Nishani: Ja ofertat e 7 firmave të huaja
Ministri Nishani ka deklaruar dje se procesi i hapjes së tenderit ka përfunduar me sukses. Sipas tij, që të enjten në orën 14:00, e deri në orët e para të mëngjesit të djeshëm, u realizua në kushtet e një transparence maksimale procedura e hapjes së ofertave dhe administrimit të dokumentacionit për tenderin e projektit koncesionar të prodhimit dhe shpërndarjes së dokumenteve të identitetit e pasaportave elektronike. "Dëshiroj të përgëzoj me këtë rast punën e shkëlqyer të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, drejtuar nga zv/ministri Poni. Së dyti, në emër të Ministrisë së Brendshme dhe qeverisë shqiptare i falënderoj të gjitha kompanitë që shfaqën interesim për këtë projekt madhor, e në veçanti ato që paraqitën ofertat e tyre më 28 shkurt 2008", deklaroi Nishani. Sipas tij, ofertat që u paraqitën kanë ardhur nga kompani dhe konsorciume ndërkombëtare me eksperiencë të madhe në prodhimin e dokumenteve të identifikimit të cilësisë e sigurisë së lartë. Ai shpjegoi se ofertuesi "Bundesdruckerei" nga Gjermania ka ardhur së bashku me S&T dhe "Motorola" të Amerikës. "Ndërsa "Indra" e Spanjës ka ardhur së bashku me "DATACARD" dhe "Sun Microsystems". "Oberthur" e Francës erdhi bashkë me "AKD" e Kroacisë, "Sagem" i Francës erdhi me Fondin Shqiptaro-Amerikan për Ndërmarrjet, "Consorzio R.I.E" e Italisë erdhi me "IDOM 2000" dhe "C.S.I. Piemonte", "Zetes" e Belgjikës erdhi me "Gemalto" të Holandës dhe "Nadra" e Pakistanit ka paraqitur ofertë e vetme", detajoi ministri Nishani. Më tej, ai tha se pavarësisht se cila nga ofertat do të rezultojë fituese, një gjë është e sigurt: "në fund të të gjithë procesit, shqiptarët do të kenë në duar dokumente identiteti dhe pasaporta elektronike të standardeve më të larta ndërkombëtare".