Falsifikuan certifikatën, në pranga dy ish-gjyqtare
Dy ish-gjyqtare, tashmë punonjëse të gjendjes civile në Tiranë, kanë përfunduar në prangat e policisë, pasi akuzohen për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve të gjendjes civile. Arta Danaj dhe Fiqirete Mullaj dyshohen se kanë nxjerrë një certifikatë false në ndihmë të një emigranteje të paligjshme në Greqi. Dy gratë e arrestuara kanë qenë gjykatëse, por më pas kanë vazhduar karrierën e tyre si punonjëse të gjendjes civile dhe si avokate. Burimet nga policia bënë të ditur se specialistë të Seksionit të Antikrimit Ekonomiko-Financiar, në bashkëpunim me seksionin e Luftës Kundër Korrupsionit, fillimisht mundësuan arrestimin e 42-vjeçares Arta Mane Danaj, me arsim të lartë, me detyrë punonjëse pranë Zyrës së Gjendjes Civile të Njësisë Administrative Nr. 7 në Tiranë. Sipas grupit hetimor, dyshohet se kjo grua, duke qenë me detyrë përgjegjëse pranë kësaj zyre, ka pajisur me certifikatë të falsifikuar, me qëllim pajisjen e mëtejshme me pasaportë, një vajzë, e cila aktualisht ndodhet emigrante në Greqi. Por, pas arrestimit të saj, policia ka mundur të vendosë në pranga edhe 52-vjeçaren Fiqirete Veli Mullaj, banuese në Tiranë. "Pas shtrirjes së gjerë të hetimeve, rezultoi se kjo e fundit, në bashkëpunim me punonjësen e zyrës së gjendjes civile, kanë kryer falsifikimin e gjeneraliteteve të shtetases me iniciale X.N.", tha policia. Madje, emigrantja është pyetur në lidhje me këtë çështje dhe ka dhënë shpjegime të rreme. Për këtë arsye, policia ka menduar të mos publikojë identitetin e plotë të saj. Megjithatë, emri i punonjëses së gjendjes civile nuk ishte i panjohur për policinë. Sipas të dhënave hetimore, ajo është dyshuar kohë më parë për një tjetër falsifikim. Në vitin 2003 ajo u shoqërua në policinë e Tiranës për të dhënë shpjegime mbi falsifikimin e certifikatës së Altin Arapit. Pikërisht në nëntor të vitit 2003 ajo u dyshua se kishte falsifikuar një certifikatë të Arapit, njeriu i akuzuar për vrasjen e shoferit të ish-kryeprokurorit Theodhori Sollaku. Bëhet fjalë për certifikatën me anë të së cilës Arapi është pajisur me pasaportë në nëntor të vitit 2002. Certifikata ishte regjistruar me identitet të rremë, me emrin Petrit Bejzade. Por, në atë kohë, Danaj u la sërish e lirë për mungesë provash dhe deklaroi se nuk ishte në dijeni të këtij problemi. Ndërkaq, nga të dhënat mësohet se Danaj ka punuar më parë si gjyqtare dhe juriste. Para disa vitesh, ajo e ka ushtruar këtë profesion në qytetin e Librazhdit. Ndërkohë, edhe e akuzuara tjetër si bashkëpunëtore, Fiqirete Mullaj ka punuar më parë si ish-gjyqtare në disa rrethe të vendit. Ajo është shkarkuar nga ky funksion me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Tani, Mullaj ushtron profesionin e avokates dhe ka marrë pjesë në një sërë aktivitetesh ndërkombëtare, ku ka përfaqësuar shpesh Gjykatën e Apelit të Tiranës.