PARIS – Wadephul i kërkon SHBA-së të respektojë sovranitetin e Groenlandës

PARIS, 7 janar /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul i kërkoi sot Shteteve të Bashkuara të Amerikës të respektojnë parimet e Kombeve të Bashkuara, mes retorikës së ripërtërirë të Uashingtonit për marrjen e mundshme të kontrollit të Groenlandës.
“Parimet e sovranitetit, integritetit territorial dhe paprekshmërisë së kufijve të sanksionuara në Kartën e OKB-së duhet të respektohen”, tha Wadephul në Paris, pas takimit me homologët e tij francezë dhe polakë.
Wadephul tha se vendimet për të ardhmen e Groenlandës i takonin popullit të Groenlandës dhe Mbretërisë së Danimarkës, së cilës ishulli i përket zyrtarisht.
Të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë në rajonin e Arktikut duhet natyrisht të diskutohen brenda kornizës së NATO-s.
Ai mirëpriti deklaraten e sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, i cili tha se Uashingtoni do të zhvillonte bisedime me qeverinë e Danimarkës, anëtare e NATO-s, javën e ardhshme.
I pyetur nëse veprimi ushtarak i SHBA-së kundër Groenlandës do të shënonte fundin e NATO-s, Wadephul tha se nuk kishte “as dyshimin më të vogël” se aleanca do të mbetej e bashkuar.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kohët e fundit ngriti sërish mundësinë e aneksimit ose blerjes së Groenlandës, duke përmendur interesat e sigurisë kombëtare.
Trump e ka paraqitur blerjen e saj si pjesë të një gare strategjike në Arktik – që përfshin fuqi të tilla si Kina dhe Rusia, si dhe një mënyrë për të siguruar akses në mineralet e rëndësishme. //a.i/