E Diel, 1 Nëntor 2026

MEPJ përshëndet armëpushimin SHBA-Iran: Vlerësojmë rolin konstruktiv të Pakistanit, Egjiptit, Turqisë dhe Arabisë Saudite

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë mirëpret marrëveshjen për armëpushimin dyjavor ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Përmes një njoftimi për mediat, MEPJ shprehet se, Shqipëria ka mbështetur vazhdimisht përpjekjet për ulje të tensioneve, vetëpërmbajtje dhe dialog kuptimplotë.

Në fund të reagimit, ministria thekson se, respektimi i armëpushimit dhe angazhimi me mirëbesim drejt një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme do të përbëjnë një kontribut të drejtpërdrejtë për stabilitetin rajonal.

Reagimi:

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë mirëpret marrëveshjen për armëpushimin dyjavor ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, e cila synon të hapë rrugën drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme të konfliktit të përshkallëzuar në Lindjen e Mesme.

Shqipëria ka mbështetur vazhdimisht përpjekjet për ulje të tensioneve, vetëpërmbajtje dhe dialog kuptimplotë.

Ndërprerja e furnizimeve globale me energji, përfshirë ndikimin e paqëndrueshmërisë rreth Ngushticës së Hormuzit, vijon të prekë ekonomitë në mbarë botën, duke theksuar urgjencën e rivendosjes së stabilitetit dhe garantimit të rrjedhës së lirë të tregtisë detare.

Ne vlerësojmë rolin konstruktiv të luajtur nga Pakistani, Egjipti, Turqia dhe Arabia Saudite në mbështetje të përpjekjeve për ulje të tensioneve dhe dialog.

Respektimi i armëpushimit dhe angazhimi me mirëbesim drejt një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme do të përbëjnë një kontribut të drejtpërdrejtë për stabilitetin rajonal, sigurinë dhe paqen për të gjithë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›