E Hënë, 2 Nëntor 2026

METEO – Gjermania përfshihet nga vala e të nxehtit, temperaturat mbi 38 gradë Celsius

BERLIN, 13 gusht /ATSH-DPA/ – Gjermania po përballet sot me një valë të nxehti, me temperatura që po shkojnë mbi 30 gradë Celsius në pjesën më të madhe të vendit.

Shërbimi meteorologjik gjerman (DWD) parashikon temperatura maksimale rreth 37 gradë, me përjashtim të bregdetit verior ku pritet të jetë disi më freskët. Vala e të nxehtit pritet të intensifikohet  nesër, duke arritur deri në 38 gradë.

Landi jugperëndimor i Baden-Württemberg regjistroi disa nga temperaturat më të larta, me 35,4 gradë pranë kufirit me Francën. Meteorologët theksuan se kulmi i valës së të nxehtit ende nuk ka ardhur.

“DWD” – ja ka paralajmëruar për “të nxehtë intensiv” që do të zhvendoset  sot në veri të Gjermanisë dhe  do të përhapet më tej në rajonet lindore.

Këto temperatura ekstreme paraqesin rreziqe serioze për shëndetin, veçanërisht për të moshuarit, personat me sëmundje kronike dhe punëtorët pa akses në ambiente me ajër të kondicionuar.

Ekspertët thonë se shumë spitale dhe shtëpi kujdesi në Gjermani nuk janë të pajisura siç duhet për t’u përballur me të nxehtin.

Henriette Neumeyer, nënkryetare e Federatës Gjermane të Spitaleve (DKG), i tha grupit mediatik “RND” se shumica e spitaleve nuk kanë sisteme të plota ajri të kondicionuar për shkak të viteve të mospërkujdesjes në investime.

Federata e Spitaleve po kërkon një program investimi shumëvjeçar prej 31 miliardë eurosh (36.2 miliardë dollarë) për të rinovuar spitalet me teknologji miqësore me klimën. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›