirije Brahën, grupin "Na", "Ngrobën" etj...
Regjisori i programit ka vlerësuar ndër debutuesit si më të spikaturit, Gresa Gjocera, Silvani, Ajkuna, "Linda në Botën e Çudirave", Indrit Mesiti me Vesa Smalican etj., adhuruesit e muzikës moderne mund t‘i dëgjojnë tashmë jo vetëm në "Top Albania Radio", apo "My Music", por edhe në 2 përmbledhjet e para muzikore të "Top Fest", që do të hidhen në treg brenda 10 ditëve në vijim.
Ndërkohë, fuqishëm do të nisë edhe javën në vazhdim "Big Mamma", "Supernova", "Hana", të cilët janë ndër të parët që do të çelin javën e gjashtë të konkurrimit për t‘u ndjekur më pas nga Rezarta Shkurta, Besa Kokëdhima, Stine, Soni Malaj, Vedat Ademi, Mariza Ikonomi, Valon Shehu dhe natyrisht finalistët e spektaklit të "Etheve".
Për sa i përket procesit të votimit, pas fazës së parë, e cila konsiston në votimin e artistit të preferuar deri në 2 javë pas debutimit të tij, faza e dytë do të çelet në datën 11 prill dhe do të vazhdojë deri në datën 4 maj, kur do të zhvillohet nata finale. Gjatë këtij harku kohor mund të votohen të gjithë artistët pjesëmarrës.