Lufta ndaj kanabisit, policia mbledh krerët e komunave
Jemi të vendosur në përpjekjet tona për zero tolerancë ndaj kultivimit të bimëve narkotike në vend. Kështu deklaroi të premten zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, në takimin e zhvilluar me përfaqësuesit dhe të zgjedhurit vendorë, në kuadër të luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike. "Rezultatet e arritura tregojnë se gjendemi në një situatë të përmirësuar dhe më të mirë nga çka qenë", vlerësoi Poni, duke theksuar se, "nuk duhet të jemi arkaikë, as mesatarizues, por duhet të jemi agresivë në përpjekjet tona për zero tolerancë". Poni kërkoi prej përfaqësuesve vendorë që në përpjekjet e tyre në luftën ndaj kultivimit të bimëve narkotike, në bashkëpunim edhe me aktorët e tjerë, jo vetëm duhet të jenë të rreptë dhe ambiciozë, por duhet të jenë edhe të mirëkoordinuar, profesionalisht të përgatitur për të selektuar rastet, në mënyrë që efektshmëria e goditjeve të jetë maksimale. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, në fjalën e tij evidentoi faktin se me gjithë tendencën në rënie të këtij fenomeni janë konstatuar mangësi, të cilat kanë konsistuar në një bashkëpunim jo efektiv me të gjitha institucionet e administratës publike. Ai vuri në dukje se strukturat e qeverisjes vendore duhet të bashkëpunojnë ngushtësisht me strukturat policore në qarqe dhe në rrethe, me synim eliminimin e kultivimit të bimëve narkotike në shkallë vendi. "Gjithashtu, nuk ka pasur një bashkëpunim të mirë edhe nga strukturat që janë pjesë e sistemit të Ministrisë së Mjedisit", shtoi Prençi, duke shtuar se policia pyjore, që është në varësi të këtij institucioni, nuk ka identifikuar asnjë rast të vetëm dhe nuk ka dërguar asnjë informacion mbi kultivimin e bimëve narkotike. "Gjykojmë se këto struktura kanë shumë mundësi për të kontribuar në këtë drejtim, për vetë faktin se në shumë raste bimët narkotike gjenden të kultivuara në pyje apo në toka në pronësi të ndërmarrjeve pyjore", shtoi Prençi. Ndërsa kreu i njërës prej komunave më problematike për kultivimin e kanabisit, Dashamir Aliko, tha se Lazarati nuk do të jetë më një pikë e zezë në hartën e Shqipërisë. "Ne si pushtet vendor po bëjmë të gjitha përpjekjet dhe mendojmë që jemi në një sinkron me mesazhin e qeverisë për tolerancën zero ndaj kultivimit të bimëve narkotike", vijoi më tej Aliko. Për t‘i paraprirë luftës ndaj kultivimit të bimës narkotike në fshatin jugor të vendit, me më shumë se 4 mijë banorë kanë zhvilluar disa takime, mes përfaqësuesve lokalë, atyre qendrorë, policisë dhe banorëve.