E Martë, 3 Nëntor 2026

MEDIA – MAP merr presidencën e AMAN-it, Vojvodiç sekretarja e re e përgjithshme

MARRAKESH (Marok), 29 maj /ATSH/ – Në Asamblenë e 33-të të Përgjithshme të Aleancës së Agjencive Mesdhetare të Lajmeve, ku ATSH është anëtare me të drejta të plota, e zhvilluar nga 28-29 maji në qytetin maroken të Marrakeshit, agjencia marokene e lajmeve, MAP dhe drejtori i saj i përgjithshëm, Fouad Arif, morën presidencën e radhës të AMAN-it nga presidenti në largim, CEO i agjencisë italiane të lajmeve, ANSA, Stefano de Alessandri, në prani edhe të drejtorëve të tjerë dhe përfaqësuesve të agjencive anëtare.

Agjencia Telegrafike Shqiptare u përfaqësua në këtë asamble nga drejtoresha e përgjithshme, Valbona Zhupa dhe drejtoresha e Informacionit dhe Multimedias, Almarina Gegvataj.

Duke folur me këtë rast, Arif theksoi se AMAN ka qëndruar gjithmonë si një simbol i bashkëpunimit në të gjithë pellgun e Mesdheut, i lidhur jo vetëm nga gjeografia, por edhe nga një angazhim i përbashkët për dialog dhe progres.

“Ndërsa marr këtë rol, zotohem të ushqej dhe promovoj këto vlera thelbësore. Së bashku, ne do të vazhdojmë të ndërtojmë një aleancë elastike, që përshtatet me vendosmëri ndaj sfidave dhe që shfrytëzon mundësitë”, deklaroi Arif.

Presidenti i AMAN-it gjithashtu përshëndeti kthimin e agjencive mauritaneze, libiane dhe siriane në aleancë, gjë që u konfirmua në Asamblenë e 33-të të Përgjithshme.

”Prania juaj këtu riafirmon frymën gjithëpërfshirëse dhe forcën kolektive të aleancës sonë”, u tha Arif tre agjencive të përfshira.

Ai gjithashtu shprehu vendosmërinë e tij të fortë për të çuar përpara vizionin e përbashkët të Aleancës, të rrënjosur në unitet dhe dialog, duke bërë thirrje për ndërtimin e urave të njohurive, besimit dhe mundësive që shtrihen përtej kufijve dhe brezave.

Asambleja e 33-të e Përgjithshme zgjodhi edhe sekretaren e re të përgjithshme të AMAN-it, e cila është Branka-Gabriela Vojvodiç, drejtoreshë e përgjithshme e agjencisë kroate të lajmeve, HINA.

Agjencitë anëtare ranë dakord gjithashtu të mbajnë Asamblenë e 34-t të Përgjithshme të AMAN-it në Bosnjë-Hercegovinë, në vitin 2026./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›