Machado do të takohet me Trump – Takimi vjen ndërsa SHBA-ja mbështet udhëheqjen e përkohshme në Venezuelë

Presidentja e opozitës venezuelase dhe fituesja e Çmimit Nobel për Paqe, María Corina Machado, do të takohet të enjten me presidentin amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë, ka konfirmuar zyrtarisht Shtëpia e Bardhë.
Ky takim vjen pak javë pas kapjes së ish-presidentit Nicolás Maduro nga forcat amerikane dhe pas zhvillimeve të fundit politike në Venezuelë.
Shtetet e Bashkuara deri tani kanë mbështetur udhëheqjen e përkohshme të Delcy Rodríguez, ish-zëvendëspresidente e Maduros, duke krijuar tension me opozitën.
Machado insiston se koalicioni i saj duhet të marrë drejtimin e vendit dhe kritikon Rodríguez-in, duke e quajtur pjesëmarrëse në represionin ndaj qytetarëve të pafajshëm Vizita e Machado-s në Uashington shihet si përpjekje për të forcuar mbështetjen ndërkombëtare për opozitën dhe për të diskutuar rrugët për një tranzicion demokratik.
Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se takimi do të përqendrohet në sfidat politike dhe të ardhmen e Venezuelës. Ky takim pritet të ndikojë në marrëdhëniet SHBA Venezuelë dhe në strategjitë e mëtejshme në Amerikën Latine. Situata në Venezuelë mbetet e ndërlikuar, me fraksione të ndryshme që kërkojnë udhëheqje dhe stabilitet politik.
Gazetar: A. Mata
/rtsh.al/