Rusia: Kosova duhet të jetë në Olimpiadë
Pavarësisht pozicionit që ka marrë rreth pavarësisë së Kosovës - duke mos e njohur shtetin më të ri në Evropë - nga Rusia kanë ardhur reagimet e para pozitive. Kryetari i Komitetit Olimpik në këtë vend, Leonid Tjagaçev, ka deklaruar se është e domosdoshme që sportistët kosovarë të marrin pjesë në një eveniment madh siç janë Lojërat Olimpike. "Është e domosdoshme që Kosova të marrë pjesë në Lojërat Olimpike dhe ky është një qëndrim i fort i imi", ishin fjalët e tij për mediat serbe. Tjagaçev ka dhënë edhe arsyen përse e mendon të drejtë ingranimin e sportistëve nga Kosova në arenën ndërkombëtare, duke preferuar të distancojë sportin nga politika: "Nuk ka arsyeje që sportistët dhe trajnerët të dënohen për shkak të politikës, ndërsa Olimpiada është ëndërr e çdo sportisti. Sportistët dhe trajnerët përgatiten katër vjet për këto Lojëra dhe do të ishte shumë ofenduese që politika t‘i ndalojë. Për shumë nga ata, ky mund të jetë rasti i fundit për të marrë pjesë në Olimpiadë", vazhdoi më tej kryetari i Komitetit Olimpik të Rusisë. Megjithatë, Komiteti Ndërkombëtar Olimpik (IOC) ka bërë të ditur se gjasat që Kosova të përfaqësohet në "Pekin 2008" janë shumë të vogla. Zëdhënësja e IOC, Emanuel Moro, theksoi se për t‘u bërë anëtare e këtij institucioni, më parë Kosova duhet të njihet nga Kombet e Bashkuara (OKB) dhe duhet të përmbushë me patjetër disa kushte. "Më parë duhet pritur vendimi i Kombeve të Bashkuara, por për shkak të periudhës së shkurtër në dispozicion, Kosova ka pak gjasa të përfaqësohet me flamurin e saj në Lojërat Olimpike, ‘Pekin 2008‘", tha Moro.